Berisha vendos bufin në tavolinë: Është simbol i mençurisë dhe vendimit, injoranca e Ramës nuk është argument
Kryetari i PD, Sali Berisha ka sfiduar kryeministrin Edi Rama, duke vendosur në tavolinnën e tij bufin, një simbol që siç theksoi lideri demokrat personifikon mençurinë.
Duke folur në konferencën me gazetarët, tashmë një traditë e vendosur nga kryedemokrati, Berisha tha se vendimi për të vendosur bufin në tavolinë, bëhet me qëllim që të gjithë ta dinë se çfarë varfërie kulturore ka Rama që e citon, duke shtuar se injoranca e tij nuk është argument.
“Filmojeni pak, ju lutem mos harroni.
Pra kjo nuk mund të them se është një dhuratë për Edi Ramën, sepse ky është një simbol i mençurisë, i diturisë dhe i vendimit jo në shekuj, po në mijëvjeçarë.
Dhe vendosa ta sjell këtu para medieve dhe para publikut shqiptar se çfarë varfërie dhe shkretie kulturore ka njeriu që e citon, që e quan Sali Berishën çdo ditë, me emrin e simbolit më të arrirë të dijes, mençurisë dhe vendimit të Greqisë së Lashtë, të Romës së Lashtë.
Athina dhe Minerva, dy perëndeshat e njohura, njëra e grekëve, perëndeshë e diturisë, dhe e Minerva e romakëve, e njëjtë, nuk zgjodhën asnjë shpend tjetër si simbol të fuqisë së tyre mendore, por zgjodhën pikërisht bufin që u bë një personazh i dashur për të gjithë njerëzit e civilizuar.
Dhe Edi Rama mendon se mund të më fyeje mua duke më quajtur mua buf.
Injoranca nuk është argument, thotë Latini.
Me keq e mbyllim këtë pjesë të konferencës për shtyp”, tha Berisha.