Onkologjiku/ Vokshi: SPAK nuk ka reaguar, do dorëzoj kallëzime të reja për check-up-in dhe sterilizimin
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka denoncuar mungesën e veprimit nga SPAK lidhur me çështjet e sistemit shëndetësor. E ftuar në emisionin Task Forcë në SYRI TV, ajo tha se që nga gushti i vitit të kaluar nuk ka asnjë informacion për ecurinë e hetimeve, ndërsa nuk është marrë asnjë masë për sigurimin e kurave dhe medikamenteve apo për ndëshkimin e përgjegjësve.
Sipas Vokshit, pavarësisht kallëzimeve të bëra, situata mbetet e pandryshuar dhe nuk ka reagim nga institucionet përkatëse. Ajo bëri me dije se javën e ardhshme do të dorëzojë një sërë kallëzimesh të reja që lidhen me çështje të ndryshme, duke përfshirë ish-ministrat Ilir Beqja dhe Ogerta Manastirliu. Kallëzimet ndaj Manastirliut përfshijnë tenderat sekretë, ndryshimin e kontratës për sterilizimin dhe menaxhimin e check-up-it, për të cilat sipas saj nuk është marrë asnjë masë hetimore.
Deputetja e PD-së ngriti shqetësime edhe mbi shpërndarjen e fondeve në shëndetësi, duke theksuar se vetëm 7% e buxhetit të QSUT-së shkon për onkologjinë, ndërsa programi i sterilizimit merr 30%. Në këtë kuadër, ajo paralajmëroi dorëzimin e kallëzimeve të tjera për këto çështje.
Nuk ka asnjë informacion, që nga gushti i vitit të kaluar, jo vetëm kaq, jo vetëm SPAK nuk ka reaguar, por nuk është marrë asnjë masë në mënyrë që të ketë sigurim të kurave, sigurim të medikamenteve, asnjë masë disiplinore në lidhje me denoncimin.
Është njësoj siç ka qenë më parë. Bëhen kallëzime, nuk ndodh asgjë në QSUT.
Unë kam bërë shumë kallëzime dhe të tjera po vijnë. Që javën që vjen, kam një sërë kallëzimesh të tjera, duke filluar që nga Ilir Beqja, Ogerta Manastirliu.
Kam për Ogerta Manastirliun jo vetëm një kallëzim, por më shumë, si për check-up-in ashtu edhe për sterilizimin, sepse Ogerta Manastirliu nuk hetohet për asgjë, as për tenderat sekretë, as për sterilizimin që ndryshoi kontratën duke e përkeqësuar atë, as për check-up-in që nuk mori asnjë masë as për ta kontrolluar.
Dhe më e keqja, se u përmend buxheti, a e dini ju që i gjithë onkologjiku merr rreth 7% të buxhetit të QSUT-së, ndërkohë që sterilizimi merr 30%?
Që javën që vjen, unë do të dërgoj kallëzime të tjera, qoftë për Ilir Beqjan, kallëzime të tjera që janë të lidhura me sterilizimin dhe me check-up-in.