Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit qeverisës të PD 2025-2029, u shpreh se, Shqipëria ka çmime stratosferike dhe kjo sjell dhe varfërinë.
Ai u shpreh se, pensionet në Shqipëri janë të barabarta me pagesën që një gjerman bën për qenin e tij.
“Mund t’u jap plot shifra të tjera. Po çfarë ndodhi?
Ndodhi që pensionistët, të cilët merrnin në vitin 2013 një pension mesatar 145 mijë lekë, sot marrin 160 mijë. Në atë kohë, ata merrnin më shumë se të gjitha vendet e rajonit.
Sot, pensioni në Mal të Zi është 450 euro.
Sot, në Maqedoni është 400 euro.
Në Serbi mbi 400 euro.
Në Bosnje-Hercegovinë, 300 e ca euro.
Në Kosovë, 190 euro.
Pra, në Shqipëri 160 euro.
Por, në qoftë se e krahasojmë dy periudhat, çmimet në Shqipëri në vitet 2005-2013, në raport me çmimet në BE, jo vetëm që nuk ndoqën trendin e tyre, por në raport me ato çmime, çmimet në Shqipëri ranë.
Kurse këto vite, çmimet e ushqimeve në raport me çmimet në BE, janë rritur me 30 përqind.
Pra, Shqipëria me çmime stratosferike dhe me pensione pothuajse të barabarta me pagesën që bën gjermani për qenin e shtëpisë. Gjermanët japin 130 euro për kafshën e shtëpisë, për qenin.
A ishte kjo mundësia? Kurrë nuk është kjo mundësia.
Po pse Mali i Zi të trefishojë pensionet? Çfarë ka? Rezerva, potenciale ekonomike shumë më të pakëta se Shqipëria.
Pse Maqedonia të trefishojë pensionet? Pse Serbia të trefishojë pensionet?
Ka vetëm një shkak, sepse bëhet një shpërndarje e buxhetit, e cila e konsideron qytetarin, e cila respekton dinjitetin e tij, e cila bën gjithçka t’ua lehtësojë jetën qytetarëve.
160 euro ka qenë paga minimale e rumunëve në vitin 2013, kur këtu ishte 180 euro. Sot paga minimale në Rumani është 830 lej, pra është afërsisht 800 euro.
Kurrë ndonjëherë nuk ka ekzistuar një grup njerëzish më amoralë në raport me qëndrimin ndaj qytetarit, se sa këta qeveritarë.
Si mundet? Si mundet ti të lësh qytetarët e tu në këtë mjerim ekonomik?
T’u lësh alternativë të vetme largimin nga Shqipëria.
Nuk po ndalem në fusha të tjera, se ato dihen.
Mos të raftë ndonjë sëmundje e rëndë, sepse të merr sëmundja nga mungesa e ilaçeve, jo se nuk mjekohet. Se ilaçe nuk ka.
Se ata që duhet të sigurojnë ilaçet, duhet të firmosin marrëveshje me X spital. Gënjeshtarë të shpifur.
Po ç’punë ka marrëveshja me ilaçet që i duhen Spitalit Onkologjik? Dihet që kushtojnë, por pa diskutim do i blesh ato”, u shpreh Berisha.