Berisha: Qytetarët meritojnë një proces ligjor të drejtë, jo afërmendshin që kontrollon gjykatësit me përgjime
Lideri i opozitës, Sali Berisha kritikoi ashpër sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët shqiptarë nuk kanë një proces ligjor të drejtë.
Në konferencën me gazetarët, ai u shpreh se qytetarët janë të detyruar të presin vite të tëra për të marrë një vendim gjyqësor dhe se korrupsioni ka bllokuar zgjidhjen e shumë çështjeve civile.
“E kam theksuar dhe e theksoj se, PD-ja është e vendosur për një reformë të sistemit të drejtësisë. Pse? Sot çdo shqiptar për një çështje civile nëqoftëse nuk paguan çmimet e kokës rryshfet, do të presë 15 vite.
Sot qytetarët shqiptarë, janë të vetmit në Europë dhe botë, që nuk kanë një proces ligjor të drejtë. Iu mohohet një proces ligjor i drejtë. Defakto se, dejure e kanë. Defakto nuk kanë proces ligjor.
Të lesh qytetarët e tu pa një proces ligjor të drejtë, faktikisht spostohet në një hapësirë parashtetërore. Por edhe kohërat para shtetërore kanë pasur kodet e tyre, sidomos çështjet civile që janë çështje themelore.
Tani a mund të pranohet kjo situatë. Nëse ju ndiqni dinamikën e grumbullit të dosjeve, rritja e grumbullit të dosjeve është e frikshme.
Ka qenë 120 mijë para 3-4 vitesh dhe këto 4 vite që funksionon i tërë sistemi, u rikthye Gjykata e Lartë, në këto 3-4 vite ka arritur në 150 mijë.
Gjykata Administrative që ishte një risi e reformës që bëmë në sistemin e drejtësisë është përgjysmuar në kapacitet dhe faktikisht në vendimet e saj duhet të presësh vite e stërvite dhe përveç kësaj, siç dëshmuan përfaqësuesit e dhomave të biznesit, vendimet janë në tërësi në favor të qeverisë.
Por bllokimi i çështjeve civile i kushton vendit, përveç se mohimi i një të drejtë, e paimagjinueshme, i kushton vendit miliarda euro për shkak të bllokimit të pronave, të kredive, të fondeve etj., në këtë sektor.
Bllokimi i çështjeve civile e bën Shqipërinë absolutisht vendin më të papërshtatshëm për investimet e huaja. Nuk ka investitor që mund të vijë në këtë sistem drejtësie, pasi ti ke zhdukur atë që quhet siguri ligjore. Po nuk ka proces, nuk ka siguri ligjore.
Atëherë ti detyrohesh të firmosësh me të huajt se do të njoh autoritetin ligjor të këtij vendi, apo atij vendi. Ta ekstraterritorializosh procesin, përndryshe ai nuk vjen dhe ka shumë të drejtë.
A mund të pranohet kjo? Besoj se këto sirena bien për çdo qytetar, pavarësisht se një pakicë e qytetarëve kanë punë me sistemin e drejtësisë, por ai është i të gjithëve.
Së dyti. Lëmë krejtësisht karakterin politik, por marrim thjeshtë strukturën, funksionimin. Ky është sistemi i vetëm në botë, që nuk ka ekzistuar as në diktaturën komuniste i tillë, ku prokurori që harton dosjen, survejon me ligj gjykatësin që do shqyrtojë dosjen. E regjistron telefonin e tij dhe pastaj merr vendime mbi të, mbi regjistrimin e telefonit apo informacioneve të tjera që mund të marrë.
Tani më thuaj ti mua, ka drejtësi më këtu? Këtu nuk ka gjykatës më. Këtu defakto gjykatësi është bërë me të 4-mbiemra, Irena Gjoka. Por qytetarit i duhen gjykatës dhe kjo nuk mund të vazhdojë. Nuk mundet.
Çdo vend duhet të ketë gjykatësin dhe jo afërmendshmin që thotë, se gjykatës bën atë që i themi.
Jashtë çdo lloj standardi, kjo nuk mund të vazhdojë. Nuk mund të vazhdojë një drejtësi e cila në vit elektoral, ka guximin të amnistojë krime monstruoze elektorale që lidhen me zyrtarë të lartë, dhe në të njëjtën kohë arreston dhe ndjekje penale liderët kryesorë të opozitës.
Unë besoj se çdo forcë politike demokratike është e detyruar të mbrojë interesin e qytetarëve dhe në këtë rast, reforma është jetike, është imperative.
Nuk mund të rrinë qytetarët shqiptarë pa të drejtën e një procesi ligjor, siç është sot që duhet të presin 15 vite.
Nuk mund të kenë shqiptarët një gjykatës të cilit prokurori i kontrolluar nga qeveria, i kontrollon çdo gjë dhe i di çdo gjë.
Ky është sistemi. Unë ju ftoj ju, ftoj mediat të ua thonë të vërtetën shqiptarëve.
Para se Donald Trump të fitonte, amerikanët u thuheshin superlativa për drejtësinë, sepse ajo përdorej kundër Trump. Donald Trump thotë se, drejtësia nuk do jetë një armë politike kundër kundërshtarëve. Besoj se gjërat po bëhen tani shumë të qarta”, u shpreh Berisha.