Takim entuziast në Durrës/ Bajramaj: Korrupsioni dhe mungesa e mundësive po shtyjnë rininë të largohet
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sonte një takim me demokratët në Durrës, ku Artion Bajramaj, aktivist i kauzave qytetare, theksoi realitetin e hidhur të qytetit nën qeverisjen aktuale.
Në këtë takim, një nga aktivistët e kauzave qytetare, Artion Bajramaj, ndau me mbështetësit e PD-së një mesazh të fuqishëm, duke përshkruar realitetin e hidhur që po kalon qyteti dhe rinia shqiptare nën qeverisjen aktuale. Ai theksoi se shumë prej mundësive për zhvillim, si arsimi, punësimi dhe biznesi, janë kthyer në privilegje të një grupi të ngushtë lidhur me regjimin në pushtet, duke përjashtuar shumicën e qytetarëve.
“Luftëtarë të pamposhtur në këtë betejë 12-vjeçare, simbolet e dinjitetit, këmbënguljes, energjisë dhe besimit, të nderuar kandidatë të PD, motorri kryesor i kësaj fushate elektorale dhe figurat për të cilët jemi krenarë sot, të nderuar votues, mbështetësit tanë kryesorë, burimi primar i energjisë dhe forcës politike. Unë quhem Artion Bajramaj. Jam rritur dhe kam studiuar në këtë qytet, jam diplomuar, jam punësuar, kam investuar në sipërmarrje dhe së fundmi po ndërtoj familjen time në këtë qytet.
Ajo që po kuptojmë çdo ditë është se, edhe nëse një person përpiqet t’i qëndrojë larg politikës, është politika që bëhet pjesë e tij. Mundësitë e mira të studimit janë ekskluzivitet i njerëzve të lidhur me regjimin, mundësitë e punësimit janë të privilegjuar për ata që janë të lidhur me regjimin. Mundësitë për të bërë biznes janë ekskluzivitet i atyre që janë të lidhur me regjimin. Në Durrës është e pamundur të bësh sukses nëse nuk je i lidhur me regjimin.
Ne jemi lodhur nga padrejtësitë, jemi lodhur nga mungesa e mundësive, jemi lodhur nga kjo qeveri që e trajton rininë si problem dhe jo si potencial dhe na detyron të largohemi. Ne jemi lodhur nga korrupsioni në arsim, mungesa e infrastrukturës në Durrës, jemi lodhur nga kryetarja e paaftë dhe jo kompetente e Bashkisë Durrës, që po e mban qytetin në një gjumë letargjik, edhe pse sezoni është dinamik.
Shqipëria që duam nuk është ajo që ikën, por ajo që ndërton. Ne duam ta ndërtojmë Shqipërinë me votë, me punë, me vizion dhe me guximin se nuk do të nënshtrohemi kurrë.
Rroftë rinia shqiptare, rroftë Durrësi që zgjohet dhe lufton!”, tha Bajramaj.