Rinia shqiptare, si pushteti e ktheu nga zëri i ndryshimit, te heshtja e nënshtrimit
Një herë e një kohë të ishe i ri, pushteti të kishte zili moshën dhe të kishte frikë guximin…Në 35 vitet e fundit ne kemi patur vetëm 3 protesta studentore, më e madhja ajo e vitit 1990 kundër komunizmit, ajo e vitit 2018 kundër tarifave të larta dhe për kushte më të mira, dhe ajo e vitit 2023 e studentëve të mjekësisë kundër vendimit që i detyronte që pas shkollës, të punonin aty ku donte partia shtet dhe jo ku donin studentët!
Listat e mbyllura treguan që në Shqipëri, rinia nuk duhet më si rryma më e fuqishme që leviz Kombin për ndryshim, por si plaçkë për pazar. Listat e mbyllura nuk i lënë të rinjtë t’i pohojnë këto vlera, por i nxjerr në shitje.
Fatkesisht këto 35 vite pamë se si të rinjtë shqiptarë nga rrëzues të diktaturës më të egër në Europë, u shndërruan, një pjesë e bollshme e asaj që ka mbetur, në garues se kujt i dilte më shumë damari kur ulërisnin për petalet e partisë, të së njëjtës parti të diktaturës por që ka ndryshuar emrin. Dhe kjo pjesë fatkeqësisht e bollshme e rinisë që ka mbetur, nuk e ngre më zërin për të mirën e atdheut, jo. Atdheu për ta fillon tek lideri i partisë dhe mbaron tek hija e tij. Shqipëria është vazoja, dhe rinia, në vënd që të ishin bletët, falë partisë, mbetën larva, me të vetmën shpresë, jo që të bëhen bletë, largqoftë, por që të futen në lista.
Ndërsa shohim në shtetet rreth e përqark nesh se si të rinjtë trondisin themelet e qeverive autokratike me protesta këmbëngulëse dhe frymëzuese; madje edhe atje rrezikojnë t’ua heqin nga puna prindërit, vëllain, motrën, nusen etj, por ka një ndryshim me këtu, ata nuk dorëzohen sepse e mira e të gjithëve s’mund të vlejë më pak sesa e mira e disa kokrrave… Ndërsa modeli shqiptar i rinisë bazohet në tjetër “stil”, ky stil s’ka as aktivizëm, as protesta, as ankesa se kështu edhe halla, tezja, burri, gruaja nuk na ikën nga puna… Stili shqiptar i pjesës së bollshme të rinisë nuk do as drejtësi, as të ardhme më të mirë, as ujë, as drita – jo drita do, se do karikojnë celularin për ti bërë share postimeve të propagandës – ata duan vetëm 3 gjëra të voçkla: kafene, internet dhe të luten natë për natë që të marrim pjesë kokëulur tek podcasti i shefit, me shpresën që shefi do të të përkëdhelë e t’u japë diçka që s’u takon dhe që nuk është as e atij.
Rinia shqiptare e sheh politikën vetëm si rrugë drejt pasurimit të shpejtë vetjak e familjar, drejt postit e rehatshëm, dhe rrogës së përmuajshme. Qoftë dhe me koston për të qenë qilimi ku fshin këmbët shefi.
Po flitet shumë për “neomalësoren”, e cila para 6 vjetësh, kur nuk ishte aq e pjekur sa ç’është sot, merrte pjesë si protagoniste në protestën studentore të 2018-s. Sot që i je bashkuar Partisë pushtet, i ke harruar valle idealet e sheshit? E ke menduar se si do i bësh mirë fermerëve e bujqësisë duke u bërë pjesë e të njëjtës qeveri që po i falimenton fermerët dhe bujqësinë?! E ke menduar ndonjeherë që kur je duke dështuar nuk ekziston fare për qeverinë por vetëm për tatimet; por kur pas shumë sakrificash personale e familjare je duke shkëlqyer, qeveria vjen me vrap për tu vetëngjyer me mundin dhe shkëlqimin e suksesit tënd!? E ke menduar se si do e bësh edhe më të dukshëm e të famshëm agroturizmin tënd e të tjerë të ngjashëm me të njëjtën qeveri që mbylli tik-tokun, i cili me gjithë të metat që mund të rregulloheshin, bëri Shqipërinë të stërfamshme në botë?! Mendon se do e ndihmosh Veriun me të njëjtën qeveri që për të udhëtuar në veri të Shqipërisë të detyron të paguash ndërkohë që për të shkuar në jug të saj është falas!? Mendon se mund të ndërtohet një vënd me të njëjtat mjete që po shkatërrohet?
Ndoshta s’e ke menduar…ose ndoshta e ke mirëmenduar dhe ne grijmë sallatë kot.
Sot, të jesh i ri, pushteti nuk të ka me zili moshën, sepse pushteti ju ka plakur mëndjen pa u plakur ende trupi, ndërsa për guximin, pushteti ua ka frikë vetëm atyre të paktëve që e kanë ende!