Buburrecit të kryeministrisë i ka ikur memoriaNga Genc Burimi

Buburrecit të kryeministrisë i ka ikur memoria
Nga Genc Burimi

Ndryshe nga Feniksi i Opozitës, më aktiv se kurrë me gazetarët, Buburreci i Kryeministrisë vazhdon t’u bëjë bisht mediave. Ky preferon të flasë në të shumtën e rasteve i strukur skutave të kryeministrisë, në të përditshmen e mërzitshme Sy me Sy me ekranin e kompjuterit. I ndodh këtij insekti të bëjë trimin dhe të dalë në publik, por vetëm i rrethuar nga të tijtë, në imazhin e një buburreci që gafurret para pleshtave. Dhe sigurisht nuk janë këta të fundit që do ta kundërshtojnë bajlozin e insekteve. Po të kishte dalë para gazetarëve dhe t’u nxirrte perlat që nxori nga goja sot, me siguri që kryeministri do ta kishte zbavitur shumë audiencën. Por dhe mediat s’do të kishin munguar së rifreskuari memorien shefit të PS-së.

“Nuk ka kapacitete të tjera përveç PS-së që mund të flasin me BE-në, NATO-n dhe botën. Nuk ka”, tha kryeministri i vendosur dhe krenar për PS-në se “pozicioni ynë i sigurt, stabël dhe i palëkundur nga kua kua kuatë që nuk mund të jehojnë jashtë perimetrit të kënetës, është themelor”. Por me sa duket kënetën me ujë të ndenjur e paska vetë në kokë dhe një rigjenerim i memories s’do të ishte luks. PS-ja fliska pra me BE-në, por PD–ja s’e paska një kapacitet të tillë nëse kjo rivjen nesër në pushtet, pretendon kryeministri. Por kush e firmosi Marrëveshjen e Stabilizimit midis Shqipërisë dhe BE-se si hallka e parë dhe vendimtare e procesit të gjatë dhe të pakthyeshëm të integrimit të Shqipërisë në BE? Ishte Partia Demokratike e Shqipërisë që e firmosi me 2009 duke hapur siparin e rrugës europiane të Shqipërisë. Pse ai, kryeministri i djeshëm Berisha, që hapi rrugën europiane të Shqipërisë, nuk do ta kishte më kapacitetin ta vazhdonte dhe ta mbyllte po me aq sukses sa ç’e filloi? Vetëm Edi Rama mund të ngrejë hipoteza kaq qesharake. Po ëndrrën e madhe të shqiptarëve për të udhëtuar pa viza në Europë, ëndërr që e vrau për më shumë se një gjysmë shekulli Partia e Punës, mëma e PS-së aktuale, kush e realizoi? Ishte sërish Partia Demokratike dhe ish-kryeministri Berisha që e negociuan dhe konkluduan me Komisionin Evropian heqjen e vizave më 2011. Dy vjet më vonë, më 2013, PD-ja kishte arritur bile dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për BE, por atë marrëveshje e bllokoi pikërisht ai Edi Rama, asaj kohe shef i opozitës socialiste, që vuri veton në Kuvend kundër tre ligjeve që e bënin të mundur marrjen e atij statusi të vendit kandidat. Kur bën këtë retrospektivë të shpejtë historike, si guxon Buburreci i Kryeministrisë të thashethemnojë PD-në duke e cilësuar si të paaftë për të negociuar me BE-në? Kur një ‘fake news’ i tillë vjen nga ai, i cili nuk ka deri me sot asnjë arritje historike me BE-në siç qe heqja e vizave nga PD-ja, heziton të qash apo të qeshësh.

Vijmë tek dosja e NATO-s, ku dhe aty, buburreci me një delir amnezie i mohon po ashtu PD-së kapacitetet të kooperoje me aleancën atlantike. Edhe bebja që lind në maternitet, një orë mbrapa e di që ishte PD-ja që arriti suksesin më të madh të gjithë historisë së shqiptarëve ndër shekuj duke e anëtarësuar Shqipërinë në NATO. Si mundet ta kalojë në heshtje një arritje të tille të PD-së Edi Rama. Ai ndodhet vërtet në një stad ku duhet të marrë takim për një konsulte… Dhe kur ëe konsultohet, le të ripërsërisë dhe këtë përsiatje të fundit që ia dëgjuam sot:

“Ne jemi garancia për në BE, të tjerët e kanë thënë se do kthejnë mbrapsht reformën, do neutralizojnë SPAK-un, do zhbëjnë Reformën në Drejtësi. Kjo mund të bëhet vetëm nga forca që hallet me drejtësinë i kanë të mëdha në lidhje me interesin publik. Këto forca janë të shpallura, i njeh gjithë Shqipëria dhe gjithë bota”.

Gjëja e dyte që mëson dhe foshnja një ore pasi lind në maternitet, është se “forca që hallet me drejtësinë i ka të mëdha në lidhje me interesin publik dhe që këtë e di gjithë Shqipëria dhe gjithë bota”, ka vetëm një emër: Partia Socialiste. Falë numrit të lartë në burg, në paraburgim apo nën hetim të ministrave, deputetëve, kryebashkiakëve dhe personeleve të tyre, foshnja mund të fillojë të mësojë të numërojë që në maternitet me gishtat e dorës, të paktën deri në dhjetë. Është PS-ja sot qe ka tagrin dhe reputacionin si partia me e korruptuar e Shqipërisë. Për të tjerat, zoti Rama meriton notën 4, sidomos kur citon qasjen që premton Berisha me SPAK, dhe ku aty kryeministri memorizon vetëm fjalën shkrirje, duke anashkaluar fjalinë e plotë se reforma e SPAK-ut do t’i lihet katërcipërisht në dorë Komisionit të Venecias.

Për të perifrazuar vetë Edi Ramën: të gënjesh është gabim, të insistosh në këto lloj mashtrimesh është krim.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *