Listat e deputetëve të PS/ Mes përrallave të Ramës dhe realitetit të SPAK
Kush synon të ngjisë shkallët e karrierës politike në Partinë Socialiste apo të kapë një vend deputeti në radhët e pushtetit, më së pari duhet të fitojë simpatinë e kryesocialistit Edi Rama, që drejton me dorë të fortë këtë forcë politike që prej vitit 2006. Por ai nuk është i vetmi që mund t’ju ndihmojë.
Rrethanat në prapaskenë, aty ku hartohet lista e kandidatëve për deputetë në PS i ngjan një filmi me skenar të ndarë në dy botë paralele: njëra e shkruar nga Edi Rama, ku gjithçka është një proces i mirëorganizuar me punë studimore, dhe tjetra e shkruar nga SPAK, ku deputetët i përzgjedhin bandat dhe bosët e drogës.
Skenari i parë: “Përralla e Rilindjes”
Edi Rama duke folur në rubrikën “Sy m’sy”
Sipas versionit që përshkroi Edi Rama këtë të enjte në rubrikën “Sy m’sy”, përzgjedhja e kandidatëve të Partisë Socialiste është një proces i mirëmenduar, që fillon një vit para zgjedhjeve. Drejtuesit politikë të qarqeve, thotë Rama, bëjnë fillimisht një analizë të territorit, studiojnë komunitetet dhe përzgjedhin njerëzit më të përshtatshëm për të hyrë në politikë.
“Bëjnë të gjithë punën studimore dhe kur them studimore, studimore të territorit të potencialeve dhe bashkëpunojnë me komunitetet, me partinë, me aktorë dhe faktorë të shoqërisë për të kuptuar se cilët dhe cilat janë kandidatet dhe kandidatët më të përshtatshme” u shpreh Rama.
Dhe, për ta bërë më demokratik procesin, PS ofron madje edhe platformën “Deputeti që duam,” ku qytetarët aplikojnë për t’u bërë pjesë e listës dhe testohen për aftësitë e tyre për të komunikuar në rrjetet sociale.
Po “duhet edhe guxim”, kujtoi kryeministri në VIDEON KETU, se ka njerëz që nuk pranojnë të bëhen pjesë e politikës ngaqë “këtu Hoxha, Prifti janë me barrë çdo ditë” dhe media është një moçal ku të gjithë të sulmojnë. Prandaj, vetëm më guximtarët hyjnë në këtë betejë.
Nëse i dëgjon fjalët e Ramës, të krijohet ideja se kandidatët për deputetë kalojnë një provë meritokracie të pastër, në një lloj Harvardi politik ku fiton më i zoti. Vetëm se edhe propaganda ka nevojë të racionohet, se kur e kalon dozën bëhet fare e pabesueshme. Dhe për këtë vjen në ndihmë skenari i dytë.
Skenari i dytë: “Dosja e SPAK”
Jurgis Çyrbja, fjalim për Shqipëria 2030 në Durrës
Kur Rama flet për seleksionime “studimore” dhe “bashkëpunime me komunitetet”, në mendje të vjen “studimi” që ka bërë SPAK mbi përgjimet e aplikacionit të koduar SKY ECC, ku doli se përzgjedhja e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste nuk kishte lidhje me asnjë lloj meritokracie, por me bosët e krimit në Durrës.
Në një realitet paralel nga ai i Ramës, në fund të vitit 2020 dhe fillimin e vitit 2021, Jurgis Çyrbja nuk kishte besim shumë te analizat studimore, as nuk po e vriste mendjen si do dilte në Instagram. Ai kishte zgjedhur një rrugë tjetër, më efektive dhe ishte duke pritur një mesazh nga disa prej kriminelëve më të rrezikshëm të vendit.
Çyrbja, një ish drejtor I hipotekës së Durrësit, që mandatin e parë të deputetit e mori pasi firmosi për kalimin e një prone në emër të Emiljano Shullazit, po e negocionte mandatin e dytë në listën e PS me Altin Hajrin, një trafikant droge, i shpallur në kërkim si organizator i pengmarrjes së Jan Prengës në Shijak.
Sipas mesazheve në SKY ECC që prokurorët e SPAK i përfshinë në “rastin studimor” të Jurgis Çyrbjes, Altin Hajri i premtoi 3 mijë vota nga zona e tij dhe një vend të garantuar në listë.
“…3 mijë do ti jap unë, maje men. Thash Rromanat, Arapaj, Maskuri Zonat tona janë për “J” (Jurin) i thash. Po futem vet tha ma mirë hahaha Mond Ç (Mond Çekiçi). Gjithë grupet i thashë, po del mirë e burrë. Ne marim 4 mijë vota Bashkinë Shijak, gjithë bashkë. Po e burr Xhavzotën E kena blindu Gjepalen po Shijak…” ishte mesazhi i Altin Hajrit në SKY ECC.
Në bisedën e datës 7 mars 2021, sipas dosjes së SPAK, Altin Hajri njoftoi Jurgis Çyrbjen se kishte marrë garanci se ai dhe “liri” (flitet për Ilir Nraxhin, aktualisht deputet në Durrës) do jetë kandidati i vendosur në listën për deputet i katërti ose i pesti.
Hajri kishte siguruar të gjithë listën e kandidatëve të Durrësit në telefonin e tij para vetë deputetit. Madje Çyrbja e mësoi vendin e tij në listë, kur Altin Hajri ia nis me mesazh në SKY ECC.
Pak muaj më vonë, del edhe një garanci tjetër: Edmond Çekiçi, një tjetër emër i njohur në Durrës, që u vra në atentat pak muaj pas zgjedhjeve, gjithashtu i jep fjalën Çyrbjes për një vend të sigurt në vendin e 5 në listën e Durrësit.
Edmond Çekiçi: “Tashi sa e mbylla muhabetin tënd. Kam 3 orë me atë. Ia kërkova personalisht. E du unë ketë gjë i thashë. Përveç se e duan të gjithë. Do ja çoj ashtu, tha, ti i pesti, Liri i 7”.
Jurgis Çyrbja i kthen përgjigje: “Ma ngrite moralin. Se na kishte ik mendja”.
Pra, deputeti e mësoi nga një kriminel se ku do të renditet në listën e PS, përpara se këtë ta dinin strukturat studimore të partisë.
“Muhabetet kot” dhe realiteti
Si gjithmonë, Rama ka një narrativë të gatshme për të justifikuar gjithçka.
Përgjimet? “Muhabete kot.” tha ai në një intervistë në Opinion pak kohë pas arrestimit të Jurgis Çyrbjes.
Telefonatat me bosët e drogës? “Ka qindra mijëra mesazhe të tilla” – u shpreh duke larë duart me këtë histori.
Por ndërkohë, realiteti është se Çyrbja jo vetëm që u bë deputet, por më pas ndihmoi për fshehjen e Altin Hajrit, kur ky u shpall në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Dhe kjo nuk është më “muhabet kot,” por një çështje e vërtetuar nga Prokuroria e Posaçme.
Ashtu edhe dy skenaret paralele në fund bashkohen tek “Shqipëria e rilindur”, ku politika dhe krimi janë bërë një dhe për ta kuptuar këtë s’ka nevojë për studime, por për pak zgjuarsi nga ajo e Çyrbjes.
Mjafton t’i biesh ose telefonit të Edi Ramës ose telefonit të Altin Hajrit… kush të përgjigjet i pari./ Përgatiti D.K për Lapsi.al