Rama përdori spitalin për fushatë’/ Dasho: Mungesa e ilaçeve për fëmijët me leuçemi e tumor, një akt kriminal
Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, mungesën e medikamenteve për fëmijët e prekur nga leuçemia dhe tumoret në Shqipëri, e cilëson si një skandal të papranueshëm dhe një akt kriminal.
I ftuar në emisionin ‘Task Forcë’ në SYRI TV me Sonila Meçon, Dasho theksoi se çdo shtet me një minimum përgjegjshmërie ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve duhet të ketë një prioritetizim të qartë në trajtimin e pacientëve, veçanërisht atyre me sëmundje të rënda që kanë shanse për shërim.
Gjithashtu, Dasho kritikoi ashpër administratën qeveritare për dështimin në sigurimin e medikamenteve jetësore dhe akuzoi kryeministrin për përdorimin e sistemit shëndetësor në funksion të premtimeve elektorale.
Erion Dasho: Unë mendoj që kjo është një situatë që ka nevojë për pak apo aspak koment. Kjo është një situatë, që është pak t’i thuash skandaloze. Në çdo shtet që ka minimuim e përgjegjshmërisë ndaj shëndetit dhe jetës së qytetarëve të vetë, ka një prioritetizim. Ka një vendosje prioritetesh në trajtim. Dhe minimumi, fëmijët e prekur nga leucemia dhe nga tumoret e ndryshme që kanë edhe gjasa shumë të larta për t’u shëruar, sidomos me tumoret e qarkullimit të gjakut, siç janë leuçemitë, të lihen amidekamente, kjo është pak të thuash kriminale.
Pra, në një situatë e cila prej vitesh është sjellë në vëmendje. Ajo që ka bërë Osmani është një shërbim i jashtëzakonshëm shoqëror. Por të gjithë ne kemi vite që flasim dhe mungesa e preparateve për fëmijët dhe kryesisht për të sëmurët tumoralë, është një nga ato mangësi që është pak t’i thuash kriminale.
Ndërkohë, për paralelizëm, unë do të kujtoja një fakt që ndodhi para disa javëve ku bëri një shou Kryeministri me mjekët e Onkologjikut. Një grup mjekësh të ardhur nga një spital izraelit, me thënë të drejtën është një nga spitalet më të mirë të Izraelit dhe një qendër botërore, e njohur për trajtimin e sëmundjeve tumorale, por papritur u prezantuan nga kryeministri nga spitali shembull që do të marrë nën administrim spitalin Onkologjik. Pa dhënë asnjë informacion se si do të jetë kjo, bazuar mbi çfarë marrëveshje, bazuar mbi çfarë pagesash dhe bazuar mbi çfarë vizioni.
Në mënyrë të çuditshme, disa javë më vonë, para dy javësh kur ishte në spitalin memorial të Fierit që bëri shoun tjetër të radhës me autonominë spitalore që ka mbi 12 vjet që e përmend dhe nuk bën asnjë hap para. Përmendi dhe tha: ‘Se ne nuk mund të themi që mjekët e spitalit shembull do vijnë dhe do të menaxhojnë spitalin Onkologjik, pa qenë të sigurt që kjo do të ndodhë’. Ndërkohë që dy javë më parë e kishte prezantuar këtë si diçka që po ndodhte.
Pra është jo vetëm mungesa e përgjegjshmërisë që i lë në mëshirë të fatit këta njerëz dhe kur nuk i jep medikamente jetëshpëtuese, por vendosja e tyre në funksion të premtimeve dhe mashtrimeve të fushatës elektorale, tregon se kjo administratë e zoti Rama vetë, nuk kanë asnjë lloj synimi, dëshire për të përmirësuar sistemin shëndetësor shqiptar.