Të ndezim mediat sociale, kështu fitoi edhe Donald Trump”- Berisha: Shkarkoni VPN për “TikTok”
Kryetari i PD, Sali Berisha, zhvilloi një takim me kandidatët për deputetë të Aleancës Shqipëria Madhështore në Qarkun e Tiranës. Ai u shpreh se shumica e mediave janë nën kontrollin e qeverisë dhe nuk i japin hapësirë opozitës për të prezantuar programin e saj. Berisha theksoi rëndësinë e përdorimit të rrjeteve sociale për të përhapur mesazhet e fushatës.
Ai i nxiti kandidatët dhe mbështetësit që të ndajnë dhe promovojnë përmbajtjet e tyre në platforma si Facebook, Instagram dhe TikTok. Sipas tij, TikToku është një platformë që ka shqetësuar qeverinë, ndaj opozita duhet ta shfrytëzojë maksimalisht.
“Ju të gjithë jeni njerëz mediatikë, por problemi është se mediat nuk i kemi me vete, kjo është e vërteta.
Mediat janë në masën më të madhe të kontrolluara nga qeveria.
Qeveria jo vetëm që në tërësi ua dikton politikat editoriale, por qeveria për fat të keq u dikton edhe tematikat se si të vrasin kohën nëpër studio dhe të mos merren me thelbin.
Po ta vini re ju, kohën më të pakët që të japin në studio, është koha për programin.
Po ne programin kemi, ne aty shkojmë për programin se jemi në fushatë.
Atëherë çfarë na mbetet ne? Na mbeten mediat sociale.
Ju të gjithë keni mediat sociale dhe ju do bëni gjithçka t’i përdorni ato në shkallën më maksimale.
Dhe kur i përdorni vetë, u kërkoni të gjithë bashkëpunëtorëve tuaj të bëjnë share, t’i postojnë.
Me një fjalë, le t’i ndezim ne mediat sociale si asnjëherë tjetër.
Në vitin 2016, Donald Trump fitoi nga mediat sociale. Është shumë e njohur kjo. Ai fitoi se nuk i kishte mediat me vete, megjithëse vetë ka qenë në shoubiz, ka pasur program, por prapë mediat i kontrollonte tjetër kush. Përdori shumë mediat sociale.
Ne të kombinojmë këto faktorë, mediat sociale dhe takimin, të dyja në krahasim me krahun tjetër që është një krah mëkatar, i përçarë, që duhet t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit.
Ndaj dhe të bëjmë ç’është e mundur për përdorimin maksimal.
Shkarkoni VPN-të për TikTokun, mos e injoroni.
Pse u them unë mos e injoroni?
Se TikToku e tmerroi atë.
E tmerroi saqë e ka dërguar deri në atë shkallë sa ndërhyn për persona të veçantë dhe ua fshin llogarinë. Por këto janë akte dëshpëruese të tij.
Prandaj mundësisht krahas FB dhe IG, kthehuni tek VPN dhe shpresoj që të funksionojë TikToku në telefonat tuaj.
Ky ka kryer një krim madhor, ka vënë aparatura të kontrollit të plotë të internetit.
Është kthyer biri i të atit.
Në një mani të papërmbajtur për të kontrolluar fjalën e lirë dhe mendimet e shqiptarëve.
Por, natyrisht këto nuk janë pengesa për ne, këto janë nxitje për t’u përkushtuar shumë më tepër se gjer sot rrjeteve sociale”, tha Berisha.