Vasili: Shqipëria po kthehet në një shtet ku fjalën e lirë e dikton qeveria
Në protestën e opozitës, Laert Vasili, anëtar i FRPD, theksoi se pas viteve ’60, Shqipëria ka përjetuar një goditje të rëndë në lirinë e fjalës, në një periudhë kur qeveria tenton të kontrollojë kanalet e komunikimit. Vasili theksoi se liritë themelore të individit janë të pasigurta pa një ekonomi të qëndrueshme dhe pavarësi individuale.
Ai gjithashtu kritikoi qeverisjen e Rilindjes, duke e akuzuar për mbajtjen e shqiptarëve në varfëri dhe për përbuzjen e pensionistëve. Në fjalimin e tij, ai nënvizoi nevojën e konsultimeve të vërteta me qytetarët dhe risitë që mund të sjellin këto konsultime. Vasili përmendi gjithashtu rolin e Partisë Demokratike si mbrojtëse të fjalës së lirë dhe lirive themelore të individit.
Vasili: Liria e fjalës sot në Shqipëri mori goditjen më fatale sot që pas viteve ’60, në diktaturën më të egër komuniste të bllokut lindor, në 112 vjet shtet shqiptar ky është vetëm rasti i dytë kur qeveria dëshiron të diktojë kanalet e komunikimit dhe çfarë thuhet në to.
Liritë e vërteta të individit nuk mund të ekzistojnë realisht pa një ekonomi të qëndrueshme dhe pavarësi individuale.
Rilindja në 12 vjet keqqeverisje është kujdesur për t’i mbajtur shqiptarët në kufirin e varfërisë duke përbuzur pensionistët dhe duke debuar popullatën më vitale.
U deshën konsultime me 65 mijë prindër dhe mësues imagjinarë për të ndërhyrë drejtpërdrejt në liritë individuale të çdo kujt, tashmë Edi Rama premton se në mandatin e katërt, me anë të konsultimit me 100 mijë shoferë, do t’i shpalli rrugët si të rrezikshme dhe do të ndalojë qarkullimin në to.
PD që në lindje të saj e ka pozicionuar veten si mbrojtëse të fjalës së lirë dhe të lirive themelore të njeriut dhe të individit.
Problemi nuk qëndron tek TikToku, por tek paaftësia që ka qeveria nga njëra anë për të siguruar fjalën e lirë dhe nga ana tjetër për të vendosur filtrat e nevojshëm që mbrojnë fëmijët nga abuzimet.