Në vendimin rreth 400 faqe të gjyqtarit Erjon Bani tregohen me fakte dhe prova të gjitha institucionet që kanë bekuar me fonde kompanitë e Ajola Xoxës. Një ndër këto institucione është edhe Ministria e Kulturës, që drejtohej nga Mirela Kumbaro.
Në dosje rezulton që fondet publike në favor të OJF-ve kontrollohen faktikisht nga shtetasja Ajola Xoxa, ato nuk janë shpërndarë vetëm nga Bashkia Tiranë, por edhe institucione të tjera publike.Kjo vlen për të kuptuar akoma më mirë mekanizmin e kalimit të të hollave nga Institucionet Publike tek OJF-të, prej tyre tek sh.p.k.-të dhe individët, të gjithë të kontrolluar, por edhe të lidhur ngushtë me shtetasen Ajola Xoxa dhe kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.Konkretisht, me vendimin date 23.12.2024 të prokurorit, “Për Këqyrje/marrjen e dokumenteve”, janë administruar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit akte të cilat lidhen me:
1) Projektin “International Contemporary Dance Festival Tirana 2022”, ku përfshihen kontrata të lidhura, transaksione, pagesa e fatura.
2) Projektin “International Contemporary Dance Festival Tirana 2023”, ku përfshihen kontrata të lidhura, transaksione, pagesa e fatura.
3) Kontrata të lidhura ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe shoqërisë “Rametal” sh.p.k., ku përfshihen transaksione, pagesa e fatura.

Nga këqyrja e dokumentacionit të administruar në fashikullin penal, ka rezultuar se me anë të procesverbalit nr. 6446/5 datë 11.02.2022, Drejtoria e Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Kulturës, ka dokumentuar shqyrtimin e projekteve të paraqitura.
Ndër to, në subjektin me numër 44 në renditje, konstatohet Subjekti “HARABEL – QENDRA E ARTIT BASHKËKOHOR”, për projektin “Digjitalizimi i artit bashkëkohor në Shqipëri”, në shumën 1,000,000 lekë.

Në vijim, më datë 14.06.2022, është nënshkruar Kontrata për Mbështetje Financiare me Fonde Publike, Nr. 3260 Prot, datë 14.06.2022, me palë Ministria e Kulturës, e përfaqësuar nga Arian AVRAZI, Drejtor i Drejtorisë së Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Kulturës, sipas Urdhrit të Ministrit të Kulturës nr. 93 prot., datë 21.02.2022, dhe Driant ZENELI, në cilësinë e përfaqësuesit të Qendres “HARABEL”.
Në këtë kontratë përcaktohet vlera e financimit në shumën 1.000.000 lekë, në të cilën është përfshirë TVSH, komisionet bankare dhe të gjitha detyrimet fiskale apo detyrime të tjera që njeh legjislacioni shqiptar. Të dhënat e llogarisë bankare të individit përfitues tregojnë që bëhet fjalë për “HARABEL”.
“Nga këqyrja ka rezultuar se për këtë rast është nënshkruar Urdhër-Shpenzimi Nr. 468 datë 17.06.2022 i Ministrisë së Kulturës me të dhëna: Kreditor Përfitues: Qendra Harabel. Objekti i shpenzimit: Projekti: Digjitalizimi i artit bashkëkohor në Shqipëri, 60% sipas kontratës. Shuma në lekë: 600.000. Bashkëlidhur Fatura elektronike nr.6/2022 date 15.06.2022, Me Shitës: Qendra Harabel dhe Blerës: Ministria e Kulturës. Vlera: 600.000,00 lekë. 76. Me datë 15.09.2022 Balkan Youth Link Albania (BYL-A) në bashkëpunim me D18 Paris i drejtohet Ministrisë së Kulturës për zhvillimin e festivalit të kërcimitKRE “International Contemporary Dance Festival in Tirana”. Me datë 31.10.2022, është nënshkruar Kontrata për Mbështetje Financiare me Fonde Publike, Nr.5801/6 Prot, datë 31.10.2022, me palë Ministria e Kulturës, e përfaqësuar nga Arian AVRAZI, Drejtor i Drejtorisë së Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Kulturës, dhe “Balkan Youth Link Albania” me Ina Goxhaj, përfaqësuese e Qendrës Drejtore Ekzekutive, në cilësinë e drejtuesit të projektit”, thuhet në dosjen hetimore.
Në këtë kontratë shpjegohet vlera e financimit në shumën 3.100.000 lekë, ku përfshihet TVSH, komisionet bankare dhe të gjitha detyrimet fiskale apo detyrime të tjera që njeh legjislacioni shqiptar. Pagesa do realizohet në 2 faza.
KOMUNIKIMET DHE DETAJET
Në faqen 1035 të komunikimeve rezulton se Adela njofton Ketrinën që leket e Ministrisë së Kulturës kanë kaluar te BYL-A dhe i thotë që të mbyllin pagesat të nesërmen.
Dorëzimi i lekëve tek shtetasja Ajola Xoxa nga OJF në fjalë provohen nga komunikimet e ndodhura në faqen 1050.

Shtetasja Adela Kondakçiu thotë: “Keti po për ato puantet nuk të ktheu me përgjigje ajo Alisa. Se une do t’ia dorëzoj cfare më ka mbetur Ajolës nesër”. Në fakt, përgjigjja e Alisës nuk pritet gjatë për pagesën e puanteve.
Në faqen 1063-1064, ndërsa Ketrina i thotë që po interesohet për puantet, Adela i përgjigjet se është vonë dhe shton: “Unë ja dorëzova Ajolës (lekët).” Në faqen 1065 Ketrina e pyet nëse mund t’ia merrte Xhoit (Skënderasi), por Adela i thotë se ajo nuk ka. Adela shton se duhet të flasë me Ajolën nëse është.
Nga këto komunikime rezulton e provuar se si fondet publike, të akorduara në këtë rast nga Ministria e Kulturës, fillimisht kalojnë në dy Organizata Jofitimprurëse nën kontrollin faktik të shtetases Ajola Xoxa.

Më pas, nga këto organizata fondet kalojnë te shtetasja Ajola Xoxa, “Arts Lab” sh.p.k. në pronësi ligjore të dajës së shtetases Ajola Xoxa (Erald Simixhiu), por në pronësi faktike të kësaj të fundit, tek shtetasi Valmir Xoxa, kushëri i afërt i shtetases Ajola Xoxa, dhe shtetasi Ergys Krisiko, njohje e afërt me shtetasen Ajola Xoxa. /CNA









