Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një konference për media, u shpreh për disa aspekte të procesit të primareve të zhvilluara. Ai ka pranuar se, pavarësisht përpjekjeve për të realizuar një proces sa më të drejtë dhe transparent, mungesa e dokumenteve ka ndikuar tek disa anëtarë të PD-së që nuk kanë mundur të votojnë.
“Me këtë rast, duke thënë të gjitha këto, përsëri proces të përsosur nuk ka dhe nuk mund të ketë. Por kërkoj ndjesë të gjithë atyre që u paraqitën për të votuar dhe nuk votuan dot për shkak të listës ose mungesës së dokumenteve. Ju kërkoj shumë ndjesë dhe mendoj se PD do bëjë gjithçka që kjo të mos ndodhë.
Megjithëse përcaktoi kriteret më të gjera, të gjitha listat nga viti 2019 e deri tani, të jenë me të drejtë votimi dhe çdo njeri që ka dokumentin dhe këto u respektuan, prapë se prapë mbetën demokratë pa votuar dhe kjo më lëndon dhe unë u kërkoj atyre të falur sot për këtë privim të padrejtë që iu është bërë nga shkaqe burokratike.
Së dyti, numërimi siç e keni parë ju vetë, është bërë me transparencë absolute ku çdo votë është shfaqur në ekran.
Cilido që ka dyshimin më të vogël, ka të drejtë të marrë regjistrimin, t’i drejtohet komisionit të administrimit të zgjedhjeve pranë PD dhe procedurat tona janë 100 përqind transparente”, tha Berisha.