Këlliçi: 11 Maji dita për të rikthyer dinjitetin e Tiranës!
Kryetari i PD, Sali Berisha, ka zhvilluar sot një takim me banorët e Njësisë Administrative nr. 15 në Tiranë, ku është përcjellë një mesazh i fortë kundër abuzimeve të pushtetit.
Në krah të tij, drejtuesi politik i PD për Qarkun Tiranë, Belind Këlliçi, ka denoncuar publikisht atë që e cilësoi si një “grup të strukturuar kriminal” në bashkinë e Tiranës, me në krye Gent Myrton.
Belind Këlliçi:
Kjo është një zonë që i thotë gjërat troç dhe pa filtra, sepse banorët këtu kanë përjetuar nga afër padrejtësitë. I bëj thirrje Gent Myrtos, që sipas nesh është një ndër përfituesit kryesorë të vjedhjes sistematike të tokave në Shqipëri. Nëse dikur ekzistonte një grup i strukturuar kriminal në bashkinë “5D”, sot ai është replikuar drejtpërdrejt në Vaqar, i drejtuar nga Myrto njeriu që, sipas dëshmive të banorëve, ka përvetësuar toka të tëra duke përdorur familjarët për t’i regjistruar pronat në emrat e tyre dhe për t’i shitur më pas, duke luajtur me djersën dhe mundin e qytetarëve të ndershëm.
Ky individ është denoncuar publikisht që në vitin 2021 për përfshirje në blerje votash, por, pavarësisht kallëzimit tim të depozituar në SPAK, hetimi u mbyll pa pasoja. Sot, ai vazhdon të veprojë i pashqetësuar, në bashkëpunim me Arian Poplin, duke intimiduar qytetarët dhe blerë vota për të mbajtur në pushtet Edi Ramën dhe Erion Veliajn që prej 12 vitesh nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë varfëruar dhe shpërfillur këtë komunitet.
Vetëm te shtëpitë përballë, të dëmtuara nga tërmeti, u aplikua një proces skandaloz shpronësimi, ku pronarëve të tokës iu ofrua një vlerë prej vetëm 4,800 lekësh të vjetra (rreth 48 lekë të reja) për metër katror një çmim qesharak që nuk reflekton aspak vlerën reale të pronës.
Ky grup, sipas nesh, nuk përbëhet vetëm nga Gent Myrto, por përfshin edhe emra të tjerë si Besmir Kola nga Peza dhe Xhavit Ceka nga Ndroqi. Me të gjithë këta do të merremi një më një unë i pari, së bashku me avokaten Adriana Kalana, e cila është duke përgatitur kallëzimet përkatëse ligjore.
Fshatrat e Tiranës, sot përfaqësojnë zonat më të lëna pas dore në të gjithë vendin. Asnjë investim i rëndësishëm nuk është bërë në këto 10 vite nga Bashkia e Tiranës, ndërsa Veliaj ka treguar një përbuzje të hapur ndaj komuniteteve rurale. Ne jemi këtu për të dhënë fjalën se nuk do të ndalemi dhe më 12 maj do të ngrihet një Shqipëri Madhështore, me një qeveri që punon për qytetarët, jo kundër tyre.
Bashkë do të ecim drejt 11 majit, për t’i kthyer dinjitetin Tiranës dhe fshatrave që e rrethojnë.