Bardhi: T’i japim fund të keqes që sundon prej 12 vitesh!
Në prezantimin e kandidatëve për deputet të PD në Lushnjë, drejtuesi politik i qarkut Fier, Gazment Bardhi, ka shprehur optimizëm dhe besim në entuziazmin e qytetarëve të këtij qarku për zgjedhjet e 11 majit.
Në fjalën e tij, Bardhi akuzoi qeverinë e Edi Ramës për dështime të shumta, veçanërisht në fushat e infrastrukturës, arsimit dhe bujqësisë.
Bardhi: Të dashur bashkëqytetarë, jam shumë i lumtur për entuziazmin dhe energjinë tuaj. Bashkë me ekipin më të mirë për Fierin dhe lidershipin e PD, Profesor Doktor Sali Berishën, jam i sigurt se ky entuziazëm, kjo energji kaq pozitive, ky vullnet për ndryshim, janë arma jonë më e fortë për të na çuar drejt fitores në zgjedhjet e 11 Majit. Ne jemi sot këtu të bashkuar si misionarë për të bërë Shqipërinë, një vend ku punohet, një vend që shpërblen punën, një vend ku jetohet më mirë. Ne jemi sot të bashkuar kudo. Në Lushnjë, në Fier, në Patos, në Roskovec, në Divjakë e Mallakastër ashtu sin ë gjithë Shqipërinë, për t’i dhënë fund me votë, të keqes që prej 12 vitesh po sundon shqiptarët me metodat më mafioze dhe më poshtëruese.
Kam takuar shumë prej jush këtë javë, në qytete dhe shumë fshatra të qarkut Fier. Mesazhi i parë dhe kryesor që marrin nga secili qytetar është ‘se u ka ardhur në majë të hundës.
Janë të zhgënjyer deri në pikën ku mallkojnë veten pse kanë votuar një parti që vetëm i ka shfrytëzuar për votën pa mbajtur as më të voglin premtin. Është e papranueshme që të kesh në dorë qeverinë prej 12 vitesh me radhë dhe të mos bësh një ujësjellës të ri, një kanalizim, të mos shtrosh një rrugë të re, të mos japësh subvencione për fermerët pa interesa korruptive. Është e papranueshme që të kesh 12 vjet çdo pushtet dhe të mos rrisësh pensionet, të mos hapësh një vend pune, të mos ndihmosh bujqësinë me investimet e duhura. Ky nuk është thjesht një dështim i një qeverie. Ky është shkatërrim i një vendi, ky është shkatërrimi I Shqipërisë, ne duhet ta shpëtojmë.
Dështimi i Edi Ramës dhe maronetave të tij, që kandidojnë këtu në Lushnjë dhe gjithë qarkun e Fierit, përkthehet në humbjen e disa gjeneratave në shpërbërjen e një kombi. Edi Rama erdhi para katër vitesh në qarkun e Fierit dhe premtoi hapjen e një universiteti ndërkombëtar në Fier, por ju jeni dëshmitar që jo vetëm nuk hapi universitet ndërkombëtar siç premtoi por vetëm në Lushnjë këtu ku jemi sot, nën drejtimin e 12 viteve janë mbyllur mbi 18 shkolla, në nivel drejtorie arsimore. Në të gjithë Fierin, ka më shumë se 30 shkolla të mbyllura, sepse nuk ka më nxënës. Kanë ikur bashkë me familjet nga sytë këmbët, sepse këtu korrupsioni u ka mbyllur çdo derë e çdo mundësi.
Na takon ne, Partisë Demokratike, t’i japim fund kësaj fatkeqësie ndërkombëtare. E dëgjoj pafund çdo ditë nga shumë Lushnjarë e fierakë, në të gjithë qarkun, që më thonë se këtë herë do të votojnë kundër Edi Ramës. E kuptoj protestën e tyre, zhgënjimin e partisë që u premtoi parajsën dhe u dha ferrin.