Kryeministri Edi Rama iu drejtua me një fjalë përmes lidhjes video Samitit në Kiev, ku liderët e BE u mblodhën për të përkujtuar 3-vjetorin e nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës.
Në fjalën e tij, Rama solli në vëmendje kthesën në qasjen e SHBA ndaj Ukrainës me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, madje ai e quajti tërësisht të padrejtë faktin që Ukrainës po i imponohet një marrëveshje ku ajo nuk është pjesë e negociatave.Me sa kuptoj unë, Europa si kontinent duhet që të krijojë një varg të gjatë diplomatik, përfshi Britaninë e Madhe, sigurisht Turqinë, Bashkimin Europian, pa asnjë dyshim, dhe të dalë me një qëndrim. Të dalë me një qëndrim, sepse kam frikë se do të jetë e paqëndrueshme përkundrejt opinioneve publike, sidomos në pjesën perëndimore të kontinentit, që të vazhdohet, e të flitet ajo çfarë po flasim këtu. Por ndërkohë shohim që SHBA-ja dhe Rusia po hyjnë në një marrëveshje, ndërkohë që Ukraina përjashtohet apo i imponohet diçka që mund te jetë tërësisht e padrejtë” u shpreh kryeministri i Shqipërisë.
Rama tha se udhëheqësit e BE dukej se po vazhdonin sikur asgjë të mos kishte ndodhur – kur në fakt nën Shtëpinë e Bardhë të re gjithçka ishte ndryshe me një realitet të ri për Ukrainën.
“Unë mendoj se diçka e rëndësishme ka ndodhur siç e dini të gjithë dhe pyetja është se si do të mbështetet Ukraina në mënyrë efikase dhe si… Evropa si kontinent mund të jetë efikase në mbrojtjen e vetvetes dhe për të nxjerrë më të mirën nga diçka që po ndodh, një negociatë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Rama.
“Unë nuk jam i sigurt që vetëm duke folur për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, ne e kuptojmë të gjithë çështjen. Ky është mendimi im modest. Ndoshta e kam gabim”, shtoi ai.
Rama përsëriti se Shqipëria qëndronte plotësisht pas Ukrainës dhe aleatëve të saj.
Por ai tha se kishte disa dyshime për faktin se samiti po trajtonte vetëm gjysmën e problemit – anën ushtarake – dhe jo realitetin e ri politik dhe diplomatik.
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama:
Faleminderit shumë! Faleminderit veçanërisht që më përfshitë mua dhe Shqipërinë këtu. Jam i vetëdijshëm që jam më i gjati nga të gjithë ju, por përfaqësoj një vend që ndoshta ka një peshë të papërfillshme në këtë tryezë, kur vjen fjala për fuqi njerëzore dhe kur bëhet fjalë për fuqi ushtarake, e gjithçka të ngjashme.
Nuk mundem përpos të bie plotësisht dakord me gjithçka që u tha, dhe nuk dua t’i humbas askujt kohë duke përsëritur gjërat themelore që të gjithë miqtë e kolegët përreth tryezës i kanë theksuar.
Megjithatë, nuk mundem të mos ngre një pyetje, duke qenë se, pasi kam ndjekur të gjithë takimin, më duket sikur asgjë s’ka ndodhur, më duket sikur ky takim është si të ishte regjistrim i takimit të tre muajve më parë, apo të një viti më parë, apo të dy vjetëve më parë.
Po nuk jam i sigurt që është kështu dhe mendoj që diçka e rëndësishme ka ndodhur, siç të gjithë ju e dini, dhe pyetja është: Si do të mbështetet Ukraina në mënyrë efikase dhe sa mund të gjithë ne, – po edhe njëherë, kërkoj ndjesë, sepse këtu bëhet fjalë së pari për BE-në dhe për vendet e tjera të mëdha, dhe jo për Shqipërinë, – por si mundet Europa si kontinent të jetë efikase për të mbrojtur veten dhe për të bërë maksimumin nga diçka që po ndodh, një negociatë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Dhe nuk jam i sigurt që të flasësh vetëm për rritjen e mbështetjes ushtarake e për rritjen e shpenzimeve për ushtrinë, do të arrijmë apo do të përfshijmë gjithçka, po ky është mendimi im, ndoshta e kam gabim.
Ajo çfarë ndava dje me Volodymyrin në bashkëbisedimin tonë, dua ta ndaj edhe me ju. Me sa kuptoj unë, Europa si kontinent duhet që të krijojë një varg të gjatë diplomatik, përfshi Britaninë e Madhe, sigurisht Turqinë, Bashkimin Europian, pa asnjë dyshim, dhe të dalë me një qëndrim. Të dalë me një qëndrim, sepse kam frikë se do të jetë e paqëndrueshme përkundrejt opinioneve publike, sidomos në pjesën perëndimore të kontinentit, që të vazhdohet, e të flitet ajo çfarë po flasim këtu. Por ndërkohë shohim që SHBA-ja dhe Rusia po hyjnë në një marrëveshje, ndërkohë që Ukraina përjashtohet apo i imponohet diçka që mund të jetë tërësisht e padrejtë.
Kemi qenë për një kohë të gjatë në autopilotin amerikan, me gjasë, tashmë autopiloti është fikur dhe askush nuk e di për sa kohë, dhe besoj që është koha që të kemi një reflektim më të thellë sesa ajo çfarë do bëjmë sa i takon mbështetjes ushtarake apo shpenzimeve ushtarake. Sepse sigurisht që është shumë e nevojshme, por mund të mos jetë e mjaftueshme.
Thënë e gjithë kjo, e përsëris, nuk ka aspak dyshim që ne qëndrojmë krah Ukrainës. Nuk ka aspak dyshim që ne qëndrojmë krah çdo vendimi që të mëdhenjtë në këtë hapësirë do të marrin, por disa dyshime për faktin që këtu po flasim vetëm për gjysmën e historisë, jo për gjysmën tjetër dhe po merremi vetëm me gjysmën e problemit që është ana ushtarake dhe jo me anën, gjysmën tjetër, që është politika dhe diplomacia e tij e këto duhen ndarë.
Kërkoj ndjesë edhe një herë. Jam mjaft i vetëdijshëm që pesha e vendit tim nuk është aq e madhe sa të ndryshojë ndonjë gjë, por ndoshta disa mendime për t’u rrahur, sepse nëse gjërat do të vazhdojnë kështu, herët a vonë vendet perëndimore do të përballen me opinione publike që do t’i sjellin pastaj në një kolaps tërësor të forcave demokratike.
Faleminderit! Faleminderit shumë!