Berisha: Sistemi shëndetësor është në gjendje katastrofike, njësoj si në vendet e botës së tretë!

Kryetari i PD, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat tha se, e vërteta është se Shqpëria përballet me një furnizim me ilaçe të cilësisë më të dobët dhe më të paefektshme, më të pavlerë. Berisha tha se, ligjet janë miratuar në përputhje me interesa mafioze dhe në kundërshtim me interesat e shëndetit të qytetarëve.

“Shqipëria në raport me shërbimin shëndetësor, që u garanton qytetarëve të saj, renditet me vendet e botës së tretë.

Renditet ndër vendet në të cilin qytetarët paguajnë gjobën më të madhe në Europë, por edhe një nga më të lartat në botë për kujdesin e tyre shëndetësor, ndërkohë që Edi Rama, i cili 12 vite më parë, erdhi në pushtet me premtimin solemn për shëndetësi falas, sot merret me çdo gjë tjetër, por jo me dështimin madhor me pasoja shumë të rënda, qindra mijëra jetë njerëzish në kujdesin shëndetësor.

Sot shqiptarët vdesin nga sëmundjet e zemrës dy herë më shumë se mesatarja e BE.

Të njëjtat shifra janë për sëmundjet malinje.

Vdekshmëria foshnjore në Shqipëri është tre herë më të lartë se në Mal të Zi dhe vendet përreth.

E vërteta është se Shqpëria përballet me një furnizim me ilaçe të cilësisë më të dobët dhe më të paefektshme, më të pavlerë.

Rikujtoj këtu se një ligj që u garantonte shqiptarëve ilaçe të një cilësie me vendet anëtare të BE, ligj sipas të cilit në Shqipëri nuk mund ët tregtohen ilaçe që nuk tregtoheshin së paku në dy vende të BE, pra të miratuara nga enti evropian i kontrollit të barnave, ky ligj u zhduk dhe u zëvendësua me ligjin Nushi-Doshi dhe sot shqiptarët blejnë në farmacitë e tyre ilaçe jashtë të gjitha standardeve.

Kompanitë e mëdha braktisën Shqipërinë.

Dëshmira tragjike kanë ardhur në mënyrë të vazhdueshme për gjendjen katastrofale në Spitalin e Onkologjisë.

Ky spital, në vend që të ishte një institucion shprese për të sëmurët që me heroizëm luftojmë forma të ndryshme të këtyre sëmundjeve, faktikisht është një strehë ku njerëzit nuk vdesin nga sëmundja, por nga mungesa e ilaçeve për kurimin e sëmundjeve.

Në këtë spital për tre vite janë lënë jashtë funksioni aparaturat jetike.

Në këtë spital, aparaturat e tjera jashtëzakonisht të rëndësishme janë lënë për vite jashtë funksionit.

Në këtë spital, siç është raportuar, të sëmurëve u jepen ilaçe që nuk janë të përshtatshme për sëmundjet që kanë. Ose e njëjta dozë ndahet në disa doza sepse ilaçet mungojnë masivisht.

Kjo gjendje nuk është vetëm në Spitalin Onkologjik. Për fat të keq, kjo gjendje është edhe në spitalet e tjera publike, ku një i sëmurë, i cili pëson një trombozë karotide në arterien që ushqen trurin, diagnozën mund ta bëjë në spital publik, por kurimin detyrohet ta bëjë në spital privat.

Është krijuar një marrëdhënie çnjerëzore në dëm të të sëmurëve midis sektorit publik dhe privat.

Ligjet janë miratuar në përputhje me interesa mafioze dhe në kundërshtim me interesat e shëndetit të qytetarëve.

Buxheti për shëndetësinë është 14 herë më i ulët se në Gjermani. Por Gjermania nuk është një vend me rroga 14 herë më të larta se Shqipëria.

Është një buxhet krejtësisht i pamjaftueshëm. Është 2-3 herë më i ulët se në vendet përreth”, u shpreh Berisha.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *