Hoxha: Abuzimet me fondet publike dhe asfalti elektoral, SPAK inekzistent
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Arjan Hoxha, në një prononcim për media jashtë dyerve të SPAK, ka denoncuar ashpër abuzimet dhe shkeljet e ligjit që sipas tij, po ndodhin çdo ditë në qeverisjen e tanishme.
Ai theksoi se shumë projekte infrastrukturore, të cilat janë financuar me para publike, po realizohen pa respektuar procedurat ligjore të kërkuara për një transparencë të plotë.
Hoxha theksoi se shumë nga këto investime, si rikonstruksionet e rrugëve, po kryhen pa pasur akt administrativ dhe pa ndjekur hapat ligjorë që janë të detyrueshëm sipas Kodit Ligjor.
Ai e konsideron këtë një shkelje të qartë të ligjit dhe një mundësi për të manipuluar qytetarët përmes asfaltit elektoral, duke i joshur ata me infrastrukturë të shtruar, thjesht për të fituar mbështetje përpara zgjedhjeve.
Hoxha u shpreh gjithashtu se qeveria aktuale po përdor përfitimet nga këto projekte për të manipuluar vullnetin e qytetarëve, duke shpërndarë asfalte dhe projekte që kanë vetëm qëllimin e mashtrimit dhe vjedhjes së parave publike.
Sipas tij, këto veprime janë një pjesë e një plani elektoral që përpiqet të manipulojë mendimet e qytetarëve para zgjedhjeve.
Arjan Hoxha:
“Çdo ditë vidhen, abuzohen dhe bëhen thjesht dhe pa asnjë lloj tenderimi, pa tabela, pa akt administrativ që ka detyrim ligjor që të vendoset në çdo punë publike, sepse ato rrugë që rikonstruktohen nga e para duhet të ketë një akt administrativ që tregon fillimin dhe fundin e punimeve.
Ka detyrim ligjor dhe kushtetues në bazë të udhëzimeve që ka Kodi Ligjor, që të paktën 4 muajt e fundit ai nuk duhet të bëjë investime të tilla.
Megjithatë, ai vazhdon çdo ditë me zavor dhe asfalt elektoral vetëm dhe vetëm për të manipuluar vullnetin e qytetarëve me idenë e tij që të vjedhë paratë e qytetarëve duke vjedhur paratë publike, duke i mashtruar ditët e fundit që kanë mbetur para zgjedhjeve.
Kjo situatë duhet të marrë fund, taks forca që ka ngritur SPAK është inekzistente, vetë SPAK është inekzistent, është i heshtur e i shurdhër dhe unë kam me dhjetra denoncime, dhe tani po të shkosh me kamera nëpër lagje do hedhin asfalt sipër pa shtruar asgjë tjetër, thjesht për të vjedhur dhe intimiduar votuesit”.