Tigrat e Belës’/ Si Balluku po u ‘vjedh’ shqiptarëve 120 mln dollarë për 0 kilovat energji të prodhuar!

Tigrat e Belës’/ Si Balluku po u ‘vjedh’ shqiptarëve 120 mln dollarë për 0 kilovat energji të prodhuar!

Sot emisioni Plug do të investigojë një tjetër aferë të qeverisë Rama. Ndonëse vëmendja e kushtuar kësaj afere ka qenë e pakët, dëmi i shkaktuar është qindra milionë euro. Do të flasim për dy anijet TEC në Vlorë, Tigri 1 dhe Tigri 3, të cilat prej dy vitesh në bregun e Vlorës, nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji, por do të djegin minimalisht plot 121 milionë euro. Zanafilla e kësaj afere ishte siç edhe të tjerat me shpallje emergjence kombëtare, e më pas me po aq emergjencë janë kryer praktikat korruptive.

Me këtë deklaratë në 9 tetor të vitit 2021 kryeministri Edi Rama do të njoftonte qytetarët e do të përhapte panikun për trokitjen e një krize energjetike që nuk erdhi kurrë, jo për Shqipërinë, por për asnjë vend të rajonit, pasi krizë nuk kishte. E aq më pak, nisi të flitej për krizë në prag të dimrit, kur dihet që peshën më të madhe të prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë e mbajnë Hidrocentralet, që ishin përballë stinës më të volitshme për prodhimin me kapacitete të larta.
Si në çdo krizë tjetër të shpallur nga kjo qeveri edhe në këtë rast, paniku duket se kishte një tjetër qëllim. Ndërsa qytetarët dhe opinion nisi diskutimin për ditët e errëta të ndërprerjes së energjisë, qeveria nisi lëvrimin e milionave, për projekte abuzive, që do të jenë objekt investigimi i emisionit Plug ditën e sotme.

Njësoj si me aferën e inceneratorëve e gjitha filloi me shpalljen e gjendjes së emergjencës.

Me vendimin nr. 584 datë 08.10.2021 të Këshillit të Ministrave shpallet emergjenca në furnizimin me energji elektrike:

PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave VENDOSI:

  1. Shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
    1. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.
    2. Ngarkohen zëvendëskryeministri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, “KESH” sh.a., “OST”, sh.a. dhe “OSHEE Group” sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Veprimet e shpejta, për një nga aferat më të mëdha që ka dëmtuar vendin dhe xhepat e financave shqiptare, ngrenë dyshimet se gjithcka ka qenë e parapërgatitur. Vetëm dy muaj pas shpalljes së emergjencës, Kryeministri Edi Rama do të miratonte një tjetër VKM, që do ti hapte rrugën nisjes së procedurave për të marrë me qera anijet TEC, Tigri 1 dhe Tigri 3, dy agregate që prej vitesh ishin nxjerrë jashtëpërdorimi nga kompania zotëruese, e madje mbajtja e tyre po kthehej në kosto. Në datë 9 dhjetor 2021, do të firmosej VKM-ja e posaçme numër 757, për të marrë këto dy TECE lundruese, që ndodheshin mijra kilometra largë.

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR. 620, DATË 22.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KUSHTEVE, PËR VENDOSJEN E DETYRIMIT TË SHËRBIMIT PUBLIK NDAJ TË LICENCUARVE NË SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE, GJATË GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE DHE PËR PËRBALLIMIN E PARANDALIMIN E SAJ

VENDOSI:

Për qëllime të furnizimit me të gjitha sasitë e nevojshme për nevojat e Furnizuesit të Shërbimit Universal, shoqëria e prodhimit e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik ka të drejtë të marrë me qira asete gjeneruese termike të energjisë, të shkëmbejë/të depozitojë apo të kryejë transaksione shitblerjeje energjie në tregun e lirë.

Po në të njëjtin vendim qeveria autorizon KESH që të marrë me qera këto asete deri në 3 vite. Kjo periudhë 3 vjecare nuk justifikohet as me gjendjen e emergjencës e cila ishte shpallur deri në Prill të vitit 2022. E thënë më thjeshtë, ndërsa gjendja e emergjencës ishte parashikuar për 6 muaj, Tigri 1 dhe Tigri 3, me VKM do të merreshin me qera deri në 3 vjet.

Me tu dhënë urdhri nga Edi Rama fillon menjëherë puna. Në bazë të vendimit nr.757, i cili ka hyrë në fuqi në datën 13 dhjetor, KESH publikon “Thirrjen për shprehje interesi” në datën 05.01.2022. Bazuar në buletin nr.8 datë 24.01.2022 të Agjencisë së Prokurimit Publik (fq 348 e ne vijim variant shqip dhe angl), data e dorëzimit të oferteva është përcaktuar 27.01.2022. Por sipas publikimit të KESH, në faqen e tyre zyrtare në variantin anglisht është vendosur data 14 Janar 2022 për dorëzimin e shprehjes së interesit sipas specifikimeve të detajuara. Më pas rezulton se KESH bën një sqarim në gjuhën angleze, ku saktëson se data e dorëzimit të shprehjes së interesit është shtyrë për në datën 21 Janar. Arsyetimi KESH për shtyrjen ishte mos dorëzimi kërkesës në APP sipas formatit të kërkuar. Në përmbledhje afati i dorëzimit të ofertave fillon në 14 janar, shtyhet në 21 dhe përfundon në datën 27.

Qartazi ka një mos përputhje me të gjitha njoftimet e publikuara nga KESH për “Shprehje Interesi, “Dhënie me Qera të një Aseti Gjenerues Termik”, dhe në të gjitha rastet nuk janë respektuar afatet që përcakton ligji 162/2020, “Për Prokurimet Publike” dhe procedurave për vlera mbi kufirin e lartë monetar të prokurimit. Të dhëna edhe më të plota që ngrenë dyshime më të forta për procedurën tenderuese përftohen nga publikim zyrtar në SHBA të Securities and Exchange Commission FORM S-1 underthe Securities ACT of 1993.

Excelerate Energy, Inc, në faqen 117 të Table of Contents Business, deklaron se është njoftuar nga Shteti Shqiptar për shpalljen fitues të ofertës së tyre për Asetin Gjenerues Termik, në Janar të vitit 2022. Po në këtë dokument në faqen 6, gjejme disa të dhëna interesante mbi fiktivitetin e kësaj procedure tenderuese:

Në Shqipëri ne kemi firmosur një memorandum mirëkuptimi në Mars të vitit 2021 me ExxonMobil dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për të drejtuar një studim fizibiliteti për zhvillimin e një projekti energjitik me gaz të lëngshëm…po në të njëjtën linjë ne ju përgjigjëm kërkesës së qeverisë Shqiptare për të për tu dhënë me qera atyre gjeneratorë si pasojë e emergjencës. Në janar të vitit 2022 jemi njoftuar se oferta jonë është shpallur fituese.

Nga sa më sipër, ngrihet dyshimi se jo vetëm nuk janë respektuar afatet ligjore të prokurimit publik dhe është njoftuar fituesi në shkelje të këtyre afateve, por mesa duket kjo garë ka qënë e paravendosur dhe siç shpjegohet më poshtë nga të dhënat e marra gjatë intervistës publike të Minstrit Balluku, mund të mendohet se VKM Nr 757 datë 21 Dhjetor 2021, është klienteliste dhe ka patur si qëllim për të favorizuar kompaninë fituese të këtij tenderi me efekt financiar minimal rreth 65 milionë dollarë.

Në specifikimet teknike është kërkuar që Kompania ofertuese të dorëzonte dokumentacionin provues të zotërimit të Asetit Gjenerues Termik, si kusht themelor për procedurën vijuese.

Në faqen 352 të buletinin nr.8 datë 24.01.2022 të Agjencisë së Prokurimit Publik specifikohet se operatori aplikues duhet të depozitojë:

“Deklaratë dhe dokumenta nga subjekti, që disponon apo ka në përdorim një asset gjenerues termik të cilin mund tja jap në përdorim të shoqërisë KESH sh.a, nëpërmjet një kontrate qiraje”

PLUG zhvilloi një kërkim të hollësishëm për të parë nëse kompania e shpallur fituese i kishte në disponim Tigrin 1 dhe 3 kur dorëzoi oferten apo jo.

Nga raporti zyrtar i kompanisë Bangladeshase “Khulna Power Company LTD”, raporti vjetor 2018-2019 dhe raporti vjetor 2021-2022, faktohet se Aseti Gjenerues Termik Tigri 1&3, ka qënë në shitje nga viti 2018 dhe i është shitur kompanisë Excelerate Global Operations LLC në Prill të vitit 2022 për vlerën 15 milionë USD, pasi ka marrë nga autoritetet bangladeshase të drejtën për të eksportuar këtë ‘Anije Gjeneruese Termike’.

Në një artikull të publikuar në median ‘The Business Standart’ jepen të dhëna të rëndësishme për këtë investigim :

Kompania Khulna Power Compani që nga viti 1997 kishte patur në zotërim dhe përdorim këto anije prodhuese energjie për të cilat kishte një marrëveshje me qeverinë e Bangladeshit. Bazuar në këtë marrëveshje kompania Khulna Power Company LTD ka qenë e përjashtuar nga taksat lokale për këto asete dhe vetëm në rastet që ajo do të ishte në operim ose do të eksportohej përjashtimi qëndronte në fuqi. Përndryshe do të detyrohej të paguante taksat lokale që lidhen me investimin total të realizuar rreth viti 1997 në vlerën 96 milion USD.

Pra për ta bërë më të kuptueshme. Për këto dy anije në vitin 1997 firmoset marrëveshje me qeverinë në Bangladesh, vlera e investimit 96 milionë dollarë. Kompania që nga viti 1997 ka qënë e përjashtuar nga taksat e importit dhe ato lokale që kapin vlerën e dhjetra milionë dollarëve e në përfundim të kontratës kompania që të vazhdonte të përfitonte nga përjashtimi i taksave do duhet ta rieksportonte asetin.

Artikulli mban datën 24.04.2022 dhe shpjegon se kompania Khulna Poëer Compani ka dakortësuar për të shitur anijet te kompania Excelerate Global Operations LLC, për vlerën 15 milion euro.

Po në artikull apo deklaratën për mediat të kompanisë Khulna sqarohet se këto anije nuk kanë qënë në përdorim që nga viti 2018 dhe se kjo ishte oferta e parë e marrë në 4 vite.

Kjo ngre dyshime që Excelerate Global Operations LLC nuk ka qënë në posedim të asetit jo vetëm gjatë periudhës së ofertës por edhe gjatë lidhjes së kontratës me KESH në datë 04.04.2022.

Është fakt që Excelerate Energy Bangladesh LTD – Khulna Branch dhe Summit Group që ishte zotëruesi fundor i KPCL-1, operojnë nga një FSRU (LNG Termminal) në të njëjtën zonë dhe asetet gjeneruese termike me naftë të rëndë HFO, janë nxjerrë nga operimi duke u zëvendësuar nga ato me përdorim të gazit natyror.

Sipas KESH, kërkesa për këto asete të shtuara gjeneruese në sistemin Shqiptar erdhi si nevojë e shoqërisë KESH, për të përballuar (i) detyrimin për shërbim publik të vendosur nëpërmjet VKM nr. 757/2021 si dhe situatën e shkaktuar në kushtet e emergjencës në furnizimin me energji elektrike dhe tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *