Qytetari nga diaspora: E shkatërruan bandat kriminale! Të bashkohemi për ta rimëkëmbur Shqipërinë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me qytetarët e Vlorës, ku prezantoi kandidatin e tij për zgjedhjet e ardhshme.
Në këtë takim, fjalën e mori edhe përfaqësuesi i diasporës, Bashkim Isufaj, i cili ndau historinë e tij si emigrant dhe angazhimin e tij për rikthimin dhe zhvillimin e vendit.
Në fjalën e tij, ai shprehu besimin se nën drejtimin e Berishës, Partia Demokratike po rikthehet si shpresa e vërtetë e qytetarëve.
Fjala e plotë
Vij nga Torino, ku prej 32 vitesh jetoj si emigrant, i përballur me sfida dhe sakrifica, por gjithnjë me dëshirën dhe përkushtimin për demokraci — ashtu siç na mësoi Partia Demokratike që në themelet e saj. Demokracia na mësoi të jemi të gatshëm, në momentet më vendimtare, të japim kontributin tonë për ta mbrojtur dhe për ta mbajtur gjallë atë.
Në vitin 2013, mora vendimin të kthehem në atdhe me gjithë familjen. Mbolla 1,000 rrënjë ullinj dhe investova gjithçka në këtë tokë të bekuar, të cilën e dua po aq sa e duan të gjithë emigrantët që janë detyruar të largohen, duke lënë pas kockat, gjakun dhe djersën, me shpresën për një jetë më të mirë.
Por, për fat të keq, përvoja më tregoi se ishte e pamundur të ecje përpara. Me sytë e mendjes dhe të dijes kuptova se në krye të Shqipërisë kishte ardhur një bandë hajdutësh dhe kriminelësh që e çuan vendin drejt humnerës.
Si emigrant i informuar dhe i përfshirë në jetën shoqërore, përshëndes të gjithë shqiptarët anembanë botës dhe u bëj thirrje të kthehemi në vendin tonë, të investojmë djersën dhe mundin tonë, sepse çdo kontribut e forcon Shqipërinë. Ta lulëzojmë këtë vend të bekuar, që për vite me radhë është abuzuar dhe është shtypur nga një regjim që na hoqi të drejtën e fjalës dhe na diskriminoi thjesht sepse jemi demokratë.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për bashkim, sidomos mes emigrantëve. Erdhi momenti. Partia Demokratike pati brenda “kallin e Trojës” që e tradhtoi dhe i shkaktoi dëmin më të madh demokracisë. Por Berisha e rimëkëmbi PD-në, solli sërish shpresën dhe me programin e tij unë kthehem të punoj dhe të luftoj bashkë me ju për një Shqipëri më të drejtë dhe më të lirë.