‘Elon Musk-un shqiptar mund ta gjejmë edhe në diasporë”, Berisha paralajmëron: Pas 11 majit shpallim non grata Sorosin
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se pastrimi i institucioneve dhe lufta ndaj keqqeverisjes janë thelbësore për zhvillimin e Shqipërisë dhe ecjen e saj drejt madhështisë
Gjatë një takimi me shqiptarët në zonën e Napolit në Itali, Berisha ka theksuar se një nga hapat e parë që do të ndërmerren nga qeverisja e ardhshme është shpallja e George Soros non grata.
Berisha: Imagjinoni për një moment qindra mijëra nga Italia, Greqia, Gjermania, Franca, SHBA, të vendosin që ato kursime që kanë, që ato mësime që kanë marrë me ortakët e tyre italianë, grekë, gjermanë, francezë, anglezë apo amerikanë, të vijnë dhe t’i investojnë në Shqipëri.
Të vijnë dhe të prodhojnë në Shqipëri.
A nuk do lartësohej Shqipëria si me Levën e Arkimedit?
Në këtë drejtim ju keni një rol vendimtar për ndërtimin e Shqipërisë Madhështore.
5 vite pa asnjë taksë për secilin prej jush që do kthehet të investojë në Shqipëri.
Jo vetëm kaq, klima më miqësore në Europë për biznesin.
Pak vite më parë, miku i madh i kombit shqiptar, italiani dhe evropiani i madh, Silvio Berlusconi do citonte në një konventë të Forza Italia, sistemin fiskal të Shqipërisë si model.
Unë e garantoj mikun tim atje ku është, garantoj ju, garantoj çdo biznesmen italian dhe të çdo vendi tjetër, se Shqipëria do ketë klimën më tërheqëse të biznesit.
Se taksa 10 përqind, që është taksa e lashtësisë, është taksa e drejtësisë, do jetë taksa kryesore në Shqipëri.
Se energjia do jetë më lirë se në çdo vend tjetër të Europës.
Se burokracia do jetë më e pakët se kudo tjetër.
Shqipëria do jetë vendi më tërheqës investimeve tuaja, i investimeve të huaja, i investimeve të shqiptarëve.
Made in Albania do jetë krenaria jonë.
Do bëjmë gjithçka që prodhimet tona të mbushin tregjet e vendit dhe të kalojnë në tregjet e mëdha.
Zoti e ka bërë atë tokë me prodhimet më të mira që mund të bëhen dhe ne do i ekspozojmë ato.
Miqtë e mi, Shqipëria Madhështore nuk mund të jetë pa pastruar shtëpinë tonë.
Pastrimi i shtëpisë është një kusht që Shqipëria të rritet, të ecë drejt madhështisë.
Ju garantoj se pas ligjeve për minimumin jetik dhe pagën 500 euro, pas vendimeve për kthimin e parave të shqiptarëve, ligji i dytë është shpallja e Xhorxh Sorosit non-grata, mbyllja e fondacionit Soros.
Kjo farë e keqe duhet të shkulet nga Shqipëria se e shndërroi Shqipërinë në republikën e tij.
Garantoj shoqërinë civile se shteti do mbështesë fuqishëm OJQ-të që nuk do marrin më instruksione perverse të Sorosit dhe sorosianëve por do mëkojnë parimet më të mira, virtytet më të mira të shqiptarëve.
Të pastrosh shtëpinë do të thotë të bësh një audit të përgjithshëm, një lloj Elon Muski shqiptar do gjendet.
Do jetë nga diaspora, do jetë nga Shqipëria, do jetë nga miqtë tanë, pa audit të përgjithshëm nuk shkohet përpara.
Pa gjetur qindra e qindra milionë të vjedhura shqiptarëve, Shqipëria nuk ndërtohet dot mbi mëkatin.
Shqipëria do ndërtohet jo mbi vesin, do ndërtohet mbi virtytin dhe unë u garantoj se do e realizojmë atë.
Të dashur miq, Shqipëria Madhështore do të jetë Shqipëria që ka kapur trenin e revolucionit teknologjik.
Shoqëria ka pasur revolucione industriale, teknologjike periodikisht.
Vendet që kanë humbur trenin, kanë mbetur shumë mbrapa.
Kësaj herë, Shqipëria nuk do e humbasë më trenin.
Shqipëria do jetë epiqendër e teknologjive më të larta.
Shqipëria do jetë një superfuqi energjetike në rajon.
Nuk ka vend më të pasur në 28 mijë kilometra katrorë në ujë, në erë, në diell, në gaz.
Ndaj dhe zotimi ynë është shumëfishimi i prodhimit të energjisë nga dielli, dhuratë e Zotit.
Nga jugu në veri, shqiptarët do vendosin panelet fotovoltaike dhe ata do marrin energji falas nga ato panele.
Këtu nga jugu i Italisë është një kompani që studioi Pukën dhe gjeti një kapacitet eolik, ere, prej 3200 megavatë vetëm rrethi i Pukës.
Prapë do ta ftoj, prapë do vijë, prapë do vazhdojmë betejën tonë.
Shqipëria ka njërin prej gazsjellësve më të mëdhenj në Europë, kështu që nga ky prodhim energjie do fitojë në radhë të parë qytetarët shqiptarë.
Biznesi shqiptar do e marrë energjinë me çmimin më të lirë në Europë, 6 lekë kilovati.
Qytetarët do paguajnë 7 lekë kilovati.
Kurse ata me panele fotovoltaike do paguajnë vetëm tre vite, pasi do e marrin falas.
Pra, a nuk shkon Shqipëria drejt një madhështie që nuk e kemi përfytyruar? A nuk janë këto reale? Që të gjitha.
Këto premtime kërkojnë vetëm një gjë, kërkojnë që të ndajmë epokat, të ndajmë historinë: me 11 maj të arkivojmë narkodiktaturën e Edi Ramës.
Ndaj dhe në këto 50 ditë, beteja nuk zhvillohet vetëm në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, beteja zhvillohet në qytetet dhe fshatrat kudo që ndodhen shqiptarët, në Napoli, Itali, në botë, kudo.
Dhe kjo betejë është vendimtare për fatin e kombit, për fatin e Shqipërisë.
Kjo betejë ndan ditën me natën.
Do hyjnë shqiptarët në epokën e Shqipërisë Madhëhstore apo do vazhdojnë në natën e zezë të diktaturës së drogës, krimit dhe vjedhjes së tyre.
Unë kam besim se ju të gjithë, shqiptarët në Itali dhe kudo që ndodhen, nën moton ‘prite, prite diasporën’, do rikthehen në Shqipëri për të shpëtuar Shqipërinë, për ët firmosur fitoren e opozitës, fitoren e Shqipërisë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!