’11 maji, dita e shpagimit të madh”, Xhixho: Veliaj dhe të tjerët bashkë me të si ai, nuk mund të paguajnë për Ramën

’11 maji, dita e shpagimit të madh”, Xhixho: Veliaj dhe të tjerët bashkë me të si ai, nuk mund të paguajnë për Ramën

Zv. presidentja e PL, Erisa Xhixho në prezantimin e kandidatëve të PL u shpreh se Erion Veliaj dhe të tjerët bashkë me të si ai, nuk mund të paguajnë për Edi Ramën.

Fjala e Zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho:

I nderuar President,
Të dashur motra dhe vëllezër,

Kur 20 vjet më parë, në vitin 2005, vendosa të angazhohem politikisht, as e kam ëndërruar dhe as e kam menduar se 20 vjet më pas, pra edhe në vitin 2025, sfida e madhe e shoqërisë shqiptare do të ishte përsëri lufta kundër qeverisjes së keqe, kundër qeverisjes së korruptuar, kundër qeverisjes së kriminalizuar.

Atëherë socialistët ishin në fundin e pushtetit të tyre, pas 8 vitesh në qeverisje. Dhe ikën duke ia shpëtuar nderin partisë së tyre e duke i bërë nder Shqipërisë.

Sepse, demokracia nuk është vetëm pjesëmarrje por përfaqësim që buron prej vullnetit qytetar shprehur me votë.

Demokracia është edhe lëvizje, është edhe ndryshim, edhe përtëritje e zhvillim.

20 vjet më pas, që prej kohës kur unë u angazhova politikisht me LSI-në, ja ku jemi sërish duke pasur përballë qeverisjen e një maxhorancë që edhe pse emrin e ka socialiste, nuk ka asnjë lidhje me socialistët e para 20 viteve.

Këta të sotmit, lidhjen e kanë me korrupsionin, lidhjet i kanë me krimin dhe botën e së keqes.

Është ky realitet, është kjo e vërtetë që e bën 11 majin e zgjedhjeve jo ditën e ballafaqimit të alternativave, por ditën e betejës së madhe për ta shpëtuar Shqipërinë nga gjysmëbanda e pushtetit që ende është jashtë burgut, në pritje t’i bashkohet gjysmëbandës së pushtetit që është brenda burgut.

Erion Veliaj dhe të tjerët bashkë me të si ai, nuk mund të paguajnë për Edi Ramën.

Drejtësia në demokraci do të thotë secili të paguajë vetë për krimet e bëra.

Talljen me popullin, detyrimin e dhunshëm ndaj shqiptarëve duke i detyruar me varfërinë, papunësinë dhe pasigurinë të braktisin atdheun, vjedhjen, grabitjen dhe poshtërimin me gjithëfarëlloj sajesash nga më ordineret e tipit 5-D e deri tek më të kamufluarat si inceneratorët, sterilizmin e PPP-të e pushtetit me krimin, janë arsyet madhore, janë motivi primar se përse më 11 maj duhet votuar. që Edi Rama dhe të tijtë si ai, të paguajnë para drejtësisë së votës së shqiptarëve. për padrejtësinë që e kanë kthyer në sistem zhvatjeje, vjedhjeve, nënçmimi dhe përçmimi.

Ndaj 11 maji është edhe dita e shpagimit të madh.

Beteja jonë nuk është për pushtetin.
Beteja jonë është për Shqipërinë Madhështore.

Ndaj, sot e në çdo ditë e natë deri më 11 maj, ne kemi mbi vete përgjegjësinë historike të shpëtojmë Shqipërinë nga grabitësit e një qeverie që ka mbushur xhepat e ministrave e të pushtetarëve me djersën e vjedhur shqiptarëve nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, me ministra dhe pushtetarë ka mbushur qelitë e burgjeve.

Le të mendojmë për një çast se, ajo që thotë Edi Rama se shokët e tij kanë ngrënë kumbulla pas shpinës së tij dhe pa dijeninë e tij, është e vërtetë.

Por, a mund të shërbejë kjo përrallë që ne të besojmë dhe të votojmë shokët e Erion Veliajt, të Ilir Beqajt, të Çyrbes e Çyrbeve të tjerë të bandës së tij, që të vazhdojmë e të dëgjojmë Kryeministrin të na e tregojë sërish këtë përrallë edhe për katër vjet të tjerë?!

12 vjet na dëshmuan fytyrën e vërtetë të këtij pushteti.
Shqipëria nuk mundet e as duhet ta durojë më zgjedhën e Edi Ramës.

Për Partinë e Lirisë, për Koalicionin për Shqipërinë Madhështore, për shqiptarët kudo, në Shqipëri e gjithkund nëpër botë, 11 maji është dita e apelit të madh.

Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë. Sepse qeveritë e kriminalizuara nuk e lënë pushtetin kollaj. Regjimet jetojnë mbi kurrizin e popullit.

Ndaj regjimet rrezohen. Rrëzohen me forcën e popullit.

Partisë së Lirisë i është imponuar një situatë absurde, e pazakontë dhe anormale.
Presidenti i saj, Ilir Meta, mbahet prej pesë muajsh në izolim ekstrem, pas një arrestimi politik e tërësisht në shkelje të ligjit nga bandat policore të Edi Ramës.

Kjo nuk ka dekurajuar, nuk na ka trembur, nuk na ka frikësuar. Madje kjo na ka bërë më të fortë.

Përpjekja e Edi Ramës për të dobësuar fuqinë politike të Ilir Metës është e dështuar që në nisje dhe ne të gjithë jemi të bindur për këtë.

Kjo është arsyeja pse presidenti i Partisë së Lirisë vendosi të kandidojë në listë të hapur.
Sepse besimi i njerëzve është garancia më e madhe.

Ilir Meta këtë besim e ka pasur gjithmonë, sepse është provuar si njeri i shërbimit ndaj qytetarëve e ndaj atdheut.

Edi Rama e izoloi politikisht Ilir Metën për ta pasur më të lehtë. Por, i ka bërë llogaritë gabim.
Sepse Ilir Meta edhe nga burgu do ta mundë Edi Ramën.

Partia e Lirisë është krenare për Presidentin e saj dhe ne do të fitojmë edhe për Ilir Metën.

Prandaj, tani, sot menjëherë e si sot çdo ditë e më shumë deri më 11 maj, ne duhet të shumëfishojmë veten, të shumëfishojmë energjitë dhe këmbënguljen, të punojmë pa u lodhur dhe me besim se ka ardhur ora e shpresës, ka ardhur ora e Shqipërisë Madhështore!

Share it :