Berisha në Vaqarr: Në 2005-2013 ndërtuam e rindërtuam 8300 km rrugë rurale!

Berisha në Vaqarr: Në 2005-2013 ndërtuam e rindërtuam 8300 km rrugë rurale!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me banorët e Njësisë 15 në Tiranë, ku ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë të Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Në fjalën e tij nga Vaqarri, Berisha theksoi se ‘fshati meriton të njëjtën infrastrukturë si një lagje qyteti’.

“Së pari ju përshëndes ju përzemërsisht, dhe përshëndes gjithashtu me nderimin më të madh, të gjithë banorët e Vaqarritit, Prezës dhe Ndroqit.

Është kënaqësi e madhe që ju takoj sot.

Përshëndes Belindin, udhëheqësin politik të qarkut Tiranës, kryetarin tuaj të degës, Florin dhe dy kandidatët tuaj, zonjën Kalaja dhe zotin Aga, përfaqësues dinjitoz tuaj, të Tiranës dhe Shqipërisë.

Kam kënaqësi që ju takoj ju sot për të paraqitur programin tonë. Çfarë kemi ne ndërmend dhe çfarë zotohemi ne në mënyrë solemne para jush që do të bëjmë gjatë 4 viteve që vijnë.

Në rast se vështrojmë këto 12 vite të Edi Ramës, fshati shqiptar është ai që përjetoi dhe provoi pasojat më të rënda të këtij regjimi.

Këto pasoja jashtëzakonisht të rënda filluan me të ashtëquajturën reformë e qeverisë vendore, ku ju humbët shërbimet që kryheshin në komunë dhe e tëra kjo ju la ju, pa shërbimet që meritoni.

Krijoi pas saj grupe të papërgjegjshme të emëruar dhe të pazgjedhur nga ju, të cilët nuk i jepnin kujt llogari përveç xhepit të tyre. Me reformën e quajtur territoriale, ju dha një goditje shumë e rëndë qeverisjes vendore, qeverisjes së qytetarëve, e cila kishte misione shumë të rëndësishme për zhvillimin e zonave.

Unë mund të ju them një aspekt. Gjatë viteve 2005-2013, ne kishim një raport me komunat e vendit dhe ky raport ishte i tillë. Bëni ju projektet ne të ua financojmë. Dhe kjo funksionoi në mënyrën më të mirë.

Qeveritë vendore projektonin rindërtimin e rrugës, rindërtimin e objekteve, ndërtimin e tyre, qeveria qendrore financonte.

Mund të ju them ju këtu se 2005-2013, se 2/3 e të gjitha investimeve të bëra në Shqipëri janë bërë në fshat.

Pse? Fshati për infrastrukturë ishte mesjetë, në kuptimin që rrugët ishin të paasfaltuara kudo. Po rrugë të paasfaltuara fshati ka pasur edhe në mesjetë, sepse kalonin qerret, etj. Ishin pa sisteme kanalizime, pa ujësjellësa, ishin me shkolla të rrënuara dhe ne investuam.

Mund të ju them se, shumë më tepër u investua në ato vite në rrugët rurale të marra së bashku, se sa në rrugët kombëtare të ndërtuara nga Hani i Hotit gjer në Gjirokastër.

Pse kjo? Ne kishim dhe kemi një filozofi, fshati, fshatari duhet të gëzojë të njëjtën infrastrukturë, pra të njëjtën rrugë, të njëjtin furnizim me ujë, të njëjtin furnizim me energji elektrike, të njëjtat kanalizime, të njëjtën shkollë si lagjja e qytetit.

Të shpallje një vendim të tillë, të dukej një gjë e vështirë, por absolutisht ishte plotësisht e mundshme. Dhe me këtë projekt ne ndërtuam dhe rindërtuam në zonat rurale 8300 kilometra rrugë.

Në këtë projekt ne ndërtuam dhe rindërtuam, 800 e ca shkolla, ne ndërtuam rreth 500 qendra shëndetësore.

Pra ne po punonim fort në këtë parim, që fshatarët aty ku jetojnë të kenë infrastrukturën që ka lagjja e qytetit.

Natyrisht atyre u mbetet barra e madhe e punës në bujqësi, femrave, menaxhimit të tyre, por shteti do të bëjë gjithçka për ta lehtësuar”, u shpreh Berisha.

Share it :