Per Task Forcen e krimit zgjedhor/ PD padit Bashkinë e Tiranës për asfaltin elektoral para zgjedhjeve: Qeveria në ikje po përdor fondet publike për fushatë
Kandidati për deputet i PD-së në Qarkun e Tiranës, Lisandër Hoxha, dhe kryetari i FRPD-së, Besart Xhaferri, depozituan një kallëzim penal në SPAK kundër Bashkisë së Tiranës, duke e akuzuar për përdorimin e mjeteve publike për qëllime elektorale. Hoxha deklaroi se veprime të tilla nuk mund të tolerohen dhe se qeveria në ikje nuk duhet të ushtrojë presion ndaj nëpunësve publikë për të shkelur kodin zgjedhor.
Ai tha se ka konstatuar disa rrugë te Njësia Nr. 4 pa tabela punimesh, duke akuzuar bashkinë për abuzime me kantieret e hapura. Sipas tij, ndërkohë që qytetarët penalizohen për punime të vogla, institucionet publike shkelin ligjin hapur për fushatë elektorale.
Hoxha u shpreh se opozita nuk do të heshtë, por do të përballet me çdo shkelje ligjore në procesin zgjedhor. Përfaqësuesit e PD-së kërkuan nga SPAK që të ndërmarrë veprime në kohë dhe jo pas zgjedhjeve.
DEKLARATAT
Hoxha: “Veprime të tilla nuk duhen toleruar, nuk mund të inkurajohen ndërmarrjet shtetërore që në shkelje të kodit zgjedhor, siç e thotë ligji, 4 muaj përpara zgjedhjeve nuk lejohet përdorimi i mjeteve publike për qëllime elektorale. Të shkojnë dhe të bëjnë atë që po bëjnë.
Shkelësit e kodit zgjedhor e kanë vendin në burg dhe sigurisht që qeveria në ikje nuk duhet të presionojë nëpunësit, nuk duhet të ushtrojë ndikim te nëpunësit publikë që të shkelin kodin zgjedhor, sepse nuk do të ketë asnjë efekt.
Unë kam konstatuar disa rrugë te Njësia Nr. 4, të cilat nuk kanë asnjë tabelë punimesh. Nëse një qytetar shkon dhe lyen ballkonin, ai shkon në burg sepse nuk deklaron punimet, ndërsa bashkia, e komanduar nga Edi Rama por e përfaqësuar nga i arrestuari për korrupsion, zoti Veliaj, paska të drejtë që të hapë dhe të mbyllë kantiere punësh për qëllime elektorale.
Kjo nuk shkon! Nuk ka më një opozitë që hesht, por ka një opozitë që përballet, ka një opozitë e cila i tremb mesa duket.
Do të vijë një kallëzim penal me postë, siç është procedura, dhe uroj që SPAK, meqenëse ka krijuar dhe task-forcën për zgjedhjet, të ndërmarrë veprime në kohë dhe jo pas zgjedhjeve.
Qytetarët vijnë dhe na raportojnë për krime zgjedhore, ata e shikojnë që kjo qeveri ka marrë fund”.
Nderkohe Xhaferri theksoi se ky është vetëm kallëzimi i parë, ndërsa në vijim do të paditen edhe drejtues të policisë që nuk kryejnë konstatimet kur opozita i thërret. Ai akuzoi qeverinë për krime zgjedhore dhe u shpreh se qytetarët raportojnë çdo ditë raste të abuzimeve.
Xhaferri: “Sot kemi çuar për Bashkinë e Tiranës një kallëzim për asfaltin elektoral, mirëpo nuk është vetëm asfalti elektoral. Herën tjetër do të çojmë për kallëzim edhe shefat dhe drejtuesit e policisë kur nuk bëjnë konstatimin kur ne i thërrasim”.