Beci: Rama ndërtoi një sistem ligjor në shërbim të narkotrafikut
Ish-prokurori Eugen Beci hodhi akuza të forta ndaj qeverisë Rama, duke zbuluar një prapaskenë të frikshme të lidhjes mes Reformës në Drejtësi dhe narkotrafikut.
Sipas Becit, pas vitit 2013, u ndërtua një infrastrukturë ligjore që nuk luftoi krimin, por i hapi rrugën kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.
Reforma në Drejtësi sipas tij u kthye në një mjet për të dobësuar organet e drejtësisë dhe për të mbrojtur interesat e narkopolitikës.
“Duhet ta shohim në një kronologji të qartë, e cila patjetër duhet të ndërthurë infrastrukturën ligjore, dëshirën e krimit të organizuar dhe bashkëpunimin e politikës me të. Pse them infrastrukturën ligjore?
Që nga viti 2013 e në vijim, është ndërtuar një strukturë ligjore që, në vend që të godiste fenomenin e kanabizimit, e lehtësoi dhe e shtriu atë në të gjithë territorin. Fillimisht, me aksionin ndaj Lazaratit u dha sinjali se shteti po vepronte, por në të vërtetë, kjo hapte rrugën për legalizimin informal të kultivimit të kanabisit në mbarë vendin.
Paralelisht me Reformën në Drejtësi, u formësua edhe mënyra se si kjo infrastrukturë ligjore do t’i shërbente narkotrafikut. Kjo mund të duket një deklaratë e rëndë, por është realitet. Krimi i organizuar, përveçse tenton të blejë shtetin, strukturat ligjzbatuese dhe individë të veçantë, përmes reformave të nxitura nga politika, ka mundur të krijojë një sistem që i shërben interesave të tij.
Me pak fjalë, Reforma në Drejtësi goditi Prokurorinë dhe Gjykatat, duke përdorur dëshirën e sinqertë të opinionit publik për ndryshim si justifikim. Në këtë proces, nisi të funksionojë e ashtuquajtura “narkopolitikë”, e cila në pamje të jashtme duket moderne dhe pro-evropiane, por në thelb është një infrastrukturë që favorizon trafikun e lëndëve narkotike.
Para Reformës, ndjekja e trafikut të drogës ishte kompetencë e vetme e Prokurorisë për Krime të Rënda. Kjo qasje kishte dy qëllime të qarta: së pari, të minimizonte rrezikun e korruptimit të zyrtarëve dhe, së dyti, të garantonte një nivel të lartë specializimi në hetimet që kërkojnë metoda të avancuara dhe të posaçme.
Sot, kompetenca për hetimin e trafikut të lëndëve narkotike nuk është më në duart e SPAK-ut, por e Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm. Kjo është një goditje direkte ndaj seriozitetit të luftës kundër krimit të organizuar dhe një dobësim i qëllimshëm i strukturave që duhej ta mbanin vendin të pastër nga narkotrafiku”, tha Beci për Syri tv.