Bushati: I ziu Veliaj hodhi lekë në Amerikë, por po i shkojnë kot
Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për kontratën 300 mijë euro të Erion Veliajt me një studio ligjore amerikane, kontratë që ka edhe një komponent lobimi.
Bushati tha se Veliaj është ndjerë i rrezikuar dhe ka kuptuar që duke lobuar në SHBA edhe mund të zhbëjë veprimet e SPAK, por shtoi se i ka harxhuar paratë kot nëse vendimi për burgojen e tij është bërë me lejen e Edi Ramës, i cili ka fuqi shumë të madhe financiare…
Sipas hallit hidhet edhe paraja, gjithëkush ka të drejtë të mbrohet. Veliaj ka shumë më tepër mundësi se pagesa e kësaj kontrate, kjo nuk diskutohet, por e rëndësishme është kjo, Veliaj mbahet në burg, me kërkesë të SPAK.
Veliaj e ka bërë këtë kontratë kur është ndjerë i rrezikuar. Është nga hierarkët e PS dhe ai e di më mirë se kushdo tjetër, që drejtësinë shqiptare edhe mund ta zhbësh duke lobuar në Amerikë.
Kjo është pjesa e parave. Duke qenë njeri që e ka njohur sistemin, ky me “veglat” prej çeliku që e ka përdorur drejtësinë herë të tjera, e di që nëse prek telat e duhur në Amerikë, SPAK dhe GJKKO, nga instrumente drejtësie, mund të shndërrohen në instrumente vasaliteti.
Nuk janë para kot, për hallin që ai i ziu ka. Por nëse ai është futur në burg me lejen e Ramës, të harxhojë sa lek të dojë, se Rama ka shumë më tepër edhe për Amerikanët”, tha ndër të tjera Bushati.