Berisha: Garantoj lushnjarët dhe shqiptarët se bandat dhe banditët do dalin të gjithë para ligjit
Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në Lushnje ku dhe ka prezantuar kandidatët për deputetë, se Zaka do të ketë fatin e ish-deputetit të Ramës, Çyrbja. Ai tha gjithashtu se, të gjithë banditët dhe bandat do të dalin atje ku e kanë vendin, para ligjit.
“Miqtë e mi, Made in Albania do jetë krenaria jonë kombëtare.
Memeja e gjallë, se kështu po e quajmë ne atë, ai që më quan mua buf, po ai nuk e kupton se më ka dhënë një epërsi të jashtëzakonshme dhe unë u garantoj se do përdor të gjithë eksperiencën dhe mençurinë time për ta përzënë me datën 11 maj së bashku me ju.
Lëre mos e pyet!
Kopjon dhe imiton si majmuni, sot deklaronte se do prodhojmë makina ushtarake Made in Albania.
Jo mo jo, do e fillojmë me qumështin, me misrin, me frutat, me zarzavatet, me biznesin e vogël, me biznesin e madh.
Do prodhojmë edhe makina, do prodhojmë çdo gjë.
Shqipëria do jetë prodhuese, prodhuese dhe vetëm prodhuese.
Biznesit të vogël, tavanin nga 140 mijë euro do e ngremë në 180 mijë euro për TVSH-në dhe tatim-fitimin. Zero nën 180 mijë euro do kenë TVSH apo tatim-fitim.
Biznesi i vogël do paguajë asnjëherë më shumë se 1 të dhjetën e xhiros, taksë që i vë bashkia e Shytëve këtu, apo bashkia e Erionëve në Tiranë, apo e atij tjetrit në Fier.
Jo, jo, 1 përqind, nuk do i vënë dot më shumë.
Do të diktohet sipërfaqja publike.
Isha në treg, një keqardhje të madhe, njerëz që sakrifikonin shumë, në këmbë gjithë ditën, në kushte të vështira, dhe paguanin nga 120 mijë lekë që e kishin pasur sipërfaqen publike, e paguanin tani 1500 lekë, rritur 15 fish. Merr fund batërdia mbi bizneset e vogla.
Biznesi i madh dhe bizneset e tjera do kenë taksën 10 përqind.
TVSH do ulet në 15 përqind.
Do hiqen një seri masash shtrënguese, inspektoriatet do marrin karakter krejt tjetër.
Pra, Made in Albania do jetë hapi i madh drejt Shqipërisë Madhështore.
Miq, por Shqipëria Madhështore e ka kusht të të gjitha kushteve pastrimin e shtëpisë tonë.
Në qoftë se nuk ndahemi me krimin dhe hajnat, me hajdutët që pinë gjakun tuaj si shushunja ditë për ditë, ne të ardhme nuk kemi.
Ndaj u jap fjalën se me forcën e ligjit do vendoset përpara drejtësisë çdo lidhje krimi, çdo kriminel, çdo qeveritar i inkriminuar.
Këtu banda ka rrëmbyer tregun e ndërtuar me paratë tuaja, taksat tuaja. Ndan paratë me kryetarin e bashkisë dhe fshatarëve u merr sa frëngu punën.
11 maji është zgjidhja. Pa le, kishte kandiduar edhe deputetin për ta sjellë në parlament.
Fatin e Çyrbjes do të ketë Zaka. Se edhe Çyrbjen, Avdylajt e sollën, po ja ku është atje. Edhe Zaka atje do të shkojë.
Nuk keni të drejtë të kandidoni ju në parlament, ju e keni vendin aty ku e keni për veprat që keni kryer.
Ndaj u jap fjalën e nderit lushnjarëve dhe shqiptarëve, se një nga një, bandat dhe banditët, kudo që janë, edhe në shpellat më të thella po u futën, do vendosen para ligjit.
Shqipëria Madhështore është Shqipëria e ligjit, e të drejtave të qytetarëve, e dinjitetit të tyre. Nuk ka bandit, nuk ka ministër, nuk ka njeri që mund t’i shkelë ato”, u shpreh Berisha.