Leskaj: PD-ASHM vjen para vlonjatëve me një vizion dhe program të qartë për të sjellë ndryshimin!
Drejtuesi politik i PD i Qarkut Vlorë, Bujar Leskaj ka mbajtur fjalën e tij gjatë aktivitetit të prezantimit të kandidatëve në Vlorë. Ai deklaroi se PD dhe koalicioni për Shqipërinë Madhështore janë në një mision të shenjtë për të përmbysur autokracinë dhe për të rikthyer demokracinë e vërtetë.
Leskaj akuzoi qeverinë aktuale si kleptokratike, të korruptuar dhe përgjegjëse për varfërimin dhe shpopullimin e vendit. Ai krahasoi Edi Ramën me Esat Pashën, duke e cilësuar si të gatshëm të shesë çdo vlerë kombëtare për pushtet.
“Sot me demokratët, PD dhe koalicioni për Shqipërinë Madhështore, jemi këtu përballë qytetarëve tanë të dashur vlonjat dhe gjithë banorëve të qarkut të Vlorës, në një mision të shenjtë për përmbysjen e autokracisë së sektit Rama dhe rikthimin e demokracisë së vërtetë në Shqipëri.
Për 12 vite me radhë, Shqipëria është mbajtur peng nga një regjim kleptokratik, i korruptuar dhe antikombëtar.
Një regjim që nuk njeh kufij në vjedhje, në mashtrime dhe në varfërimin sistematik të popullit tonë.
Një qeveri që sundon mes frikës, varfërisë dhe shpopullimit masiv.
Edi Rama, ideatori i Ballkanit të Hapur, është Esat Pasha i kohëve moderne, i gatshëm të shesë çdo gjë, të nëpërkëmbë çdo gjë, çdo ideal kombëtar, dhe të nënshtrojë çdo vlerë për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.
Në këtë realitet, Partia Demokratike nuk është thjesht opozita dhe shpresa, është detyra, është përgjegjësia historike, është zëri i qytetarëve të përgjegjshëm, është forca e ndryshimit, është alternativa e vetme për një Shqipëri më të drejtë, më të barabartë, më të zhvilluar, për një të ardhme madhështore.
Të dashur miq, zgjedhjet e 11 majit nuk janë thjesht zgjedhje, por janë një udhëkryq historik: do të zgjedhim të qëndrojmë të nënshtruar, peng të sektit Rama apo do të marshojmë drejt një Shqipërie evropiane, moderne, të lirë.
Qëllimi ynë si demokratë është i qartë: të sjellim ndryshimin përmes një Shqipërie madhështore.
Sikurse e gjithë Shqipëria, edhe i gjithë qarku i Vlorës ka përjetuar një krizë të thellë ekonomike, sociale dhe institucionale.
Emigracioni ka lënë bosh lagjet, rrugët dhe shkollat tona.
Fshatra të tërë të boshatisur.
PD – ASHM, vjen para Vlorës e vlonjatëve me një vizion të qartë duke prezantuar një program gjithëpërfshirës që prek çdo fashë sociale e ekonomike të vendit, të zemrës sonë e të qarkut tonë, ku çdo individ, qytetar, fermer, biznes i vogël e i mesëm e gjen veten të përfaqësuar”, tha Leskaj.