Një takim madhështor ka zhvilluar opozita shqiptare në Parma të Italisë. Kreu demokrat Berisha tha gjatë fjalës së tij se, këto takime po firmosin shpëtimin e Shqipërisë.
“Miq, ky është takimi im i dytë me diasporën, të parin e zhvillova në Romë, të dytin në Parma.
Por këto takime provohen të një rëndësie të jashtëzakonshme.
Këto takime po firmosin shpëtimin e Shqipërisë.
Po firmosin përmbysjen e narkoshtetit.
Kjo sepse jo vetëm se vota juaj është sot më e çmuar se kurrë në historinë e Shqipërisë, por sepse optimizmi, entuziazmi, energjia e këtyre takimeve e paparë që nga viti 1990 po çon peshë zemrat e shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo në botë.
Të dashur miq, këto takime, ky entuziazëm, kjo energji po bind çdo qytetar se ne po kthehemi fuqishëm për të mirën e mbarë shqiptarëve, për të mirën e Shqipërisë, të miqve të saj.
Vetëm dy javë kanë kaluar nga takimi në Romë.
Dy javë me zhvillime sa dy apo pesë vite.
Me zhvillime të mëdha që kanë dridhur themelet e narkoshtetit, që po fusin narkoshtetin në vdekje klinike, në koma.
Po, miqtë e mi.
Në takimin tim në Romë, unë u thashë shqiptarëve se Edi Rama është rreziku më i madh kombëtar për shqiptarët.
Se Edi Rama është Çubrilloviçi shqipfolës.
Se Edi Rama ka ndërtuar narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.
Të dashur miq, vetëm 5 ditë nga ai takim, në Mynih, zëvendëspresidenti i SHBA, do ia plaste në fytyrë tiranit, do i thoshte Europës se problemi ynë është persekutimi, arrestimi i liderëve të opozitës.
Përpjekja për të marrë mandate duke arrestuar liderë të opozitës.
Censura.
A kishte në atë sallë ndonjë lider, i cili kishte arrestuar tre liderë të opozitës si Edi Rama? Asnjë tjetër, asnjë të vetëm.
A kishte në sallë njeri që kishte marrë vendim për të censuruar mjetin më të fuqishëm të komunikimit të kohës, TikTokun? Vetëm se rinia shqiptare nuk i ndahej me TikTokun nga mëngjesi gjer në darkë kundër tij.
A kishte në sallë ndonjë lider që kishte futur në dorë të gjitha mediat kryesore dhe i kishte shndërruar si organe të zyrës së tij? Jo, asnjë”, tha Berisha.