Nga Genc Burimi
Kur shikon dyshen më të lartë të Rilindjes në flakët e ferrit që njërin e kanë mbërthyer nga gjunjët tek shpatulla, dhe tjetrit dara e zjarrtë po i afrohet kyçeve të këmbëve, një shprehje e famshme latine të vjen nëpërmend. ‘Vae Victis’ ose ‘Mjerë humbësit’.
Janë momente historike për Shqipërinë të ngjashme me luftërat e epokës romake. Shpata që përfaqëson SPAK, ishte kthyer gjatë gjithë kohës së administratës Biden sponsorizuar nga Sorros, në një mburojë për Rilindjen.
Kush Spa(rta)kist kamikaz do të kishte guxuar ta drejtonte tehun e drejtësisë ndaj një dyshe që tundte në mënyre triumfatore fotot e saja me Soros Junior? Habiteshim sesi është e mundur që drejtësia amerikane gjykon dhe dënon yllin e FBI-së, McGonigal për ‘korrupsion të lartë’ e tradhëti me allishverishet e tij në Shqipëri, ndersa në Shqipëri korruptuesve jo vetëm që s’u prekej as qimja e flokut, por e kishin marrë vetë në dorë shpatën e drejtësisë për ta kthyer nga ai që denonconte me shumë, si Sali Berisha.
Mbi këtë të fundit kishte rënë pa dyshim, mallkimi ‘Vae Victis’, të cilit pasi i kishin marrë nderin me një ‘non grata’ oportuniste, pasi i morën partinë në përfitim të një Jude politike tipike, i morën dhe një pjesë të lirisë me ‘arrest shtëpie’ ashtu si dhe dhëndërrin e tij viktimë kolaterale e hakmarrjes institucionale ‘Drejtësi-Shtet’.
Si në tragjedinë e Aleksander Dyma, ‘Konti i Montekristos’, komploti kundra opozitës në Shqipëri u bë i mundur për të fshehur një komplot edhe më të madh, atë në të cilin edhe i biri i vetë presidentit të fuqisë më të madhe në bote.
Para dy vitesh, në një botim të datës 23 shkurt 2023, SYRI.net me citonte kështu mbi këtë aferë: ‘Duke folur në ‘Task Force’, Genc Burimi shprehet se skandali McGonigal në SHBA, lidhet me presidencën Biden dhe amerikanët këta nuk kanë shumë dëshirë që të hetohet në Shqipëri. Në SHBA janë ngritur dy komisioneve, njëri republikan dhe tjetri demokrat, të cilët duan të hetojnë lidhjet kineze të Hunter Biden, i cili është paguar 5 mln dollarë. Në këtë rast, kur dalin emrat Hunter-Duçka, administrata Biden nuk ka shumë dëshirë që të hetohet në Shqipëri kjo lidhje’.
Por ja që rrota e historisë po kthehet mbrapsht dhe vendin e ‘Vae Victis’ po e zënë Soros me mëkëmbësit e tij në Shqipëri. As në ëndërrat e tij më të tmerrshme Edi Rama s’do e kish imagjinuar se një gazetar i thjeshtë amerikan në një media opozitare si Fox Neës ku investigonte mbi lidhjet e McGonigal me kryeministrin e Shqipërisë dhe djalin e Joe Bidenit, do të bëhej një dite po ky gazetar numri dy i FBI!
Emri i tij Dan Bongino. Misioni i tij kolateral: t’ia trazoje deri në çmenduri gjumin natën Edi Ramës me fantazmën e McGonigal si fantazma në tragjedinë e Makbethit të Shekspirit.
Dhe ja sot si me një shkop magjik, drejtësia shqiptare vihet menjëherë në diapazon me fituesit në krye të perandorisë amerikane. Sapo Soros humbi zgjedhjet në Amerikë, SPAK-u beri prioritare dosjen e puthadorit nr. 2 të Sorrosit në Shqipëri të cilin e arrestoi dhe sot i çoi biles dhe një mesazh të prerë që të mos guxojë të shpifë për drejtësinë.
Na bren kureshtja të shohim zellin e zjarrtë me të cilin kjo drejtësi ‘e re’ do të bashkëpunojë me Drejtuesin e ri të FBI kur të kërkohet hapja më në fund e hetimit edhe për puthadorin nr. 1 të Sorrosit në Shqipëri sesi bretkosa e vogël që e morri veten për buall arriti të komprometoi një cow-boys amerikan. Si përfundim, shqipja ka ndoshta një thënie dhe më domethënëse së ‘Mjerë të Humburit’.
‘Mos u gëzo o i gëzuar!’ për Ramën, dhe ‘Mos u trishtoni o të trishtuar!’ për fansat e kryedemokratit të cilin nuk e braktisen asnjë sekondë për gati katër vjet rresht.