Çekrezi: Fitorja e PD, domosdoshmëri për shpëtimin e Shqipërisë dhe ndryshimin e regjimit të dështuar
Në fjalën e tij në takimin elektoral të kësaj të diele, Kryetari i Partisë Demokratike, dega Elbasan, Durim Çekrezi, ka nënvizuar sfidat e mëdha që ka kaluar Shqipëria në vitet e fundit, si dhe ka prezantuar programin e partisë për një të ardhme më të mirë për shqiptarët.
Çekrezi i ka dhënë një rëndësi të veçantë bashkimit të forcave politike dhe ka theksuar nevojën për ndryshim, duke vënë theksin te mbështetja për qytetarët dhe politikat që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës.
Ai ka ftuar të gjithë shqiptarët të bashkohen në këtë luftë për shpëtimin e vendit dhe për ndalimin e një qeverisjeje që, sipas tij, ka sjellë varfëri dhe regres. Ai ka garantuar mbështetje për ata që kanë më shumë nevojë dhe ka premtuar një të ardhme më të sigurt për çdo familje shqiptare.
Durim Çekrezi: I nderuar kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Prof, Dr, Sali Berisha.
Të nderuar kandidatë të Aleancës për Shqipërinë Madhështore.
Të dashur demokratë dhe qytetarë të Elbasanit. Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne, sepse kemi mes nesh liderin historik të kësaj partie, simbolin e qëndresës dhe shpresës, doktor Berishën.
Prej 12 vitesh, Shqipëria po kalon një nga periudhat më të errëta në historinë e saj. Varfëria është rritur, rinia po largohet në mënyrë masive. Bizneset po falimentojnë dhe oligarkët kanë uzurpuar gjithçka. Kjo qeveri ka shkatërruar ëndrrën e shqiptarëve për një jetë më të mirë, dhe ka tradhtuar besimin e qytetarëve me korrupsionin dhe arrogancën e saj.
Katër vitet e fundit kanë qenë një sfidë e jashtëzakonshme për forcën tonë politike. Një regjim i padrejtë u përpoq të na shuante, na përçante, të na gjunjëzonte. Por, ata harruan diçka. PD nuk është thjesht një parti. Pd është ideali i shqiptarëve për liri dhe demokraci, falë vendosmërisë së doktor Berishës dhe besnikërisë së demokratëve të vërtetë, ne u ngritëm më të fortë se kurrë. Sot jemi këtu më të bashkuar dhe më të gatshëm se kurrë më parë.
Kjo fushatë nuk është thjeshtë një garë elektorale, por betejë për shpëtimin e Shqipërisë. Programi ynë është i qartë dhe konkret. Unë do të përmend vetëm paketën e dhembshurisë.
Vetëm 100 ditët e para, do të vendosim minimumin jetik prej 200 euro për çdo shqiptar dhe do të ndihmojmë familjet në nevojë.
Mbështetje për pensionistët. Asnjë pension nuk do të jetë më pak se 200 euro në muaj. Pensionet do të rriten me 20% dhe çdo i moshuar do të pajiste me kartën e konsumatorit e cila do ti kthejë mbrapsht TVSH-në për ushqimet, energjinë, ujin dhe ilaçet.
Do të ulet çmimi i energjisë elektrike dhe do të falen gjobat e padrejta për pensionistët.
Ulja e taksës për biznesin dhe shtresën e mesme për të sjellë rritje ekonomike dhe vende pune.
Mbështetje për fermerin dhe prodhimin vendas, për të siguruar ushqim të lirë dhe cilësor për çdo familje shqiptare.
Elbasani dhe e gjithë Shqipëria, ka nevojë për një qeveri që u shërben njerëzve dhe jo të pasurohen në kurriz të tyre.
Sot jemi këtu me ekipin e kandidatëve të listës tonë fituese. Burra dhe gra të ndershëm, profesionistë të cilët do të na përfaqësojnë me dinjitet në këtë garë elektorale dhe do të na sjellin ndryshimin e madh për gjithë shqiptarët.
Demokratë dhe qytetarë, fitorja nuk është vetëm një shpresë, është një domosdoshmëri.
Më 11 Maj, t’i japim fund këtij regjimi dhe të hapim një kapitull të ri për Shqipërinë.