Berisha: Narkodiktatura mori goditjen më të rëndë në dy tempujt e demokracisë në Europë!
Dy seancat e mbajtuar në dy institucionet më të rëndësishme evropiane, Këshillin e Evropës dhe PPE, janë tejet të rëndësishme në 34 vite rrugëtim të PD.
Kështu u shpreh kryetari i PD, Sali Berisha në një dalje për mediat këtë të enjte, teksa tha se kjo javë ishte e parecedentë për qeverinë shqiptare, pasi narkodiktatura e Edi Ramës, mori goditjen më të rëndë në tempujt e demokracisë evropiane.
Berisha tha se, këto zhvillime madhore në historinë e Shqipërisë u censuruan në mënyrë më të papërgjegjshme nga mediat dhe zyrat e qeverisë, ndërsa e vuri theksin te kambanat që po bien për narkoshtetin.
“Kjo javë ishte e paprecedentë në 34 vite udhëtim të PD-së.
Këtë javë, narkodiktatura e Shqipërisë, e Edi Ramës, mori goditjen më të rëndë në tempujt e demokracisë evropiane me dy seancat dëgjimore në dy tempujt më të mëdhenj të demokracisë në Europë, të parlamentarizmit në Europë.
Kurrë në 34 vite nuk ka ndodhur asnjëherë dhe për asnjë vend që në një javë të mbahen dy seanca të një rëndësie të veçantë, të kushtuar të njëjtit vend, në Këshillin e Europës, në grupet parlamentare të PPE dhe grupin parlamentar të europianëve konservatorë, dhe dje në një seancë tjetër kushtuar po Shqipërisë, kushtuar po të njëjtave problemeve, në Komisionin e Jashtëm dhe të Sigurisë të Parlamentit Europian.
Këto zhvillime madhore në historinë e Shqipërisë u censuruan në mënyrë më të papërgjegjshme nga mediat dhe zyrat e qeverisë.
Por të dashur qytetarë dhe qytetare, këto zhvillime të pashembullta për një vend, në një hark kohor treditor, dëshmojnë interesin e madh dhe absolut të këtyre institucioneve kryesore të lirive, të drejtave njerëzore, zgjedhjeve të lira dhe sigurisë në Europë dhe në BE.
Këtyre institucioneve kryesore të parlamentarizmit.
Për narkoshtetin po bien kambanat. Kjo është e vërteta e këtyre sesioneve të jashtëzakonshme.
E vërteta është se nuk ka ndodhur kurrë në historinë 34-vjeçare që këto institucione të kenë në axhendën e tyre Shqipërinë, problematikat e saj madhore, zgjedhjet e dhunuara sistematikisht, krimin e organizuar që ka kapur majën e shtetit, terrorin politik dhe shtypjen e opozitës.
Nuk ka veçse një mirënjohje të pakufishme ndaj drejtuesve të këtyre institucioneve, që përparësuan në seanca të veçanta, jashtë programit të parashikuar, problemet madhore aktuale të Shqipërisë”, tha Berisha.