Berisha: Do ulim çmimet e energjisë dhe të karburanteve, do ta lehtësojmë barrën mbi qytetarët

Berisha: Do ulim çmimet e energjisë dhe të karburanteve, do ta lehtësojmë barrën mbi qytetarët
Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në takimin me banorët e degës nr.9, në Tiranë tha se, çmimet e naftës dhe energjisë elektrike do të ulen në Shqipëri, pasi do të lehtësohet edhe barra mbi qytetarët.

“Energjia. Shqipëria energjinë pa asnjë lloj humbjeje mund t’ia shesë qytetarëve me 7 lekë. Ne do e ulim në 7 lekë kilovatin. Ne do ta ulim për biznesin në 6 lekë energjinë.

Nafta. Shumë mund të thonë, po ç’na duhet ne nafta. Ata që kanë vetura, por edhe ata nuk kanë vetura paguajnë. Sepse ata paguajnë biletat e udhëtimit kudo që shkojnë me çmimin e naftës. Sepse ata paguajnë çmimin e të gjitha mallrave që blejnë, transportin, me çmim të lartë nafte.

Nafta në Shqipëri shitet 40-50% më shtrenjtë se në Kosovë. Ndërkohë, nafta në Kosovë vjen nga Durrësi. Shkon nga Durrësi në Kosovë, atje shitet 40% më lirë. Pse? Ua them unë pse. Sepse taksa që merr qeveria në 1 litër naftë është absurde, merr 1.1 euro. Ndërsa, çdo njeri që blen 1 litër naftë, qeveria i ka grabitur 1.1 euro taksë. Jo, ne do t’i përgjysmojnë këto.

Se kush e paguan këtë? Qytetarët e paguajnë. Se ai që e shet, ai nuk paguan gjë. Ai përkundrazi, shet dhe kaq.

Kështu që ne, do i përgjysmojmë këto taksa dhe shqiptarët do blejnë naftën me ato çmime, plus minus 10% që e blejnë maqedonasit, kosovarët, malazezët, dhe absolutisht asnjë qindarkë më shumë.

Do përpiqemi të lehtësojmë barrën mbi njerëzit.

Përveç kësaj, ne do të financojmë së bashku me banka, vendosjen e panele diellore.

Pse kjo?

Janë ulur tani. Nëse do ju thoja para 6 vitesh, 8 vitesh, do ishte joreale se kushtonin shumë panelet fotovoltaike. Tani është plotësisht e mundur. Tani, nëse vendosim me bankat panelet fotovoltaike mbi çdo çati, gjithnjë sipas dëshirës, pas 3 vitesh ata që kanë panelin fotovoltaik marrin energjinë falas, nuk paguajnë më asnjë qindarkë. E kanë nga dielli, e kanë nga qielli, jo nga qeveria. Sepse kjo është e vërteta”, u shpreh Berisha.

Share it :