Në Malin e Zi kanë nisur protestat kundër skemave të investitorit arab Muhamet Alabar, të njëjtit që në Shqipëri iu përulën si një gjeni i zhvillimit turistik, i falën tokë në bregdetin e Durrësit duke shkatërruar portin kryesor të vendit dhe në fund i detyruan qytetarët shqiptarë të paguajnë për ndërtimin e portit të ri.
Por, ajo që në Shqipëri nisi dhe mbaroi si një histori kapitullimi e ndërgjegjes qytetare, në Ulqin po merr format e një rezistence të banorëve të zonës, që nuk pranojnë t’i lëshojnë aq kollaj territoret e tyre.
Radio Evropa e Lirë raportoi se qytetarët e Ulqinit u organizuan në protestë kundër administrimit të Plazhit të Madh nga kompania arabe Eagle Hills, e drejtuar nga Muhamet Alabar.
Nuk ka ende një vendim që investitori arab të marrë Plazhin e Madh të qytetit pwr ta shndwrruar nw zonw ekskluzive pwr mw tw pasurit si nw Shqipwri, por ai tashmë ka futur njërën këmbë në treg, duke paguar ofertën më të lartë për administrimin e plazhit.
Vetëm kaq. Nuk bëhet fjalë as për skemën që përdori nw bashkwpunim me kryeministrin Edi Rama, kur gllabëroi pa paguar asnjë lek 818 mijë metra katrorë truall buzë detit dhe pastaj mori lejet e ndërtimit për dhjetëra pallate pa garë dhe pa paguar asnjë taksë.
Në Ulqin, banorët, autoritetet vendore dhe bizneset lokale dolën në protestë me mesazhin: “Ulqini nuk është në shitje”.
Plazhi i Madh ka 13 kilometra vijë bregdetare dhe konsiderohet si zona më e virgjër dhe me rërë të veçantë në Malin e Zi. Kompania Eagle Hills fitoi të drejtën e shfrytëzimit të 9 plazheve, por pas protestave dhe presionit lokal, kryeministri Millojko Spajiç njoftoi se kompania ishte e gatshme të tërhiqej.
“Personalisht më ka thënë se për të gjitha plazhet ku kanë konkurruar ulqinakët, është i gatshëm të heqë dorë ose t’i japë me nënqira”, tha Spajiç më 20 mars.
Kuptohet se administrimi i plazheve është vetëm hapi i parë i investitorit arab Mohamet Alabar në tregun e Malit të Zi. Ashtu si në Shqipëri, oreksi është shumë më i madh.
Kryeministri Spajiç ka zbuluar se qëllimi i vërtetë i kompanisë arabe është një investim 30 miliardë euro në një mega-projekt në Ulqin, që do të përfshinte ndërtimin e një aeroporti të madh, spitalit më modern në Ballkan, një marinë dhe rinovimin e qytetit të vjetër të Ulqinit.
Muajin e kaluar, Spajiç qëndroi në një vizitë zyrtare në Dubai ku nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Emirateve, i cili parashikon shkëmbimin e përvojave për modernizimin e administratës dhe bashkëpunim ekonomik.
Skema e investimit shkon paralel më atë të Shqipërisë, ku para se arabët të investonin në Durrës, pati disa vizita të kryeministrit Edi Rama në Abu Dabi. Fill pas kësaj, nëpërmjet procedurash privilegjuese erdhi projekti “Durrës Marina” që sjell kulla, hotele dhe rezidenca ekskluzive në Durrës, ndërsa porti aktual i mallrave do të zhvendoset në Porto Romano, me kosto të llogaritura deri në 390 milionë euro, sipas vlerësimeve të Qeverisë. Paratë nuk do të paguhen nga investitori, por nga buxheti i shtetit shqiptar.
Protestuesit ulqinakë theksuan se nuk janë kundër zhvillimit, por kundër arrogancës.
“Plazhi i Madh është krenaria dhe trashëgimia jonë,” tha Dijana Pellinkoviç, presidente e shoqatës “Ada Bojana” për Radion Evropa e Lirë. “Komuniteti jonë duhet të marrë pjesë në vendimmarrje. Po ngremë zërën kundër centralizmit”, shtoi Albert Kastrati, përfaqësues i qiramarrësve.
Në Kroaci, arabi Muhamet Alabar ka një eksperiencë tjetër. Kur Eagle Hills tentoi të fuste hundët me të njëjtat metoda në një projekt 500 milion dollarë në Zagreb, qytetarët dolën në rrugë dhe protestuan kundër kryebashkiakut të atëhershëm, që kishte rënë dakort me Alabarin. Projekti u bllokua, ndërsa ish-kryebashkiaku u dëbua nga Zagrebi.
Në Shqipëri, ndodhi e kundërta. Ndonjë protestë spontane e organizuar nga opozita nuk pati asnjë impakt. Qytetarët që ngritën zërin ishin të paktë. Vendimet u morën pa referendum, pa debat, pa dhënë llogari dhe pa presion nga media. Përkundrazi media u keqpërdor në disa raste për të promovuar investimin, që po kryhej abuzivisht duke dhuruar tokë publike.
Mbetet për t’u parë nëse Ulqini do t’ia dalë të ruajë Plazhin e Madh nga një investim gjigand që përjashton qytetarët e zakonshëm dhe e shndërron atë në një zonë ekskluzive për më të pasurit. Përballë është një kompani me miliarda euro asete.
Historia e investimit në Durrës tregon se kur nuk ka ndërgjegjësim qytetar, mjafton një firmë për të shitur gjithçka. Dhe kjo nuk është thjesht një çështje korrupsioni, por ajo që ndodh nga mungesa totale e rezistencës qytetare, brenda një laboratori perfekt të kapjes së shoqërisë nga një grusht njerëzish në qeveri, në media dhe në biznes./Lapsi.al