Nikola Kedhi: Ky nuk është një program vetëm për katër vite, ky është një vizion për një shekull të ri shqiptar!
nderuar kryetar i Partisë Demokratike, Doktor Berisha,
I nderuar zoti Chris LaCivita, strateg dhe bashke-drejtues i fushatës historike të Presidentit Trump. Mire se erdhet ne levizjen me te madhe patriotike qe ky vend ka njohur për të shpëtuar Shqipërinë nën drejtimin e Partisë Demokratike,
Të nderuar delegatë, të nderuar të ftuar,
Sot jemi një ditë pas një hapje madhështore të fushatës sonë zgjedhore. Sot e gjithë Shqipëria flet për atë që pa në shesh: njerëz të lirë, patriotë, qëndrestarë që sollën një energji shprese dhe fitore, pas një qëndrese heroike shumë vjeçare në mbrojtje të atyre vlerave, simboleve dhe ideve që ata – që ne të gjithë – besojmë.
Ne treguam se jemi ata që kemi forcën dhe kurajën e jashtëzakonshme që t’i dalim në krah një kombi që po humbet rrugën.
E vërteta është e thjeshtë: Shqipëria është në krizë të thellë. Jo vetëm politike dhe ekonomike – por morale, kulturore, demografike. Dhe përgjegjësia për këtë është e qartë: një klikë politike që ka qeverisur për vete dhe ka sunduar përmes frikës, gënjeshtrës dhe pazareve.
Kjo nuk është thjesht keqqeverisje. Kjo është një agjendë e miremenduar dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të ardhmes së shqiptarëve.
Sot sistemi i ngritur në Shqipëri funksionon vetëm për një pakicë që kontrollon gjithçka – ekonominë, drejtësinë, tokën, energjinë, portet, pasuritë.
Sipërmarrjet janë të trembura në mungesë të konkurrencës dhe me dorën e rëndë të burokracisë gjigande në supet e tyre.
Ata e duan një Shqipëri të zbrazur, të varur, të uritur për ndihma. Ne duam një Shqipëri të lirë, të zotë, që ecën mbi këmbët e saj.
Sot ne nuk jemi më opozita. Ka kohë që ne nuk jemi më të tillë. Prej vitesh demokratët janë misionarët patriotë të këtij vendi. Sot jemi alternativa e vetme.
Ne nuk ofrojmë veç disa politika apo propozime. As një program të thjeshtë. Partia Demokratike i shtrin dorën çdo shqiptari në një Besëlidhje Kombëtare, për t’u bashkuar me një vizion afatgjatë, optimist, dhe tërësisht realist. Ne shohim një Shqipëri ku familjet mbështeten, dhe jo rëndohen apo dhunohen; ku të rinjtë zgjedhin të qëndrojnë, të edukohen, të investojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre; dhe ku një ekonomi dinamike krijon mundësi për të gjithë.
Shqiptarët do të kthehen pa frikë në vendin e tyre, në vendin që u takon dhe të cilit i përkasin. Shqipëria europiane nuk është Shqipëria e shpopulluar! Shqipëria europiane është Shqipëria me shqiptarët që kthehen të ndërtojnë standardet europiane në vendin e tyre, pranë familjeve të tyre. Kur u riktheva pas studimeve dhe një eksperience pune jashtë, ky ishte synimi im. Partia Demokratike e ka krijuar këtë mundësi që të gjithë ata që janë jashtë të kontribuojnë nëpërmjet departamentit Brain Gain. Kjo është garancia më e madhe që nesër PD dhe Aleanca që ajo drejton do kthejnë shqiptarët sërish në tokën e tyre.
Ne japim Besën për një kthesë historike. Jo rrotullime në vend. Për një shtet që liron energjinë krijuese të shqiptarëve, jo që e zhyt në burokraci. Një sistem që shpërblen punën, jo lidhjen klienteliste. Një shoqëri që ngrihet mbi meritën, jo mbi marrëveshje të pista.
Programi ynë është i thjeshtë dhe radikal në të njëjtën kohë:
Ekonomi prodhuese, jo ekonomi koncesionesh dhe borxhesh.
Taksë të ulët, dhe një shtet të vogël, që nuk të grabit por të ndihmon.
Garanci për pronën dhe shenjtërinë e saj.
Një sistem arsimor që rrit njerëz të lirë, jo punonjës të bindur.
Një shtet që mbron kufijtë dhe identitetin, jo që shet territor dhe fshin historinë e traditën.
Tani është koha për ndryshim—një ndryshim të vërtetë dhe të qëndrueshëm që përqafon forcën e popullit tonë dhe potencialin e kombit tonë.
Së bashku, ne do ta transformojmë Shqipërinë në një burim shprese, në një vend ku familjet rriten të forta duke pasur mundësitë ekonomike, dhe kombi zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme.
Ne besojmë që forca e një kombi vjen nga familja, nga puna, nga besimi, nga tradita.
Dhe po: besojmë se nuk ka zhvillim pa dinjitet.
Të nderuar miq,
Ky nuk është një program vetëm për katër vite. Ky është një vizion për një shekull të ri shqiptar.
Ata e kanë frikë këtë vizion, sepse për herë të parë përballen me një forcë që nuk blihet, nuk trembet dhe nuk ulet për kompromis. Ju të gjithë dhe demokratët jashtë kësaj salle çliruat ndjenjën natyrale të çdo shqiptari që ka buçitur në shekuj – dëshirën për liri dhe dinjitet. Kjo nuk kontrollohet dhe kësaj shënje force nuk dinë si ti përgjigjen.
Demokratët janë një kokëfortësi e historisë, janë një forcë që sado të përpiqen nuk shuhet, por rikthehet në një ortek zemrash të lira sa herë e kërkon Shqipëria. Sot shqiptarët janë më të trimëruar nga rezistenca e demokratëve, dhe më të prirur të hapin mendjet e zemrat për tu bashkuar me vizionin e Partisë Demokratike, për të realizuar ëndrrën shqiptare.
Kjo është një kohë për të zgjedhur. Dhe zgjedhja nuk është më mes dy partive. Është mes dy rrugëve:
Rruga e shkatërrimit të plotë të vendit, apo rruga e ringritjes kombëtare dhe transformimit të plotë
Dhe për ata që thonë se nuk mundet, që kanë humbur shpresën, që janë lodhur – ju them:
Gjithmonë përpara ringritjes vjen errësira. Por drita lind kur një popull vendos të mos dorëzohet.
Demokratët nuk dorëzohen.
Sepse Shqipëria nuk na është dhënë për ta administruar, por për ta shpëtuar.
Sepse kjo tokë është më shumë se një vend – është amanet. Amanet që Partia Demokratike do e çoje në vend!
Zoti e bekoftë Shqipërinë. Dhe Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët që nuk pranojnë më të heshtin.
Koha është tani. E ardhmja është e jona. Dhe shekulli ne te cilin jemi… është shqiptar.