Kraja: Koha për të pastruar Tiranën jo me propaganda, por me kurajë për të fituar
Kryetari i PD, Sali Berisha, ka zhvilluar sot një takim me banorët e Njësisë Administrative nr. 5 në Tiranë, ku theksi u vu te kurajo për të fituar dhe domosdoshmëria për të pastruar qytetin nga padrejtësitë dhe dështimet.
Akil Kraja, kandidati për deputet i PD, theksoi se Tirana është shtëpia jonë dhe duhet ta kthejmë në një qytet të pastër, të lirë dhe dinjitoz.
“Shtëpinë duhet ta mbajmë të pastër. Kjo është Tirana jonë, dhe qytetin duhet ta pastrojmë jo vetëm fizikisht, por nga padrejtësitë, arroganca dhe dështimet që e kanë mbuluar. Ashtu si në Amerikë, ku armiku i brendshëm konsiderohet më i rrezikshëm, edhe këtu në Shqipëri ne shpesh vuajmë nga një armik që jemi vetë – hezitimi, frika, mungesa e besimit. Por nëse ka diçka që na ka mësuar Rithemelimi, kjo foltore, ky rrugëtim, është se duhet të kemi kurajën për të fituar.
I vetëm ishte Sali Berisha kur nisi foltoren. I vetëm ishte Klevis Balliu kur nisi 5D-në pas 14 majit. Të vetëm kemi qenë edhe ne në fillimet tona. Por patëm guximin të besonim, guximin të mendonim se mund të ishim të parët prijës. Prijës të ndryshimit. Të kesh kurajën për të fituar, do të thotë të kesh kurajën të përballesh me frikën qoftë ajo policia, burgjet, apo presionet që këto zona i njohin prej kohësh.
Nuk kemi pasur frikë për t’u përballur. Kjo është një degë që ka numrin më të lartë të pedagogëve, sipërmarrësve, themeluesve të PD-së në Republikë. Vetë dega është një degë prijëse.
Nëse duam ta çlirojmë Tiranën, ashtu siç Belind Këlliçi çliroi Bashkinë nga Erion Veliaj, atëherë duhet të kemi ambicien për të fituar, për të ndryshuar Shqipërinë dhe për të realizuar këtë projekt madhor një Shqipëri Madhështore. Duhet të kemi kurajën të themi po: madhështia jonë qëndron në këtë rrugëtim”, tha Kraja.