Berisha: Diaspora mbështet PD, opozitën si forcën e vetme politike për shpëtimin e Shqipërisë

Gjatë fjalës së tij në takimin me strukturat e PD në Durrës, kryetari Sali Berisha është shprehur se, takimet me diasporën kanë treguar se ata mbështesin me forcë opozitën.

Berisha tha se, emigrantët shqiptarë e shohin Partinë Demokratike si forcën e vetme politike për shpëtimin e Shqipërisë.

“Kjo, përbën një avantazh të madh për PD. Ky entuziazëm dhe ky optimizëm ka ngrohur shumë zemrat e shqiptarëve. Tashmë, është bërë e qartë përfundimisht se shqiptarët jashtë vendit mbështesin PD, mbështesin opozitën si forcën dhe forcat e vetme politike për shpëtimin e Shqipërisë.

Por, nga ana tjetër, në qoftë se krahu tjetër këndon çdo ditë hymnin e hajdutit të Erion Veliajt, apo të këtij apo atij, për të cilën ju them një gjë, qytetarët e Tiranës meritojnë një mirënjohje të pakufishme, se 44 javë nuk iu ndanë, në parimin latin se: pika e shpon gurin, jo me forcë, por duke rënë pa pushim. Edhe ajo protestë e nxorri nga Bashkia një nga hajdutët, që përveç Edi Ramës dhe Lubi Ballukut nuk ka shok apo shoqe tjetër në Shqipëri.

Tani, ata janë kapur, sepse Erion Veliaj është i lidhur si mishi me thoin me Edi Ramën. Erion Veliaj është dëshmitari më i fuqishëm, më autentik i vjedhjeve gjigante të Edi Ramës. Dhe ju e patë gjer në rrethimin, ai është akt grusht shteti, një degë e pushtetit shkon e sulmon një degë tjetër e pushtetit, ai përbën grusht shteti.

Këtë e ka bërë vetëm Eskobari në vitin ‘82 apo ‘83 në Bogota, në Kolumbi, dhe nuk e ka bërë kush kurrë. Kështu sulmuan edhe hordhitë e Eskobarit të Tiranës gjykatat dhe prokurorinë.

Pastaj, përpëlitje të përditshme për të nxjerrë se ishin të lidhur me Sali Berishën, për faktin e  vetëm se ai kishte mbaruar studimet me vajzën time, Olsi Dado. Unë nuk e di, a i ka mbaruar me të, apo jo, nuk e kam pyetur gjer më sot. Ai ka vendime kundër meje në këtë periudhë. Por, problemi është që ata janë në një kaos, janë në një panik të tmerrshëm.

A mund të imagjinoni ju një kryeministër, thojuani këtyre socialistëve këtu. Si ka mundësi një kryeministër që ka qeverisur 12 vjet, dhe nuk është i zoti të mbrojë një vepër të tijën? Unë nuk them se janë zero. Nuk janë zero, se tuneli i Llogarasë është realitet. Se pllakat e shesheve janë realitet. Por problemi është se, kudo që t’i prekësh del një vjedhje. Se po të përmend tunelin e Llogarasë, del 50 milionë euro vjedhje. Dhe ky është realitet.

Se, po të përmend pllakat e shesheve të qyteteve kanë kushtuar të dashur miq më shumë se të gjitha rrugët, nga Hani i Hotit në Gjirokastër, nga Morina në Durrës, kanë kushtuar pllakat e shesheve të qyteteve rreth 2.3 miliardë euro. Pra, një vjedhje e 10-fishtë me çmimin. Ndaj dhe ai nuk ka se si  të flasë për sukseset, por flet për zhaba, për hardhucë, për zhapikë. Pra, e ka shndërruar veten në një banor të parkut zoologjik, që çdo mëngjes si zog qyqeje del dhe numëron marrëzira, tregon se është në panik, tregon se është i humbur”, u shpreh Berisha.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *