Shtyrja e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, Bylykbashi: Aktet e qeverisë, të vonuara dhe diskriminuese

Shtyrja e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, Bylykbashi: Aktet e qeverisë, të vonuara dhe diskriminuese

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi sot se, aktet normative për shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për shtetasit shqiptar që jetojnë jashtë vendit janë të vonuara dhe diskriminuese.

Në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ku po shqyrtohen Akti Normativ nr. 1, datë 5.2.2025, “Për një shtesë në ligjin nr. 8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar” dhe Akti Normativ nr. 2, datë 5.2.2025, “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar”, Bylykbashi tha se, “këto dy akte normative në fakt kanë ardhur me shumë vonesë, me vonesë kur janë nxjerrë nga qeveria

Një nga elementet kryesore që duhet të ketë procesi zgjedhor është siguria juridike dhe është krejt e papranueshme që Këshilli i Ministrave nxjerr një Akt Normativ në gjysmë të procesit të regjistrimit të zgjedhësve. Është e papranueshme duke pasur parasysh që në vitin 2021 dhe 2023 qeveria e ka nxjerrë aktin dhe sjellja aktuale ishte në vijim të asaj që ndodhi për zgjedhjet e pjesshme në Himarë, ku qëllimi ishte lënia pa votim e rreth 6 mijë zgjedhësve”.

Kështu në këtë veprim që ka bërë qeveria dhe duke ndërmarrë akt që parlamenti të mos ndryshonte skemën e identifikimit të zgjedhësve ka bërë të mundur që një numër shumë i lartë zgjedhësish të mos aplikonin në kohë tek KQZ”, tha Bylykbashi.

Duke pasur parasysh faktin që mund të regjistroheshe por nuk mund të votoje me dokument të skaduar, një numër shumë i madh, dhjetëra mijëra zgjedhës nuk kanë aplikuar dhe po aplikojnë tani. Kështu që ky është një veprim i qëllimshëm për të bllokuar regjistrimin në numër sa më të madh të zgjedhësve”, tha ai.

Bylykbashi shtoi se, “ky akt është diskriminues. Është absolutisht i papranueshëm që të ndryshohet regjimi dhe juve t’i siguroni të drejtën e votës vetëm atyre që janë në diasporë. Duhet ta kenë këtë të drejtë të gjithë shtetasit, të cilët kanë të drejtën e votës”.

Deputeti i PD, theksoi se, “duhet patjetër që me një akt tjetër normativ t’i jepet e drejta për të votuar të gjithë zgjedhësve të cilët kanë një dokument të skaduar dhe që jeton në Shqipëri”.

Ndërsa deputeti i opozitës, Enkelejd Alibeaj pyeti zv/ministrin e Brendshëm, Andi Mahila, i cili ishte në Komision për të prezantuar këto 2 akte normative se, “sa është numri i shtetasve shqiptarë brenda apo jashtë vendit, të cilët kanë një dokument që iu skadon para datës 11 maj, të cilët përfitojnë nga shtyrja?”.

Së dyti, shtoi Alibeaj, “u bë kaq kohë që sa herë që vijnë zgjedhjet del gjithmonë i njëjti problem, shtyjmë dokumente, pasaporta, kartë identiteti e kështu me radhë. Ju si qeveri keni menduar ndonjë lloj politike se çfarë mase duhet marrë që njerëzit të mos ndodhen një ditë të bukur afër zgjedhjeve me dokument të skaduar. A ka ndonjë masë, ndonjë incentivë, ulje të pagesës, fushatë ndërgjegjësuese apo do të vazhdojë kështu”.

Zv.ministri Mahila u shpreh se, “duhet të kuptojmë që procesi i pajisjes së shtetasve tanë me dokumente identifikimi respektivisht me letërnjoftim dhe pasaportë është një proces dinamik”.

Çfarëdolloj numri që ne të japim sot apo dhe nesër, apo dhe në të shkuarën është një numër që është dinamik. Mahila u shpreh se sot ky numër është 523 283 shtetas.

“Sqaroj që ky numër nuk është i tillë sot që po e them për shkak se në këtë moment që po flasim numrat ndryshojnë ngaqë është proces dinamik”, tha Mahila.

Sa i përket masave të marra, Mahila sqaroi se, “procesi i pajisjes me dokumente identiteti, letërnjoftim, respektivisht dhe pasaportë është një proces, i cili iniciohet nga kërkesa. Nëse nuk ka kërkesë nuk mund të fillojë procesi”.

“Një element i rëndësishëm është që institucionet përgjegjëse të jenë të gatshëm, të kenë ngritur infrastrukturën t’u përgjigjen shtetasve që kanë bërë kërkesën t’u shërbehet sa më cilësisht dhe sa më shpejt”, tha Mahila.

Mahila theksoi se, “afati që për 15 ditë mund të marrësh dokument identiteti pasaportë ose letërnjoftim është një afat shumë ambicioz ose i arritur”. Nga ana tjetër, shtoi ai, “një tjetër element është që t’i shërbehet shtetasve tanë aty ku ndodhen jashtë vendit”.

Share it :