Florian Binaj: Ne na e kërcënon jetën dhe një blerje e thjeshtë në treg
Editorial/ Nga Florian Binaj
Ne shqiptarët nuk na kërcënon lufta, armët kimike apo terrorizmi. Ky është luks. Ne na e kërcënon jetën dhe një blerje e thjeshtë në treg.
Një mandarinë me pesticide.
Një kremviçe për fëmijë e pregatitur me mish me salmonelë.
Një vezë nga pula të sëmura me grip shpendësh.
Kur them një, mund të jenë dhe 1 milion. Që ndoshta i kemi ngrënë. Që ndoshta po i hamë në këtë moment.
Sepse po ta mendosh mirë, është më e lehtë të vrasësh dikë me një vezë të infektuar sesa me një armë. Dhe është më e lirë.
Dhe këtu nuk kemi më të bëjmë me mungesë kontrolli. Ky është krim. I heshtur, por i organizuar. Dikush po na vret.
Nuk e kemi më luksin të themi “faji ëshët jetim”. Dikush ka faj. Dikush ka firmosur. Dikush ka mbyllur sytë. Dhe ndërkohë, dikush tjetër po na helmon.
Nuk jemi më në fazën kur duhet të kërkojmë përgjegjësi vetëm nga fermerët apo tregtarët. Por ku janë inspektorët? Ku janë analizat? Ku është shteti që paguajmë për të na mbrojtur? Ku është ministrja, që për vete ndoshta ha vezë dallëndyshesh?
A e kuptoni që fëmijët tanë mund të hanë vezë me grip shpendësh ndërkohë që shikojnë përmbi televizor lodrat e Kinderit? A e kuptoni që çdo produkt “made in Albania” ka filluar të na tingëllojë si kërcënim?
Ky nuk është më treg. Është një fushë e minuar. Dhe ne, qytetarët, po ecim zbathur.
Ndaj, duhet të pyesim: sa kohë do të heshtim akoma? Sa njerëz duhet të sëmuren apo të vdesin që të lëvizë dikush apo diçka?
Shqiptarët nuk janë të uritur. Janë të rrezikuar. Nga shqiptarë të tjerë, tregëtarë, inspektorë, drejtorë, ministresha. Dikush po na vret. Dhe ka ardhur koha, të luftojmë për jetën tonë.