Tirana një qytet që të lodh e të streson

Kur çdo ditë fillon me një zgjedhje të pamundur…

“Ora shënon 6:30 e mëngjesit dhe kam dy mundësi: të pres 30 minuta për transportin publik ose të marr makinën dhe të ngec në trafik për 50-60 minuta për një distancë që normalisht bëhet për 10 minuta. Dhe të mos kem asnjë shans për të parkuar.”

Kjo është dilema e përditshme e A.S., një banore e Astirit prej 7 vitesh, e cila duhet të udhëtojë çdo ditë në zonën e ish-Ekspozitës për punë. Dhe ajo nuk është e vetme. Njësia administrative nr. 14, e cila përfshin Astirin, Kasharin dhe Yzberishtin, është një nga zonat më të populluara të Tiranës, me mbi 70 mijë banorë – një shifër jozyrtare, por mjaft domethënëse.

Urbanizimi i shpejtë, zhvillimi kaotik dhe mungesa e planifikimit kanë kthyer këto lagje në një rrjet të ngatërruar ndërtesash dhe rrugësh të mbingarkuara, ku infrastruktura nuk e ndjek dot ritmin e popullsisë në rritje. Në vend të lehtësimit të jetës së qytetarëve, kemi kaos të përditshëm.

Po kush paguan çmimin e këtij kaosi?

Elizabeta, një nënë e re, është e detyruar të punojë me kohë të pjesshme sepse çdo ditë duhet të çojë dhe të marrë fëmijët nga shkolla.

“Të gjitha punët që kam aplikuar kërkojnë orar 08:00-16:00, por për mua është e pamundur. Duhet t’i çoj fëmijët në shkollë në orën 08:00 dhe t’i marr në orën 14:00. Nëse shkolla do të ishte afër, ata mund të shkonin vetë…”

Mungesa e shkollave dhe shërbimeve bazë i detyron qytetarët të përdorin makinat, duke rënduar edhe më tej trafikun. Nga ana tjetër, transporti publik është i parregullt dhe inefikas. Për urbanistin Gentian Kaprata, plani i fundit urbanistik për Tiranën është ai i miratuar në vitin 1990 nga qeveria komuniste, i projektuar për një popullsi prej vetëm 250 mijë banorësh. Sot, Tirana numëron mbi 1 milion banorë dhe infrastruktura nuk ka ndjekur këtë rritje.

Një qytet që të  lodh e të streson

Për sociologen Entela Binjaku, trafiku dhe kaosi urban ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës:

“Përballja me trafik të vazhdueshëm ndikon në mirëqenien psikologjike të qytetarëve, duke rritur stresin dhe ankthin, që më pas reflektohet në punë, marrëdhënie familjare dhe shoqërore.”

Fëmijët që duhet të zgjohen herët për të kapur autobusin ose të ecin gjatë në këmbë, janë të lodhur dhe të përgjumur gjatë mësimit. Nga ana tjetër, prindërit që luftojnë çdo mëngjes me orarin dhe distancat, përballen me pasiguri dhe stres të vazhdueshëm.

Parkimi? Mision i pamundur!

Nëse trafiku është një sfidë, parkimi është një betejë e humbur. Me rreth 200 mijë makina që qarkullojnë çdo ditë, hapësirat publike për parkim janë bërë luks.

Në vitin që lamë pas, Tirana kishte gjithsej 4767 vende parkimi të menaxhuara nga bashkia.

Nga këto:

747 janë me kontrata parkimi me pagesë,

1600 janë rezervuar për taksitë,

1442 janë të abonuara.

Për qytetarët, kjo do të thotë një alternativë: parkingjet private me tarifa që variojnë nga 200 lekë deri në 1000 lekë në ditë. Dori K., një sipërmarrëse në zonën e Komunës së Parisit, thotë se çdo mëngjes përballet me të njëjtën sfidë: ku të parkojë?

“Ka vite që nuk shpresoj më për një vend parkimi të lirë. Edhe kur gjej, kushton sa një drekë në restorant.”

Urbanisti Kaprata beson se zgjidhja është ndërtimi i parkingjeve nëntokësore, por shton se Bashkia e Tiranës nuk ka pasur kurrë si prioritet përmirësimin e këtij problemi.

Tirana është një qytet i kontrasteve: ndërtimet e reja që ngrihen përbri pallateve të vjetra, rritja e çmimeve që tejkalon fuqinë blerëse dhe infrastruktura që nuk përballon dot kërkesat e popullsisë.

Ornela dhe Arditi, dy të rinj që janë zhvendosur nga Lezha dhe Kavaja për të ndërtuar jetën në Tiranë, e përjetojnë çdo ditë këtë sfidë.

“Vendosa të qëndroj në Tiranë sepse këtu ka më shumë mundësi, por gjithashtu është shumë më e vështirë,” – thotë Ornela.

Ndërsa Arditi mendon shpesh të kthehet në Kavajë, sepse kostoja e jetesës është e papërballueshme. Vetëm qiraja për një apartament të vogël në Fresk kushton 40 mijë lekë në muaj, ndërsa blerja e një shtëpie duket një ëndërr e paarritshme.

Sociologia Binjaku thekson se pasiguria ekonomike, ndotja e ajrit dhe çmimet e larta janë faktorët kryesorë që ndikojnë në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Një qytet që ka nevojë për rregull, jo kaos

Të jetosh në Tiranë nuk është e lehtë, por kur e tashmja nuk ofron shpresë, të paktën e ardhmja duhet të jetë më e menaxhueshme. Politikat urbane, transporti dhe planifikimi duhet të punojnë për qytetarët, jo kundër tyre. Në fund të fundit, ky qytet është shtëpia e afro 1 milion njerëzve, dhe është koha që kaosi t’i lërë vendin rregullit.

/ACQJ – Qëndra për Gazetari Cilësore

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *