Gënjeshtra elektorale e Ramës për pasaportën evropiane nga tullumbace po bëhet balonë fluturuese

Gënjeshtra elektorale e Ramës për pasaportën evropiane nga tullumbace po bëhet balonë fluturuese
Nga Ndriçim KULLA

Kur fillova të mendoja të shkruaja një libër mbi nevojën urgjente të rikthimit të vlerave pro konservatore në Shqipëri, problemin e shtrova në tre rrafshe: në reafshin organik, d.m.th kjo lëvizje pro vlerave që lëvizja Maga në Amerikë po përpiqet të promovojë brenda vendit të vet, por edhe në Evropë, sic u pa në fjalimin epokal dhe brilant të J.D. Vance në Munih, a janë apo jo të brendshme, të përshtatshme dhe të asimilueshme me vlerat dhe identitetin tonë kombëtar në shekuj. Më rezultoi se konservatorizmi në përgjithësinë e parimeve të veta, së bashku me parësinë e familjes dhe zotit në jetën tonë shoqërore, janë elementë organikë dhe të qenësishëm, në dallim rrënjësor me vlerat liberale të promovuar nga agjenda sorosiane dhe wokizmi. Së dyti, në rrafshin e brendshëm politiko- social, është e qartë për të gjithë se eksperimentin më të keq e më të neveritshëm, kjo agjendë marksiste e ka kryer në Shqipëri, me të gjithë elementët, duke filluar nga përdorimi i drejtësisë si armë politike, nga sulmimi dhe asgjësimi i padrejtë i opozitës, rrënimi i demokracisë dhe sidomos rrënimi i zgjedhjeve të lira e të barabarta.

Jo më kot Trump sapo nxori një dekret për të parandaluar manipulimet zgjedhore, si pjesë vitale e strategjisë sorosiane. E njëjta gjë po ndodh edhe sot në Shqipëri, dhe ende opozita është në përpjekjen e saj të mundimshme të gjejë antidotet e duhur te zgjidhjes së problemit. Dhe kjo luftë kësaj radhe duhet të jetë më e egër në demaskim, më e ashpër në konfirmimin e faktorit ndërkombëtar, se në vendin tonë nuk bëhen dot zgjedhje, për shkak të regjimit dhe ndërhyrjes së tij të shumanshme. Vetëm se një luftë e tillë, e shndërruar tashmë në një vlerë dhe betejë konservatore, merr më shumë fuqi gjeopolitike dhe i jep mundësi opozitës të gjejë përkrahës e mbështetës të saj edhe në Evropë. Në këtë mënyrë, i bashkohemi rrafshit te tretë të përpjekjes së opozitës, vendosjes së vlerave të patriotizmit kundër vlera globaliste. Është ky një element thelbësor i agjendës sorosiane, që Edi Rama, si vegël servile e mburravece, e përdorte për të krijuar imazhin e liderit global, që merret me zgjidhjen e problemeve të Evropës dhe botës. Jo më kot, atë e kemi parë të flasë e të përflasë në forume të nivelit ndërkombëtar, për gjera që s’kanë lidhje as me të, as me formimin e tij e sidomos as me Shqipërinë.

Mirëpo, e gjitha kjo është një lojë e propagandës, së asaj Evrope sorosiane që lëvizja konservatore e patriotëve, ose e thënë ndryshe Evropa tjetër e vlerave kundër – globaliste, po lufton çdo ditë edhe më me forcë. Kjo luftë është e rrafshit jo kombëtar, gjeopolitike dhe në nivele të organizmave evropianë, ndaj më e vështirë. Por pikërisht për këtë arsye, pikërisht pse Rama dhe regjimi i tij, si narrativë për të fituar zgjedhjet, ka zgjedhur “pasaportën evropiane”, pra ka zgjedhur të përdorë edhe njëherë kartën e liderit global të agjendës dhe sistemit të burokracisë evropiane që mbështet Sorosi, edhe lëvizja jonë pro vlerave konservatore, duhet ti përgjigjet me të njëjtën përmasë dhe nivel përfaqësimi. Është detyrë primare e opozitës, që luftën kundër përdorimit të një karte të tillë kaq ” globaliste” ta kthejë në element konfirmimi kudo në Evropë dhe me miqtë tanë në Amerikë, se si një regjim lokal arrin të gjejë përkrahje dhe avantazhe nga një politikë globale, nëpërmjet fijeve dhe lobimit sorosian. Jo më kot Meloni, një zë shumë i fortë trumpian në Evropë, e mbështeti fjalimin dhe botëkuptimin konservator të Vance për Evropën e sotme, së cilës i ka humbur busulla e vlerave kombëtare, në kurriz të kërkimit të vlerave globale. Një situatë të tillë të favorshme, duhet të përdorë edhe opozita në rrafsh evropian. Tashmë është bërë e ditur nga shumë dalje e përfolje në media, se mënyra e vetme që regjimi Rama ka gjetur për të fituar zgjedhjet, është të përfitojë në kurriz të Evropës dhe të propagandojë përfitimet që Shqipëria do të ketë nga hyrja në të.

Tullumbacja e gënjeshtrës po bëhet ballonë fluturuese në çdo qytet e miting ku ai po shkon. Vetëm se përgjigja që opozita po i jep kësaj loje manipuluese nuk po më duket e fortë, demaskuese dhe gjithëpërfshirëse. Me miqtë e lobistët burokratë, të shpërndarë kudo në institucionet e BE, që përkrahin agjendën globaliste sorosiane, ai mund ta shtyjë sa të dojë këtë përrallë me gënjeshtra të ëmbla për shqiptarët. Përkundrazi, opozita, duke e konsideruar denoncimin e këtij manipulimi, në një kauzë të vlerave pro konservatore, në mbrojtje të interesave kombëtare e patriotike të vendit të vet kundra një regjimi, duhet të dijë jo vetëm të gjejë mbështetës dhe mbrojtës së kësaj kauze në Evropën tjetër, atë të vlerave të demokracisë dhe patriotizmit, por të kthehet kështu në vetë zërin më të fuqishëm konservator në rajon, kundër eksperimentit më të neveritshëm të agjendës sorosiane në Evropë, që regjimi Rama po vazhdon të ndjekë pa pushim deri në zgjedhje.

Më shqetëson seriozisht përmasa që po merr kjo ballonë me premtime boshe, po që serviren si lajme të bujshme premtimesh, që do ndryshojnë Shqipërinë dhe që vetëm PS mund ti sjellë. Duhet luftuar në nivel evropian, që ta bllokojmë dhe denoncojnë njëherë e mirë këtë herezi demagogjike, me një qëndrim të fortë e të prerë, të ardhur nga institucionet më me zë të Evropës: ne nuk mbështesim regjimin, por aspiratën evropiane të popullit shqiptar. Kjo duhet të jetë lufta urgjente e opozitës në nivel jashtë- kombëtar. Por kjo duhet të jetë edhe lufta e përditshme e saj kudo brenda vendit. Nuk po shoh që narrativa e debateve dhe diskutimeve të jetë e përqendruar fort dhe logjikshëm ne shfryrjen e kësaj gënjeshtre sa trashamane, aq edhe joshëse. Jo më kot thashë që tullumbacja është kthyer në një ballonë, sepse dhe lufta e opozitës nuk ka qenë në përmasën dhe mjetet e duhura. Duhet luftuar përditë edhe në terren, përndryshe zullumi i propagandës do rritet aq shumë sa nuk do të mundemi dot ta këpusim.

Share it :