Berisha: Akti ynë i parë do jetë dyfishimi i buxhetit në Shëndetësi! Do dyfishojmë rrogat e mjekëve dhe infermierëve

Kryetari i PD, Sali Berisha tha gjatë një deklarate për mediat se, në programin e saj, Partia Demokratike do të garantojë në mënyrë të padiskutueshme ilaçe të cilësisë që përdoren në vendet anëtare të BE, duke ndaluar me ligj futjen në Shqipëri të çdo medikamenti që nuk përdoret në dy vende të BE.

“Partia Demokratike e konsideron emergjencë programin për kujdesin shëndetësor të shqiptarëve.

Në këtë kontekst, ajo në aktin e parë, në buxhetin e parë, do dyfishojë buxhetin për shëndetësinë.

Në programin e saj, PD do garantojë në mënyrë të padiskutueshme ilaçe të cilësisë që përdoren në vendet anëtare të BE, duke ndaluar me ligj futjen në Shqipëri të çdo medikamenti që nuk përdoret në dy vende të BE.

PD konstaton se sot, numri i shtretërve për frymë është dy herë më i ulët se në vendet e BE.

Numri i mjekëve për frymë po shkon katër herë më i ulët.

Në këtë kontekst, shtimi i mjekëve, hapja e një fakulteti të dytë mjekësie me qëllim për të kapur sa më shpejt standardin evropian në mjekë për frymë, rikonstruksioni apo ndërtimi i spitaleve të reja do jenë objektiva imediate të PD.

Por, sistemi shëndetësor, i cili nga të gjitha sistemet ka pësuar hemorragjinë më të madhe, nuk do mund të qëndrojë pa dyfishuar rrogat e mjekëve dhe infermierëve në Shqipëri si kusht themelor që në Shqipëri, mjekët të qëndrojnë.

Që në Shqipëri të ndalohet kjo rrokullisje e madhe e sistemit shëndetësor.

Ndaj dhe dyfishimi i rrogave do jetë objektivi i parë dhe kryesor në ndërhyrjen tonë për sistemin e shëndetësisë.

Raporte të reja ligjore do vendosen midis sektorit privat dhe sektorit publik.

Qeveria do ruajë marrëdhëniet vetëm me sektorin privat jopërfitues.

Ndërsa me sektorin tjetër, sigurisht që do lejojë aktivitetin e tyre, por nuk do mund të përfitojnë nga aktivitetet, prokurimet në sistemin shëndetësor.

Kartela dixhitale dhe dixhitalizimi i saj do jetë themel i reformës që ne ndërmarrim.

Shqipëria është vendi i vetëm ku nuk ekziston kartela dixhitale, por ekziston kartela njëlloj si në fillim të shekullit të njëzetë.

Çdo gjë ishte e përgatitur, u la vetëm zbatimi i saj. Gjithçka u rrokullis këto 12 vite dhe u kthyem mbrapa.

Pra, një reformë e thellë, e shpejtë dhe e gjithanshme në të cilën ka një synim dhe vetëm një synim, rritja e shpejtë e cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët shqiptarë dhe ulja drastike e barrës financiare të tyre në kujdesin shëndetësor.

Kjo barrë sot shkon në 60 përqind, në një kohë kur në Gjermani është 12 përqind, në Itali është 21 përqind. 60 përqind është ndër më të lartat në botë dhe e tëra është korrupsion.

Do anulohen menjëherë të gjitha partneritetet qeveritare në shëndetësi, fund e krye korruptive.

Do vihen para ligjit të gjithë ata që u pasuruan mbi jetët e të sëmurëve shqiptarë.

Unë jam optimist se me vendosmëri, me dyfishim të buxhetit, me përfundim të reformës, me zbatim të reformës, ne do e ndryshojmë, vërtet do realizojmë një shërbim shëndetësor me cilësorin që ka njohur Shqipëria në historinë e saj”, tha Berisha

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *