Ça bane e la?’ – një podcast për Elbasanin, për njerëzit e tij dhe për të vërtetat që duhen thënë
Nga Tomorr Alizoti
‘Ça bane e la?’ – një podcast për Elbasanin, për njerëzit e tij dhe për të vërtetat që duhen thënë
Një hapësirë ku mund të flasim lirshëm për Elbasanin, për çfarë na shqetëson, çfarë na mungon, por edhe për atë që na bën krenarë. Një mundësi për të ndarë mendime, për të dëgjuar zëra të ndryshëm, dhe për të reflektuar mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij qyteti me histori e kulturë të pasur.
E kam për nder ta nis këtë rrugëtim me një figurë të njohur për qytetin e Elbasanit por edhe politikën e Partinë Demokratike. Është z. Ardian Turku, një përvojë e gjatë në Partinë Demokratike, që ka kaluar disa etapa të rëndësishme në jetën politike të vendit. Njohës i mirë i realitetit të Elbasanit, zëri i tij do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë sfidat, rrugët e ndërlikuara të tranzicionit dhe mundësitë për të ardhmen.
Ky podcast është një ftesë për dialog, për të folur hapur për problemet dhe hallet e përditshme të qytetit, por edhe për të nxjerrë në pah vlerat, historinë dhe njerëzit e mirë të Elbasanit.
Do të takohemi shpesh – me të ftuar, për probleme, shqetësime dhe me pyetje që ndoshta s’i kemi bërë kurrë me zë të lartë. Do të ndajmë ide, do të nxisim reflektim, do të diskutojmë, por pse jo – edhe do të qeshim, se Elbasani e do fjalën, por do edhe humorin. Dhe pikërisht për këtë arsye, ky podcast titullohet: “Ça bane e la?”, një shprehje që e di çdo Elbasanlli.