Luftrat fitohen nuk dhurohen
Adriana Kalaja përmes një reagimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se do të garojë në listën e hapur të PD-së për Tiranën.
Kalaja shkruan se luftërat fitohen nuk dhurohen. Po ashtu ka përcjellë një mesazh për ata që janë tërhequr nga gara duke shprehur pakënaqësi duke u thënë “mjaft u viktimizuat e “qurravitët”, sidomos ju që në gjithë këto vite keni patur imunitet dhe pushtet”.
Nga Adriana KALAJA
Unë i përkas atij grupi njerëzish që çdo gjë e kam fituar vetë, me punë, sakrifica e shumë përkushtim
Askush nuk më ka dhuruar asgjë, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë politik.
Betejat i kam fituar duke qëndruar në rradhë të parë të tyre, e duke dhënë kontributin tim maksimal, pa marë parasysh asnjë rrezik, si për vete ashtu edhe për fëmijët e mi.
Në këtë kuptim, e mirëpres vendimin e Kryetarit Prof. Dr
Sali Berisha, në konsultim me Drejtuesin Politik të Tiranës Belind Këlliçi, Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PDSH-së, për të garuar në listë të hapur.
Pse jo?
Si mund të legjitimohesh të jesh përfaqësues i qytetarëve kur nuk ke votën e tyre?
Ndaj mjaft u viktimizuat e “qurravitët”, sidomos ju që në gjithë këto vite keni patur imunitet dhe pushtet.
Përsa kohë që në 35 vite çdo gjë e kam fituar me dinjitet e integritet e përsa kohë që në 35 vite nuk kam përfituar as 35 lekë para publike, dal ballëlart e krenare për ti kërkuar me përulje votën çdo demokrati e qytetari që besojnë se unë do ti përqafoj denjësisht, me fokusin primar:
Rikthimin e Shtetit Ligjor të së Drejtës.
Provojini ti fitoni vetë luftërat tuaja, se do ju shijojnë më shumë.
Unë e kam bërë e do vijoj ta bëj deri në fund.
Sot më shumë se kurrë jam e bindur se nuk ka asnjë vlerë 12 marsi, por 12 maji.
Është viti ynë.
Është rradha jonë.
Me besimin në Zot dhe me punë të përkushtuar, ja kam dalë gjithmonë.
Do ja dal edhe më 12 maj, në ditën e fitores, se fitoret nuk mi kanë dhuruar kurrë, por i kan fituar.