Berisha: Pas 11 Majit, shqiptarët nisin udhën për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat, pensionet dhe mbështetjen e tyre
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim madhështor në Vlorë, ka prezantuar kandidatët për deputetë të PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore në këtë qark.
Pas përshëndetjes për mikpritjen entuziaste, Berisha u shpreh se, Shqipëria pas 11 Majit, do të nisë udhën për të dalë në krye të vendeve të rajoni, për rrogat, pensionet dhe për mbështetjen e tyre nga shteti.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, qytetarëve të Vlorës, banorëve të këtij qarku nga Konispoli në Mifol.
Vlonjateve dhe vlonjatëve në Vlorë, në Shqipëri dhe kudo që ndodhen sonte.
Mirënjohjen më të pakufishme për këtë mbështetje të jashtëzakonshme.
Dua të përshëndes gjithashtu këtu para jush, në emër të koalicionit, udhëheqësin politik të qarkut të Vlorës, zotin Bujar Leskaj.
Drejtuesen politike të Sarandës, zonjën Ina Zhupa.
Ekipin e mrekullueshëm të përfaqësuesve tuaj në parlamentin shqiptar, krenari për Vlorën, krenari për Shqipërinë.
Miqtë e mi, unë vij tek ju për të paraqitur para jush projektin e Shqipërisë Madhështore.
Por theksoj këtu se në rast se ky projekt do kishte një djep, djepi i madhështisë së shqiptarëve është Vlora.
Është Vlora e bukurive mahnitëse. E pasurive të jashtëzakonshme.
Por është Vlora e të pamundurave madhështore në historinë tonë kombëtare.
E flamurit të pavarësisë.
E betejave të fituara me perandoritë.
Asgjë, askund nuk shkon më shumë shpirti madhështor dhe i pamposhtur i shqiptarëve se në Vlorë tek vlonjatët.
Kur ne paraqitëm apo vendosëm të paraqesim para jush projektin tonë për një Shqipëri Madhështore, pati jo pak nga ata që menduan se këtu ka një ekzagjerim, se këtu ka një mungesë realizimi.
Në të vërtetë nuk ka asnjë mungesë realizmi, nuk ka asnjë ekzagjerim sepse ne jo vetëm kemi të tillë historinë, por PD ka të tillë trashëgiminë.
Është partia që përmbysi diktaturën.
Është partia që ndërtoi tregun dhe Shqipërinë e lirë.
Është partia që anëtarësoi Shqipërinë në NATO.
Demokrate e demokratë të Vlorës, është partia që u përpoqën ta shuajnë nga faqja e dheut sepse qëndroi shqiptare, qëndroi partia e idealeve të lirisë, të dinjitetit njerëzor, të dinjitetit shqiptar.
Pak muaj më parë menduan se i lanë duart me ne, por ja ku jemi sot të ngritur si Sfinksi në zenit, të pamposhtur, të sigurt në fitore.
Ne jemi burrat dhe gratë që besojmë se i bëjmë të pamundurat të mundura.
Që besojmë se Shqipërinë do e shpëtojmë nga e keqja që i ka rënë.
Nga e keqja e radhës, sepse kombi ka njohur të këqija të mëdha.
Por si kjo e fundit, ndër më të shëmtuarat, ndër më antishqiptaret, kjo e keqe e madhe zbrazi Vlorën e bukurive përrallore, Vlorën e pasurive përrallore, zbrazi Shqipërinë më shumë, më keq se çdo pushtim në histori.
Miqtë e mi, por ne u ngritëm si shqiptarë që besojnë se do bëjmë të pamundurën të mundur.
Që besojnë se këtë regjim, këtë të keqe, do e shkulim nga rrënjët. Do e përcjellim në arkivat e historisë.
Shqipërinë Madhështore, ndërtimin e saj, ne e nisim nga shpirti madhështor i shqiptarëve, i nënave, motrave, burrave dhe grave, të cilët në shekuj kanë ndarë kafshatën me njëri-tjetrin, nuk kanë pranuar kurrë të lënë në mjerim siç ndodh sot.
Po miq, e kemi shpallur, do e nisim nga zemra e dhimbsur.
Do ta nisim me përulje.
Do ta nisim me njerëzi.
Me kujdes për ata që ky regjim pothuajse i përjashtoi nga Shqipëria, i varfëroi, i poshtëroi, i topiti dhe i la në mjerim ekstrem.
Jo, jo. Nuk do ketë më asnjë shqiptar që do jetë në mjerim ekstrem sepse ne taksat tuaja, paratë tuaja, djersën tuaj, para së gjithash dhe mbi të gjitha, do ua kthejmë ju dhe vetëm ju.
T’i pyesim pak këta qeveritarë, si mund të dilni ju para qindra e mijërave burrave dhe grave që shkrinë jetën e tyre, shkrinë energjitë e tyre për Shqipërinë që është sot dhe tani trajtohen në mënyrën më mjerane, më poshtëruese.
Marrin pension më pak se sa Gjermania jep për kafshën shtëpiake.
Ndërkohë ministrat, mbiministrat marrin 50 pensione.
Ndërkohë ministrat, mbiministrat ulen me pjata 15 pensione. Hapin shishe 30 pensione.
Si mundet? A mund të ecim në këtë mënyrë? Jo.
U jap ju fjalën se 3 muajt e parë, kjo situatë përmbyset. Shqiptarët në mjerim nuk do ketë më.
Çdo shqiptar do marrë 200 euro. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro.
Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro.
Mësuesit e fëmijëve tanë do marrin 1500 euro.
Shqipëria, shqiptarët nisin udhën për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat, pensionet dhe mbështetjen e tyre”, u shpreh Berisha.