A po ndjen Rama fluskë në ndërtim?/ Kryeministri u bën thirrje qytetarëve të blejnë prona se do të fitojnë nga anëtarësimi në BE
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të blejnë prona të patundshme, që të fitojnë para, pasi sipas tij me anëtarësimin e vendit në BE çmimi i tyre do të dyfishohet menjëherë.
“Në momentin që do hyjmë në BE, të gjitha pronat do të pësojnë rritje çmimi dyfish menjëherë siç ka treguar historia e të gjitha vendeve që kanë hyrë. Kur Kroacia hyri në BE, një muaj pasi gjithçka kërceu dyfish se prona e patundshme bëhet objekt interesi. Nuk është më interes thjesht i popullatës që banon këtu. Njësoj si një qytet i ri t’i shtohet Shqipërisë dhe të ketë potencialet që ka Shqipëria. Përfytyroni se çfarë interesi do të kishte që edhe pse dyfishohen janë më lirë sesa vendet e zhvilluara të BE. Kështu që çfarëdo investimi të bëni sot, pas disa vitesh do t’u kthehet në mirësi”.
Vitin e kaluar Shqipëria u përball me një rënie të ndjeshme të shitjeve të pronave. Të dhënat zyrtare flasin se në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës u regjistruan 31 mijë shitje pronash, nga 35 mijë që ishte ky numër në 2023. E thënë ndryshe, janë mbi 4500 prona më pak të rishitura në tregun e real- estate.
Ndërkohë rënia ishte edhe më e madhe në pjesën e rishitjes. Kontratat e shit-blerjes, pra pjesa e apartamenteve të cilat kanë kaluar hallkën e parë të shitjes nga ndërtuesi tek klientët, pësoi një rënie prej 12.58%. Një pjesë e këtij efekti ishte rezultat i lojës së qeverisë më rivlerësimin.
Por thirrjet publike të kryeministrit për blerje pronash ngjasojnë paksa të çuditshme, pasi deri me tani asnjë kryeministër shqiptar nuk u ka treguar qytetarëve se si t’i investojnë paratë e tyre.