Rama nxjerr deputetët në prapavijë/ Të gjithë në rresht para komandantit
Fjalimi nuk ngjante me atë të një lideri politik, por me një ushtarak që u flet ushtarëve në kazermë
Në fjalimin që Edi Rama mbajti në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ai nuk iu drejtua të tijve si një lider politik që u flet deputetëve, por si një oficer që u flet ushtarëve në kazermë.
Mesazhi kryesor në fjalën e tij përmblidhej në një urdhër: “Asnjë deputet në gjininë mashkullore që ka marrë qoftë edhe një mandat nuk do të jetë në listën e mbyllur.
Me pak fjalë, përveç drejtuesve të qarqeve, të gjithë deputetët aktualë meshkuj duhet të bëhen gati për një garë në listën e hapur, ku mandati i secilit është i rrezikuar dhe gjithsekush do të punojë, sipas një sistemi, ku fiton ai që merr më shumë vota.
Ndërkohë më të rinjtë, njerëz të patestuar më parë politikisht, vlerën e të cilëve Rama e sheh pikërisht tek mungesa e eksperiencës do të kenë një vend të sigurtë në listën e grupit të ardhshëm parlamentar.
“Do jenë pjesë e listave tona, të reja e të rinj, me energji dhe me kapacitete që përveç të resë, të kenë edhe forcën për të vënë në jetë gjërat që duan të bëjnë në jetë” u shpreh Rama që pas 18 vitesh në krye të PS-së ka arritur ta tredhë atë që dikur ishte një organizatë politike, ku kishte ide të ndryshme, diskutime, madje edhe njerëz që shfaqnin medime ndryshe nga kryetari.
Gjithsesi, strategjia e Ramës për të kaluar në prapavijë deputetët e vjetër dhe me eksperiencë ka disa efekte.
E para, vendimi i futjes në parlament të emrave të rinj, është në thelb një vendim me efekt të fortë propagandistik në lidhje me rinovimin e fasadës së Partisë Socialiste, nëpërmjet fytyrave të reja, të panjohura dhe të paprovuara politikisht. Shumë shpejt Rama do të dëgjohet teksa përsërit shprehjen se ndryshimi është në ADN-në e Partisë Socialiste por në të vërtetë, ADN-ja e saj është e njëjta: ndryshon maska, por jo pushteti real, ndryshon vitrina, por jo dyqani, ndryshojnë aktorët, por regjisori është po ai. Nuk ka rëndësi kush hyn e kush del, sepse në fund të ditës, asnjë prej njerëzve të rinj që do të zgjidhen deputetë në Partinë Socialiste nuk vjen aty si pasojë e ndonjë ideje origjinale, nuk vijnë se kanë një zë dinjitoz apo një kontribut në shoqëri. Në thelb, ata do të katapultohen deputetë jo për të menduar, por për të zbatuar.
E dyta, me këtë lëvizje Rama nxjerr deputetët e vjetër nga zona e tyre e komfortit dhe i detyron ata të luftojnë me të gjithë potencialin që kanë për ta mbajtur karrigen e zakonshme. Në njërën anë kjo, është mënyra më e mirë për ta maksimalizuar rezultatin, në anën tjetër është një taktikë perfekte për t’i demoralizuar, për t’i zhveshur nga aureola e senatorëve të përhershëm në PS dhe për t’i nxjerrë si ushtarë të zakonshëm në terren, ku ata do të shfrytëzojnë çdo gram të mbështetjes që kanë, vetëm e vetëm që të mos mbeten jashtë parlamentit. Dhe kur një ushtri është e rraskapitur, komandanti bëhet akoma më i fuqishëm. Ky është një truk i përdorur gjithnjë nga liderë me dorë të fortë të çdo epoke – mbajini njerëzit në tension, mbajini në panik të vazhdueshëm, bëjini të ndihen të pasigurt për vendin e tyre dhe ata do të bëhen skllevërit më besnikë.
E treta, mënyra se si Rama i trajton deputetët e tij – si të rinjtë, ashtu edhe të vjetrit – tregon se Partia Socialiste është shndërruar tashmë në një shkretëtirë politike, pa klane, pa struktura dhe pa institucione. Ka vetëm një lider dhe një tufë ushtarësh pa emër, pa mendim dhe pa identitet. Përzgjedhja e kandidatëve në listën për deputetë nuk është më një proces politik, që llogarit përfaqësimin e shtresave të ndryshme, por një listë shërbëtorësh të rreshtuar sipas vullnetit të vetëm një njeriu. Nuk ka rëndësi kush je, çfarë përfaqëson, cilën zonë mbulon – rëndësi ka që të mos kesh mendime të tuat dhe të pranosh në heshtje urdhrat që vijnë nga lart, sepse në këtë parti, mendon vetëm një njeri.
Kuptohet se ky model i udhëheqjes së Partisë Socialiste është reflektimi perfekt i shtetit shqiptar: pa institucione të pavarura, pa ndarje pushtetesh, pa qendra pushteti që veprojnë sipas interesit të qytetarëve.
Dhe nëse dikush ka ende iluzione për ndonjë garë të ndershme në 11 Maj, mjafton të kujtojë rregullin e artë të çdo regjimi: liria e vërtetë nuk ekziston, ekziston vetëm iluzioni i saj./Lapsi.al