Programi për sipërmarrjen/ Berisha: Lehtësi për të rinjtë dhe gratë! 8 vite pa taksa kush investon në zonat malore

Programi për sipërmarrjen/ Berisha: Lehtësi për të rinjtë dhe gratë! 8 vite pa taksa kush investon në zonat malore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi në konferencën për shtyp të së hënës, një paketë të re masash për të mbështetur sipërmarrjen, me theks të veçantë tek të rinjtë dhe gratë.

Sipas Berishës, programi parashikon lehtësi fiskale, përjashtime nga taksat dhe subvencione për ata që investojnë në sektorë strategjikë, veçanërisht në zonat malore, ku investitorët do të përfitojnë nga një periudhë 8-vjeçare pa taksa.

“Qeveria dhe operatorët turistikë do të bashkëpunojnë në mënyrë që punonjësit sezonalë të turizmit të mund të paguhen me një rrogë bazë në periudhën kur në pikun e mungesës së turizmit, gjatë stinës që nuk ka turistë, sepse ata dalin në qiell të hapur pa asnjë mbrojtje.

Një pjesë e tyre janë sezonalë, janë studentë, janë nxënës, por të tjerë që nuk janë sezonalë në këtë punë, do të trajtohen me dinjitet dhe nuk do mund të flaken sipas sezonit, sikundër kujdesje e veçantë do bëhet për këta punonjës lidhur me kushtet e jetesës së tyre që duhet të jenë brenda standardeve njerëzore.

Ligji për investimet strategjike pëson ndryshim rrënjësor.

Çdo titull strategjik i dhënë me koncesion anulohet.

Çdo shqiptar që vjen për të investuar në Shqipëri do të jetë 5 vite pa taksa kudo që të investojë.

Por ataqë investojnë në zonat malore, ata do jenë 8 vite pa taksa, siç ka qenë ligji që e anuloi Edi Rama, por e rikthen tani për grupe që i interesojnë atij.

500 të parët thotë ai, se ata 500 të dytët janë të njerkës ata, nuk mund të përfitojnë. Me ca koncepte të ndryshkura.

Eksportet, përveç bordit që u informova ju, do krijohet bordi që do monitorojë dhe kompensojë dëmet e krijuara nga lëkundjet e kursit të narko-euros.

Do krijohet fondi për mbështetjen, mbrojtjen dhe nxitjen e eksporteve.

Për të rinjtë, zero sigurime shoqërore dhe shëndetësore për 12 muajt e parë të punësimit. Çdo i ri nën 30 vjeç.

Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat gjer në moshën 25 vjeç.

Stimuj fiskalë dhe mbështetje financiare për investitorët nën moshën 35 vjeç që duan të investojnë në startup-e dhe inovacion.

Mbështetje e fortë e arsimit profesional dhe ekselencave të tij për biznesi.

Për zonjat, gratë, zero tatim fitimi për vitin e parë të biznesit. Subvencionim i sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për 4 muajt e parë, me kushtin që gjysma e të punësuarve të jenë femra dhe të rinj.

Kredi të buta bankare nga banka e zhvillimit me preferencë për gratë dhe krijimi i një fondi për mbështetjen e bizneseve të grave.

Pra, do bëhet gjithçka për pushtetërimin ekonomik të grave në Shqipëri.

Kjo është një mënyrë e suksesshme për të luftuar pabarazinë e madhe gjinore që ekziston në rrafshin ekonomik midis burrave dhe grave.

Kjo është e domosdoshme gjithashtu në mënyrë që gratë, vajzat të mund të shpalosin në kushte normale talentin, aftësinë e tyre në fushën e biznesit”, u shpreh Berisha.

Share it :