17 pikat e programit në bujqësi/ Berisha: Ballkani i Hapur po rrënon fermerët, do të dalim menjëherë!
Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi sot 17 pikat e programit të Partisë Demokratike për bujqësinë, duke theksuar nevojën urgjente për reforma të thella në këtë sektor. Berisha tha se, Made in Albania, shtyllë kryesore e Shqipërisë Madhështore, kërkon një bujqësi të zhvilluar dhe fermerë shqiptarë të suksesshëm. Ai tha gjithashtu se, do të dalim menjëherë nga Ballkani i Hapur që po rrënon fermerët.
“Made in Albania, shtyllë kryesore e Shqipërisë Madhështore, kërkon një bujqësi të zhvilluar dhe fermerë shqiptarë të suksesshëm.
Bujqësia në Shqipëri këto 12 vite ka njohur rënie të madhe.
Me firmosjen e Ballkanit të Hapur, mijëra ferma në Shqipëri kanë falimentuar.
Prodhimi bujqësor dhe blegtoral ka një rënie dramatike.
Numri i krerëve të bagëtive është ulur me 62 përqind krahasuar me vitin 2013.
Sot, 80 përqind e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale në tregun shqiptar vijnë nga eksportet.
Bujqësia, e cila punëson rreth gjysmë milionë shqiptarë dhe jep 19 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, merr nga buxheti një mbështetje prej 0.19 përqind të PBB.
Pra, disa herë më pak se vendet e rajonit, dhe në dallim nga këto vende, shumica e fondit të parashikuar në buxhet për bujqësinë, nuk shkon tek fermerët, por shpenzohet për administratën.
Programi ynë për Shqipërinë Madhështore në bujqësi bazohet në Made in Albania, rritjen e madhe të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, mbështetjen e fuqishme për fermerët dhe suksesin e tyre.
Për arritjen e këtij qëllimi, qeveria e koalicionit të PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore do të:
-Subvencionojë për çdo njësi prodhimi, kokë bagëti dhe fidan të blerë fermerët dhe rritje për këtë qëllim e fondit të subvencionimit direkt të fermerëve nga 0.5 përqind e shpenzimeve buxhetore, apo 31 milionë që është de facto, në 3.5 përqind sa është niveli mesatar i rajonit.
-Mbrojtje sezonale e prodhimeve bujqësore.
-Dalje e menjëhershme nga Ballkani i Hapur që po rrënon prodhimin bujqësor dhe blegtoral shqiptar dhe zbatimi i të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Procesi i Berlinit dhe procesi i integrimit evropian.
-Karta e ID do jetë NIPT-i i fermerit, mbështetje direkte, subvencion për sipërmarrësit në fushën e bujqësisë, ku çdo fermer do identifikohet me një NIPT.
-TVSH-ja në sektorin e përpunimit të prodhimeve bujqësore do jetë e njëjtë në shitje dhe blerje, kështu që paratë do shkojnë direkt tek fermeri dhe jo tek grosisti.
-Nafta do të subvencionohet gjer në nivelin e kostos.
-Mbështetje të veçanta pa kufizim për fermerët në fushat prioritare të bujqësisë, të përcaktuara nga qeveria, fushat e eksportit, fusha e blegtorisë, pemëtarisë dhe agro-përpunimit.
-Subvencionim i normave të interesit deri në masën 80 përqind për kreditë bankare në fushën e bujqësisë. Kjo ndërhyrje është emergjente për rritjen e injektimit të parave në këtë sektor.
-Zhvillimi i infrastrukturës bujqësore do mbështetet nga investime thelbësore veçanërisht në ujitje dhe kullim ku çdo vit do investohen një shumë rreth 70 milionë dollarë me qëllim dyfishimin në katër vite të sipërfaqjes së ujitjes.
-Krijimi i agjencisë së studimit të tregjeve që të studiojnë tregun e brendshëm dhe të jashtëm dhe të bëjnë një orientim makro për fermerët shqiptarë për çfarë dhe sa duhet të mbjellin. Kështu do zbuten shumë krizat e krijuara nga stoqet.
-Mbështetje me grante dhe kredi të buta fermerëve dhe agropërpunuese për futjen e teknologjive të reja në prodhim dhe përpunimin e produkteve bujqësore, automatizimin, dixhitalizimin, blerjen e traktorëve dhe pajisjeve të tjera.
-Kompensim financiar me çmim dysheme për stokun e prodhimit të shkaktuar nga çrregullime të forta të tregut dhe incentivim në ngritjen e industrisë agroushqimore për absorbimin e këtij stoku dhe shmangien e asgjësimit të këtyre produkteve. Kjo si mënyrë efektive për të shmangur falimentimin e fermerëve dhe braktisjen e zonave rurale.
-Kryerja falas nga shteti i analizave të tokës bujqësore dhe puseve të ujitjes së saj.
-Garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore nëpërmjet laboratorëve të akredituara.
-Rritje e sigurisë ushqimore nëpërmjet fuqizimit të institucioneve përgjegjëse, futjes së sistemeve mbikëqyrëse sipas standardeve të BE, rishikim në themel i kuadrit ligjor për abuzuesit e tregut që dëmtojnë shëndetin e konsumatorit.
-Rritje e kapaciteteve laboratorike shtetërore me qëllim eliminimin e praktikave abuzive të kryerje së analizave nga laboratorët privatë.
-Ngritja e infrastrukturës për kryerjen e kontrolleve zyrtareve në pikat e inspektimit kufitar pasi aktualisht mungesa e ambienteve karantinore dhe frigoriferike kompromentojnë drejtpërdrejt sigurinë e produkteve ushqimore të importuara.
Zhvillimi rural do të jetë një prioritet tjetër madhor i programit tonë për Shqipërinë rurale, ku infrastruktura e kësaj Shqipërie do të modernizohet në të njëjtën shkallë me atë të vendeve të rajonit.
Ky pra ishte të dashur fermerë programi me të cilin ne besojmë se rikthejmë në fushat, në serat, në tufat tuaja, në pemëtoret tuaja si krenari për ju, krenari kombëtare”, u shpreh Berisha.
