Berisha takim në Shkodër: Zgjodha këtë qytet për të nisur betejën për shembjen e diktaturës së dytë

Berisha nis nga Shkodra betejën e fitores së 11 majit
Sali BERISHA

Demokrate e demokratë, të dashur kandidate e kandidatë për deputete e deputetë të ardhshëm, përfaqësues të qytetarëve dhe banorëve të këtij rrethi, një falënderim dhe mirënjohje të pakufishme për këtë mikpritje të zjarrtë.

Në Shkodër, në Rozafën e lirisë, njeriu ndjehet më i lirë se kudo tjetër në Shqipëri, se kudo tjetër në botë.

Të dashur miq, askush nuk mund të thotë, nuk mund të shkruajë më shumë për Shkodrën se sa ka thënë historia për këtë qytet.

Ajo histori që shkodranët e kanë shkruar vetë me guxim, me mendje të ndritur, me zemër, me dashuri, me djersë dhe gjak për qytetin e tyre të bekuar në ditët më të vështira të tij,

Shkodra ka qenë dhe mbetet në histori qyteti i pikënisjes së epokave për kombin shqiptar.

Këtu në Shkodër nisi epoka e demokracisë dhe shembja e diktaturës komuniste ndaj dhe unë zgjodha Shkodrën për të nisur betejën për shembjen e diktaturës së dytë dhe ndërtimin kësaj here të Shkodrës madhështore, të Shqipërisë madhështore.

Të dashur miq, ne jemi në prag të një fushate elektorale që do shënohet në historinë ndoshta fushata më e rëndësishme zgjedhore e 34 viteve të fundit.

Sepse në këtë fushatë ne nuk kemi kundër një parti politike, ne kemi kundër një organizatë të tmerrshme kriminale që ka pushtuar Shqipërinë në 12 vite dhe që duhet rilindje.

Ne kemi përballë narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, tashmë të faktuar me dokumente themelore ndërkombëtare.

Prandaj kjo fushatë është në fakt një fushatë çlirimtare për Shqipërinë dhe për Shkodrën.

Por mbi të gjitha, kjo fushatë është çlirimtare për Shkodrën, sepse po të shohësh sot këtë qytet të bekuar, ndjen dhimbje, keqardhje të thellë.

Edi Rama, që i premtoi Edenin Shkodrën, u solli Brajat, Bajrët dhe Brajoviçët.

Edi Rama i solli qytetit vrasje, shpërthime,atentate, masakra, djem të rinj që vriten, qytetarë ët pafajshëm që vdesin nga plumba qorrë.

Shkodra e bukur, Shkodra e kulturës, Shkodra e artit, Shkodra e përjetshëm u shndërrua këto kohë si një qytet sicilian i viteve ’50 sepse Edi Rama u ka dhënë fuqi absolute bandave të narkoshtetit si të vetmen mënyrë që të sundojë Shkodrën e lirë.

Qytetarë dhe qytetare, a nuk ishin autokolonat e blinduara të Bajrëve dhe Bajroviçëve ditën e zgjedhjeve që ushtruan terror mbi qytetin për të vendosur Benet Brajoviçin në bashkinë e Shkodrës?

A nuk ishte masakra e Dobraçit masakra më e egër ku qytetarë të pafajshëm humbën jetën pak muaj më parë?

Përgjakja e Shkodrës nuk është i vetmi krim që Edi Rama ka bërë ndaj qytetit.

Përgjakja e Shkodrës është vepër e shëmtuar e të gjithë sistemit që ai vendosi në Shqipëri.

Por do i them këtu dy fjalë këtij Benet Brajoviçit: Benet, e more me autoblindat e Brajoviçëve mandatin e Bardh Spahiut, por ja ku është sot, ballëlartë, krenar dhe me një dallim.

Qytetarë dhe qytetare të Shkodrës, dallimi i tij është ky: Benet, Bardh Spahia u qëndroi besnikë qytetarëve të Shkodrës, i qëndroi besnik sojit të tij, të atit të tij, kurse ti Benet turpërove të parë dhe të mbrapmë dhe të garantosh që nuk do gëzosh atë mandat.

Ndaj dhe sonte mendo mirë që nesër të japësh dorëheqjen.

Se unë, Sali Berisha, do t’i them Shkodrës të gjithë të vërtetat që ti ke në shpirtin tënd të zi. Ti je një Lal Vjedhës, kopja e tij.

Miqtë e mi, Edi Rama, Shkodrën, të cilën mendoi ta sundojë me Brajoviçët, e injoroi. 12 vite, Shkodra dhe të gjitha qarqet e veriut, kanë pasur investime as sa një qytet i mesëm në zonat e tjera.

Kurrë ndonjëherë nuk ka pasur një pushtues të diskriminojë Shkodrën dhe veriun siç e ka diskriminuar Edi Rama.

12 vite, familjet shkodrane janë varfëruar në ekstrem. Shkodra është qyteti më i madh, më i zbrazur i Shqipërisë.

As artin nuk e kurseu.

Jo më larg se dje larguan nga puna drejtorin artistik të orkestrës simfonike të Shkodrës vetëm për arsye politike.

Por ky sundim barbar së shpejti merr fund.

PD dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore zotohen para jush në mënyrë solemne, se për 55 ditë, këtij makthi të gjatë i vjen fundi.

Ndaj dhe unë jam këtu për të prezantuar kandidatët e fitores, kandidatët e interesave tuaja, kandidatët e qyteteve, fshatrave tuaj.

Për të prezantuar së bashku me ta projektin më madhështor për Shkodrën dhe Shqipërinë të 34 viteve të fundit.

Projektin më madhështor për Shqipërinë dhe Shkodrën të 340 viteve të fundit.

Projektin e ëndrrës shqiptare, e ëndrrës së të rinjve shqiptarë.

Këta janë kandidatët që nuk vijnë nga bodrumet e Dobraçit, por vijnë nga qytetet, fshatrat, vijnë nga sheshet, nga drita juaj, votëbesimi juaj.

Këta janë kandidatët e fitores.

Edi Rama, të garantoj se nga Dukagjini gjer në Velipojë, do marrësh atë që thua vetë, atë që meriton.

Të dashur miq, përballen në këtë fushatë dy morale, dy filozofi.

Përballen nga njëra anë morali i dhembshurisë njerëzore, i dashurisë së pakufishme për qytetarin, për Shkodrën, për Shqipërinë.

Përballet morali i mashtrimit, zinxhirit të pafundëm të mashtrimeve, plaçkitjes, vjedhjes, përzënies së shqiptarëve nga Shqipëria.

Por kësaj here, 11 maji është fundi i tyre.

Sot në postin e kryeministrit është një njeri që para shkodranëve, para shqiptarëve nuk thotë dot asnjë premtim, sepse ka mashtruar kaq shumë dhe nuk ka mbajtur asnjë premtim.

Por mos harroni një gjë, në klubin e të ligjve, më i ligu është gënjeshtari.

I tillë është kryeministri i Shqipërisë që tani nuk flet më për premtime se ka mashtruar për 12 vite.

Miqtë e mi, unë jam sot këtu për programin e Shqipërisë Madhështore.

Për shumë njerëz, madhështore mund të duket një ekzagjerim. Por unë u betohem ju që nuk është gjë tjetër veçse ëndrra e ditës e çdo shqiptari që e do Shqipërinë dhe është 100 përqind i realizueshëm.

Shqipëria Madhështore fillon me një Shkodër të jetueshme, ku qytetarët nuk numërojnë kafshatën, ku qytetarët nuk mbeten pa ilaçe, ku qytetarët nuk njohin më varfërinë ekstreme.

Me një Shkodër në të cilën pensionistët dhe rrogëtarët paguhen dhe do paguhen gjithnjë e më mirë.

Shqipëria Madhështore mund t’u duket ju çudi, por fillon me vendosjen e minimumit jetik për çdo shkodran dhe shqiptar.

Nuk do ketë më pensionistë me pension të pjesshëm apo të ulët, çdo pensionist do ketë minimumin 200 euro dhe mbi këtë do rritet pensioni 20 përqind.

Në këtë paketë të dhembshurisë, rrogat minimale bëhen 500 euro, rriten pra me 20 përqind dhe kjo brenda 100 ditëve të para.

Rrogat mesatare rriten me 1200 euro.

Në këtë paketë të dhembshurisë, të gjithë rrogëulëtit, të gjithë ata me minimum jetik do marrin kartën e konsumatorit. Do u kthehet e gjithë TVSH-ja. Nuk është pak, është 2-3 pensione dhe ky është një lehtësim tjetër.

Energjia elektrike do zbresë në 7 lekë.

Nafta do shitet me çmimin që shitet në Kosovë dhe asnjë qindarkë më shumë.

Me të drejtë mund të thonë njerëzit, po ku do i merrni këto para? Do ua kthejmë ju paratë. Nuk do bëjmë asgjë tjetër miqtë e mi, vetëm ua kthejmë qytetarëve.

Po a mund të thotë, a ka pashpirtësi më të madhe që të thotë një kryeministër, që nëse i rris pensionet, Shqipëria merr fund.

Çfarë është kjo psikologji tirani i pashpirt?

Unë u them ju, paratë do ua kthejmë ju sepse nuk do vidhen 130 milionë euro për inceneratorin që nuk ekziston.

Paratë do ua kthejmë shqiptarëve rroga dhe pensione se nuk do ndërtohen rrugë me çmime 10 herë më të shtrenjta se në Kroaci dhe Europë.

Paratë do ua kthejmë qytetarëve shqiptarë nga taksat e tyre, rroga dhe pensione, sepse kryeministri nuk do udhëtojë me avion taksi 21 milionë euro në dy vite.

Paratë do ua kthejmë ju se nuk do vidhen 50 milionë euro në një dorë në tunelin e Llogarasë.

Paratë do ua kthejmë ju se nuk do shtrohen dreka dhe darka në kryeministri me shishe vere 36 mijë euro.

Paratë do ua kthejmë ju se nuk do ndërtohet kopshti i Edenit 5 milionë euro në oborrin e kryeministrisë.

Me këtë paketën e dhembshurisë, ne do u kthejmë shqiptarëve paratë që u takojnë. Janë taksat e tyre, duhet të kenë pjesën e tyre dhe do i kenë ato.

Përsëri, kjo nuk është Shqipëria Madhështore.

Por pa këtë hap, nuk ka hap të dytë drejt saj.

E dyta është Made in Albania.

Made in Albania është prodhimi i Shqipërisë.

Krenaria jonë kombëtare do jetë prodhimi i Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe, Vaut të Dejës, Bushatit, prodhimi i mbarë Shqipërisë.

Po, po nuk ka njerëz më duarartë, nuk ka njerëz më mendjendritur se në këtë qytet.

Prodhimet e tij, në qoftë se nxiten, në qoftë se ndihmohen, janë të denja për çdo treg.

Unë garantoj biznesmenët shkodranë dhe mbarë shqiptarë, investitorët shkodranë dhe mbarë shqiptarë se taksat më të ulëta në Europë do vendosen vitin e parë të qeverisjes sonë.

Se energjinë do ta blini tre herë më lirë.

Se energjinë do ta blini me çmimin më të ulët në Europë.

Jemi në vitin e diasporës, e meriton diaspora.

Nuk e kemi një fjalë elektorale këtë, jo, e kemi një fjalë të vërtetë, e kemi një fjalë zemre dhe unë u garantoj se do bëjmë gjithçka që ata mijëra shkodranë që kanë ndërtuar suksesin e tyre në Itali, Greqi, Amerikë dhe kudo të rikthehen të ndërtojnë ëndrrën shkodrane, ëndrrën më të bukur të jetës së tyre.

Pesë vite, asnjë taksë.

Lehtësira të tjera për rikthimin e tyre.

Made in Albania është krenaria jonë.

Shqipëria, Shkodra në çdo skaj prodhon dhe do prodhojë.

Imagjinoni për një moment fuqinë bujqësore të Nënshkodrës, Bushatit, Vaut të Dejës, Malësisë së Madhe, Pukës, etj.

I garantoj fermerët se do kenë subvencione për çdo njësi prodhimi, për çdo fidan, për çdo kokë bagëti.

I garantoj se projektet e mëparshme të arrorëve dhe ullinjve do vazhdojnë të mbështeten me fuqinë më të madhe.

Miqtë e mi, Shqipëria pa prodhim shkon drejt një shkretëtire. Prodhimi po bie çdo vit. Narkoeuro po shkatërron eksportet. Është bërë një para toksike.

Çdo muaj bien eksportet. Bien eksportet, bie prodhimi, bie punësimi.

Do marrim çdo masë gjersa t’ua presim rrënjët me gërshërët e ligjit trafikantëve që të mos guxojnë të fusin një euro në Shqipëri nga paratë e krimit.

Ne do bëjmë gjithçka që t’ua kompensojmë prodhuesve, eksportuesve dëmin që u krijon kursi i këmbimit.

Do mbrojmë prodhimin vendas.

Made in Albania do e ngrejë Shqipërinë, do e bëjë atë të vrapojë, do i bëjë të mëkëmbur qytetarët e saj.

Shqipëria Madhështore nuk bëhet pa ardhur edhe Zoti në shtëpinë tonë.

Dhe Zoti vjen vetëm kur të pastrojmë shtëpinë ne.

Ndaj dhe pastrimi i shtëpisë sonë, pastrimi i Shkodrës, pastrimi i Shqipërisë është zotimi ynë solemn për Shqipërinë Madhështore.

Shqipëria do jetë vendi i qytetarëve të lirë, burrave dhe grave që jetojnë me dinjitet, djersën dhe mundin e tyre dhe që nuk mundet kush t’i trysnojë, nuk mundet kush t’i plaçkisë.

Ndaj dhe jam këtu para jush për t’u zotuar: zero tolerancë ndaj krimit, kriminelëve, bashkëpunëtorëve.

Ua them këtu, po jo vetëm atyre që fshihen në bodrume, por edhe atyre që i mbrojnë dhe bashkëpunojnë me ta.

Më thoni pak, kush del burrë më i mirë, Behar Bajri që rri nëpër bodrume apo Benet Beci që del i kollarisur që ka mandatin që e ka marrë prej tij?

Jo, jo, do pastrohet. Do priten me gërshërët e ligjit lidhjet me krimin.

Politikë dhe krim nuk do ketë më në Shqipëri.

Ndaj dhe ky është zotimi ynë për Shqipërinë e ligjit.

Dhe u them këtu, dridhuni aty ku jeni se dita e ligjit po vjen dhe ligji do bjerë mbi ju, cilido qofshi.

Shqipëria Madhështore është Shqipëria e hightech-ut, e inteligjencës artificiale, e dataqendrave, e kriptomonedhave. Faktikisht është Shqipëria e një gjenerate që ëndërron vendin e tyre të tillë.

Por një gjë u them, në rast se në vitin 2005 kur erdhëm në pushtet dhe deklaruam se Shqipërinë do e sjellim në moshën dixhitale, qeshën me të madhe, opozita, por edhe mediat.

Mirëpo ne në atë kohë Shqipëria kishte një internet 4.9 përqind penetrimin dhe shumica e analizave ndërkombëtare nuk e llogarisnin fare, ne arritëm në 63 përqind.

Ju jap fjalën se Shqipëria do jetë një epiqendër e rëndësishme e teknologjisë së lartë.

Kanë filluar kontaktet me kompani të mëdha, të cilat do vijnë në Shqipëri dhe me të rinjtë shqiptarë do e bëjnë Shiqpërinë epiqendër të teknologjisë së lartë në rajon dhe botë.

Miq, Shqipëria do bëhet superfuqi energjetike në rajon.

Në rast se në vitin 2007, e shpallëm superfuqi e vogël energjetike, tani themi jo, superfuqi energjetike në rajon.

Shqipëria do shumëfishojë prodhimin e energjisë nga dielli, era, uji dhe gazi.

Nga Vermoshi në Konispol, çdo qytetar që dëshiron, do t’i vendosen panelet fotovoltaike dhe për tre vite do paguajë qiranë, pas tre vitesh do i gëzojë për gjithë jetën.

Miqtë e mi, këto janë vetëm disa nga projektet reale.

Por jam këtu për t’u zotuar para jush se autostrada e parë që do inaugurohet nga qeveria e ardhshme do jetë autostrada Shkodër-Milot-Tiranë.

Dy do jenë veprat e para të mëdha publike, autostrada Shkodër-Milot-Tiranë dhe bajpasi i Elbasanit.

Shiko se çfarë bëjnë?

Shkojnë dhe ndërtojnë tunelin e Llogarasë në të cilin 9 muaj rresht kalojnë vetëm lepuj dhe zogj, 200 milionë euro. Nuk ndërtojnë autostradën Shkodër-Milot që ka trafikun më të madh pas Rrugës së Kombit.

Shkojnë dhe ndërtojnë autostradën Elbasan-Librazhd dhe nuk ndërtojnë bajpasin që bllokun trafikun. Marrin fund këto.

Shkodra do ketë investimet që meriton.

Do ketë investimet që meriton në rrugën Shkodër-Muriqan. Atë urë që premtoi Nastradini, Velipojë-Pulaj, PD e bën realitet.

Investime të mëdha do bëhen në sistemime, kanalizime, ujësjellësa në të gjithë qarkun e Shkodrës.

Ne kemi një projekt transformues, ndaj dhe ftoj qytetarët e Shkodrës në këtë betejë të votojnë PD-në dhe koalicionin për Shqipërinë Madhështore.

Asnjë votë Tom Doshit.

Tomë, ja ku po ta them para këtyre burrave dhe grave, në qoftë se ka një njeri në Shqipëri që ka punë me Zotin, je ti dhe Vilma Nushi.

Ju jeni të dy në origjinën e të gjitha dhimbjeve, e të gjithë sëmundjeve që nuk mjekohen nga ilaçet e skaduara që shiten në treg.

Ju jeni mamuthët e tregut.

Dhe aq më keq, të them mos shtro iftar me paratë e vjedhura. Askërkund!

3500 tendera fiton në vit ai. E kuptoni ju vetë. Bashkë me Vilma Nushin i fshinë ilaçet, nuk ka më në Shqipëri vetëm ilaçet e tyre, ilaçet e tyre janë si ato.

Ndaj dhe hiq dorë nga kjo fushatë. Njeriu që shkon e blen partinë e tjetrit.

Kjo është e vërtetë.

Tani dy fjalë për ata ish-pro amerikanët e mi. Ramiz, Fatmir, etj, hiqni tani, e morët vesh se ku shkoi Donaldi, po po shkon edhe Kimi, mos vazhdoni gënjeshtrën e Lulzim Bashës se nuk ka gjë më turp që t’u gënjejë Lul Basha nga mëngjesi gjer në darkë.

Se po të uleni dhe të mendoni gënjeshtrat, ju nuk jeni të zotë t’i numëroni.

Kthehuni, mos vazhdoni betejën për Edi Ramën.

Çdo votë për ta, është votë për Edi Ramën.

Çdo votë për këto partitë kundër opozitës është votë për Edi Ramën.

Ndaj dhe shkodrane e shkodranë, njerëz të mençur, bura dhe gra asnjë votë për ta, votoni Aleancën për Shqipërinë Madhështore, votoni për PD-në.

PD ka një rikthim madhështor.

PD u dëshmua forca e idealeve tuaja, forca e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Rrofshi, rroftë Shkodra, rroftë Shqipëria.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *